Home Ja Pse Shqiperia nuk behet si Zvicera JA PSE SHQIPËRIA NUK KA DIPLOMACI (EKONOMIKE)

JA PSE SHQIPËRIA NUK KA DIPLOMACI (EKONOMIKE)

Nga Dr. Enriko Ceko*

Unë kam punuar për një kohë të gjatë oficer tregtar i Ambasadës Britanike në Tiranë. Kur e fillova këtë punë Britania e Madhe eksportonte në Shqipëri rreth 3 milionë $ produkte dhe shërbime dhe Shqipëria eksportonte në Britaninë e Madhe rreth 200.000 – 300.000 $ produkte dhe shërbime. Në atë kohë në Shqipëri kishte rreth 25 – 30 kompani britanike dhe kompani shqiptare që përfaqësonin firma të ndryshme britanike. Pas pesë vitesh pune, me mbështetjen e plotë të dy ambasadorëve të Britanisë së Madhe në Shqipëri zotërinjve Peter January dhe David Landsman, arrita që të çoj në nivelin 45 – 50 milionë $ eksportet britanike në Shqipëri dhe në rreth 4 – 5 milionë $ eksportet shqiptare në Britaninë e Madhe (edhe pse nxitja e eksporteve shqiptare nuk ishte aspak detyra ime) dhe të bëhet e mundur që në Shqipëri të operonin rreth 125 – 130 kompani britanike dhe firma shqiptare që ishin përfaqësuese të atyre britanike. Gjatë kësaj periudhe arrita që të organizoj tre misione tregtare të subjekteve publike dhe private britanike në Shqipëri në fushat e konsulencës, agrobiznesit dhe energjetikës si dhe të organizoja tre konferenca të mëdha ndërkombëtare në këto fusha për nxitjen e investimeve britanike në Shqipëri. E gjithë kjo punë vetëm me mbështetjen e qeverisë britanike përballë vështirësive të shumta që nxirrnin arrogantët dhe mendjemëdhenjtë qeveritarë shqiptarë.

Gjithashtu, gjatë kësaj periudhe mora titullin Doktor Shkencash në fushën e Manaxhimit me një temë për nxitjen e marrëdhënieve dhe bashkëpunimit midis Shqipërisë dhe Britanisë së Madhe dhe për mënyrën e manaxhimit të kompanive britanike që opernin në Shqpëri në atë kohë.

Gjëta kësaj pune kam patur rastin që të përballem me dhjetra herë me zyrtarë shqiptarë të fushës së diplomacisë, duke filluar që nga ministrat e zëvendësministrat e deri te ambasadorët, atashetë e konsujt e Shqipërisë në vende të ndryshme të botës. Pothuajse të tërë kanë qenë arrogantë, mendjemëdhenj, të paaftë, të paedukuar, të pashkolluar dhe të korruptuar. Kjo është fatkeqsisht fytyra e vërtetë e diplomacisë shqiptare.

Kur bëhet fjalë për diplomacinë ekonomike duhet theksuar se raporti dhe marrëdhëniet midis ekonomisë dhe diplomacisë është vënë në qendër të vëmendjes në mjaft vende që kanë hyrë në rrugën e ekonomisë së tregut dhe kryesisht në vendet në zhvillim, ndërsa më pak në ato të pazhvilluara. Edhe vendet e zhvilluara e kanë në qendër të vëmendjes këtë lidhje midis dy nocioneve, por në këto vende që kanë mjaft shekuj që e kanë konsoliduar shtetin, qeverisjen dhe ekonominë, këto marrëdhënie kanë kohë që janë vendosur në raporte të drejta dhe me kalimin e viteve këto vende vetëm korrigjojnë me kujdes, pa krijuar probleme e konfliktet midis lojtarëve në treg e midis interesave e prirjeve të kohëve moderne.

Hyrja e lojtarëve të rinj në treg duket se nuk i bezdis shumë lojtarët e vjetër, përkundrazi, ata po përpiqen që lojtarët e rinj t’i mësojnë e t’i kanalizojnë ashtu siç duhet në tregtinë ndërkombëtare, aq më shumë sot kur jemi drejt një bote në globalizim e integrim, ku sejcili ka vendin e vet me produktet dhe shërbimet specifike që ofron në këtë treg të madh. Por hyrja e lojtarëve të rinj në tregun ndërkombëtar, fillimish kërkon një mbështetje mjaft të fuqishme diplomatike, duke marrë parasysh këtu edhe zhvillimin e pështatshëm ekonomik të një vendi që synon të futet në një treg të caktuar, pastaj, pasi realizohet hyrja në një treg te huaj, biznesi ecën vetë me mbështetje më të vogël nga ana e shtetit dhe diplomacisë së vendit të vet. Mbështetjen diplomatike, kursin dhe shërbimin diplomatik ndaj komunitetit të biznesit e bëjnë njerëzit.

Në rastin e vendit tonë është e vërtetë se janë nënshkruar shumë traktate e marrëveshje bashkëpunimi ekonomik dhe në fusha të tjera, por është po aq e vërtetë se imazhi i Shqipërisë është përtokë, si ai topi që ka rënë në fund të dyshemesë, dhe kjo ka ardhur kryesisht si rezultat i injorancës, papërgjegjshmërisë dhe konfuzionit që ka mbizotëruar në mjediset ekonomike dhe të politikës së jashtëme shqiptare.

Për imazhin e Shqipërisë apo për vetë Shqipërinë?

Imazhin e bëjnë njerezit dhe varet shumë se me cilët njerëz punon. Kuptohet se përderisa imazhi i vendit në arenën ndërkombëtare është përtokë, njerëzit që merren me imazhin nga idetë dhe mendimet që kanë në kokë janë 100 pashë nën tokë. Nga ana tjetër, duke u marrë vetëm me imazhin (në të tëra aspektet) kemi harruar se duhet të punojmë në radhë të parë për vetë Shqipërinë, sepse duke punuar për vendin tonë kemi rregulluar edhe imazhin e tij. Shembuj të mediokritetit, injorancës, rekrutimit të individëve krejt të papërshtatshëm në shërbimin diplomatik, që lidhet në mënyrë të drejtpërdrejtë me imazhin e vendit ka sa të duash. Po sjellim vetëm gjashtë prej tyre.

I pari: Në një panair ndërkombëtar të disa viteve të shkuara, në një nga kryeqytetet më të rëndësishme të Evropës, ku kemi edhe përfaqësi diplomatike, stenda e Shqipërisë ishte ngallosur si mos më keq, pa patur brenda saj asnjë produkt, shërbim apo pjesë të kulturës së vërtetë shqiptare dhe,… në çastin e hapjes së panairit në atë palo stendë mungonin në fund të fundit edhe përfaqësuesit e vetë shtetit shqiptar. Por, ajo që ishte më skandalozja, emri “Albania”, me të cilin na identifikon bota, nuk figuronte fare në asnjë cep të stendës, veçse, në krahun e majtë të kësaj stende, ishte shkruar në gjuhën shqipe, skandalisht, vertikalisht, emri i tejzgjatur prej pesë fjalësh i një ministrie, që asnjë nga vizitorët e huaj nuk dinte t’a lexonte e jo më të kuptonte se përse bëhej fjalë dhe stendën e cilit shtet po vizitonin.

I dyti: Një biznesmen i huaj, më kontakton pak kohë më parë dhe më qan hallin se kishte marrë mesazhe nga një punonjës i një ministrie në Shqipëri, që kishte hapur një faqe interneti për të nxitur shkëmbimet ekonomike, kulturore e turistike midis vendeve, kinse i autorizuar nga shteti shqiptar, por që në pjesën e fundit të faqes së internetit ku kërkohej kontaktimi, kishte vendosur adresën e shtëpisë së tij dhe një adresë e-maili vetiake dhe… promovonte nga kjo faqe interneti produkte, shërbime dhe muzikë shqiptare sipas shijes së vet, që duket se ishte mjaft vulgare, pasi i huaji që më kontaktoi, njohës i mirë i shqiptarëve dhe mjaft dashamirës ndaj Shqipërisë, i befasuar mësonte nga kjo faqe interneti dhe nga kontakti me punonjësin e ministrisë se vendi i shqipeve paskërka rreth 2368 këngëtarë e grupe folklorike nga më të mirët në glob, 254 daullexhinj, qepë Bozhigradi (fshat në Korçë) pa hesap, thana Funari (fshat në Elbasan) me thasë, goma makinash të riveshura me tonelata, qëndra biznesi – copë 5, etj, statistika të tilla me të cilat mburrej një fatkeq injorant, i cili fatkeqësisht paguhej nga shteti fatkeq shqiptar dhe taksat fatkëqija të qytetarëve fatkeqë të Shqipërisë. Më e keqja ishte se personi në fjalë, që manaxhonte këtë faqe interneti, pretendonte të kishte edhe ofiqin e zëvendësministrit, duke qenë thjesht një punonjës i rëndomtë ministrie.

I treti: Para disa kohësh, një konsull tregtar i Shqipërisë, vjen dhe më takon në një veprimtari biznesi (më identifikoi si shqiptar nga stema me flamur që mbaja në jakën e xhaketës) në vendin ku punonte (për Shqipërinë?) dhe pa pikë turpi, duke mos patur as kartë biznesi me vehte, me bluze të kuqe leshi e pantallona jeshile me kuadrate, e jo me kostum zyrtar, me një dokument identifikimi varur në qafë me një zinxhir të trashë floriri, si ndonjë këlysh kurve, më kërkon një listë të firmave shqiptare që paraqesnin produktet dhe shërbimet e tyre në atë veprimtari, që “t’i ndihmonte të lidheshin me firmat e vendit ku organizohej panairi”, kur isha unë ai që gjendesha në panair si i ftuar i një agjencie të huaj tregtare e biznesi, ndërsa konsulli presupozohet të ishte në krye të detyrës. Justifikimi: “Nuk punonte faksi i Dhomës së Tregtisë në Tiranë dhe s’kishte ku të merrte listën”. Turp e faqe e zezë për shërbimin konsullor shqiptar. Konsulli tregtar shqiptar nuk dinte se cilat firma shqiptare merrnin pjesë në një nga panairet më të mëdha, në vendin ku ai ishte caktuar në detyrë nga shteti shqiptar. Konsulli nuk e dinte fare cilët ishin organizatorët e panairit në atë vend, që patjetër e kishin parapakisht edhe listën e firmave shqiptare pjesëmarrëse në panair. Kështu, me normat e punës së qeverisjeve injorante dhe me disa prej njerëzve më dallkaukë të këtyre qeverive as që mund të bëhet fjalë për integrim në ekonominë rajonale dhe më gjerë.

I katërti: Një nga ish drejtorët e përgjithshëm të politikave agrare të Ministrisë së Bujqësisë së Shqipërisë edhe pse kishte detyrë shtetërore drejtor i përgjithshëm dhe merrte goxha pagë nga shteti shqiptar për këtë detyrë shumë të rëdësishme për ekonominë shqiptare, kishte hapur një faqe interneti ku paraqitej si përfaqësues i një agjencie ndërkombëtare që shiste konserva peshku (274 ton), domate të thara (120 ton), oshafka (24 ton), prime të freskëta sipas sezonit, etj si këto. Ky dallkauk maskara shfrytëzonte postin dhe kontaktonte me agjenci të huaja të njohura në fushën e eksport – importit të produktve bujqësore e blegtorale dhe paraqitej si përfaqësues i Shqipërisë në marrëdhëniet ndërkombëtare që kishin të bënin me çështjet e bujqësisë dhe agrobiznesit, duke qenë injorant në këtë fushë, pasi edhe shkollimin e kishte në një lëmi që nuk kishte fare lidhje me bujqësinë.

I pesti: Një kryetar shoqate biznesi regjistruar në Gjykatën e Rrethit Gjyqësor Tiranë, paraqitet sikur është kryetar i një dhome tregtie që promovon marrëdhëniet ekonomike dhe tregtare midis Shqipërisë dhe disa vendeve të tjera. Ky person, me veprimet e tij, krijon probleme të shumta në marrëdhëniet midis Shqipërisë dhe vendeve të tjera kryesisht të zhvilluara dhe bën përpjekje maksimale që të dalë sa më shumë të jetë e mundur në televizione e media të tjera me fjalime e deklarata, duke krijuar mundësinë që të dalë në fotografi edhe ngjitur me kryeministrat apo presidentët e vendit tonë, duke qenë një figurë mjaft e njohur për profilin e tij korruptiv nga mbarë shqiptarët. Habitem se si është e mundur që ky person të kalojë filtrin e protokolleve he të arrijë që t’ japë dorën e të dalë në fotografi dhe sekuenca filmike në lajme ngjitur me figurat më të mëdha të vendit e shtetit shqiptar.

I gjashti: Në një intervistë të ca kohëve më parë, dhënë një stacioni radiofonik të huaj, mjaft prestigjioz, një nga eksponentët e diplomacisë shqiptare përmendi prapambetjen ekonomike dhe varfërinë që na paska pllakosur si komb e si shtet dhe mangësitë e bizneseve vendase. Prapambetja vjen nga niveli i mentalitetit dhe nga injoranca, ndërsa në lidhje me varfërinë, nuk është e vërtetë që jemi aq të varfër sa thuhet në intervistën në fjalë, edhe pse varfëria nuk është turp. E kujt i thuhet se jemi të varfër? Britanikëve, gjermanëve dhe amerikaneve, etj (dhe radiove të tyre BBC-së, Dojçe Veles, Zërit të Amerikës, etj), që e dinë më mirë se kushdo prej nesh që para qindra viteve se sa burime natyrore e njerëzore ka në çdo vend të botës, e sa mundësi ka për biznes e zhvillime ekonomike në çdo cep të globit. U thuhet atyre që janë ndër të parët në investime e tregti në botë dhe … kjo ndodh nga diplomatë shqiptarë karriere, që klasifikojnë e rendisin në CV-të e tyre vetëm gabime trashanike diplomatike, duke mos bërë asgjë tjetër gjë tjetër veçse largimin e investimet të huaja nga vendi dhe prishjen e imazhit të vendit. Këtu s’kemi të bëjmë fare me varfëri, por me mënyrën se si stisen e serviren faktet dhe informacioni. Komuniteti i biznesit është pasuria më e madhe që ka patur ndonjëherë Shqipëria dhe shqiptarët, pasuri me vlera të pakrahasueshme shumëdimensionale, përfshirë edhe ato diplomatike dhe është e pafalshme që në radiot që i dëgjon tërë bota të thuhet se bizneset shqiptare nuk janë të përgatitura, s’kanë mundësi financiare, etj. Mjaft vende të botës që para disa viteve ishin më të varfra se Shqipëria, tashmë kanë të ardhura më të larta se ne dhe kjo sepse edhe varfërinë e tyre e kanë përdorur dhe shitur si avantazh konkurues e krahasues tek vendet e pasura nga ku thithen investimet, por kjo kërkon largamësi dhe stil diplomatik.

Efektiviteti dhe efiçienca e përfaqësive tregtare

Efektiviteti është aftësia për të realizuar detyrën, ndërsa efiçienca është aftësia për të realizuar detyrën në kohë dhe me burime të përcaktuara. Në plan të parë për publikun, në çështjet e vendosjes apo shuarjes së marëdhënieve me një vend tjetër, janë biznesi, ekonomia, lidhjet historike, aleancat strategjike dhe kultura, etj. Por, ç’mund të themi dhe ç’mund të bëjmë për mungesën totale të efiçiencës dhe efikasitetit të përfaqësive tregtare të Shqipërisë në vendet me të cilat Shqipëria është e lidhur me interesa jetike, në një kohë që flitet për hapjen e përfaqësive të reja? Pra, sa lidhje tregtare midis firmave shqiptare dhe atyre të huaja janë bërë të mundura në një kohë të dhënë nga ana e shërbimit diplomatik dhe konsullor shqiptar, kur burimet e përcaktuara si mjete për lëvizje, mjete pune, pajisje zyre, pagesa per materiale, energji, uje, karburant, paga, siguracione, qera, etj nuk kanë munguar. Në një televizion privat, ditë më parë është përmendur hapja e ambasadës shqiptare në Japoni dhe anasjelltas. Interesante dhe e kuptueshme për vetë pozicionin që ka Japonia në tregun ndërkombëtar. Por para disa muajsh jam çuditur kur mësova se bëhej fjalë nga disa “diplomatë” shqiptarë për një gjë të tillë edhe për në Uruguaj apo Paraguaj! Nga këndvështrimi im, qofsha i gabuar, një zot e di ç’duam atje, aq më shumë kur edhe përfaqësitë që kemi aktualisht nuk është se po e ndrisin nga ana e diplomacisë ekonomike.

Sa shume konfuzion për diplomacinë

Diplomacia është arti i arritjes të negociatave midis kombeve dhe detyra e diplomatëve është të nxisin, fitojnë dhe të mirëmbajnë paqen dhe harmoninë në botë, duke mbrojtur dhe nxitur interesat e vendeve të tyre, që fund të fundit konvertohen në para dhe imazh. Në të vërtetë, ka një konfuzion midis atij që është dhe atij që nuk është diplomat. Në kuptimin e ngushtë të fjalës, për shembull, shumica mendojnë dhe besojnë se një konsull është diplomat, ndërsa në të vërtetë në kuptimin modern të diplomacisë, konsulli nuk është gjë tjetër veçse një punonjës i shërbimit civil, i cili, autorizohet nga shteti i tij për të hapur një zyrë në një shtet tjetër për të mbrojtur interesat e shtetasve të shtetit që hap zyrën konsullore dhe kuptohet që pjesa më e madhe e punës ka lidhje me biznesin, tregtarët që kërkojnë ndihmë, adresa, kontakte, panaire, etj. Kundërshtimisht, konsujt shqiptarë e heqin vehten si diplomatë që bota i ka me pakicë e që Shqipëria i ka gjetur me qiri, që zenë e u mburren fqinjëve e të afërmve se janë të tillë, edhe pse vetë e dinë fare mirë se janë vetëm pjesë e shërbimit civil e konsullor dhe jo pjesë e shërbimit diplomatik. Por sidoqoftë, me apo pa konsujt tregtarë, me apo pa këtë nivel diplomacie, me apo pa këtë nivel përfaqësimi në veprimtari ndërkombëtare biznesi, etj, në aspektin e mirëqënies dhe të integrimit, është ekonomia ajo që vendos vulën e jo diplomacia.

Ekonomia diplomatike dhe avantazhet krahasuese

Nëse vërtet duam t’a zhvillojmë dhe t’a integrojmë këtë vend atëhere ekonomia jonë duhet të jetë mjaft diplomatike dhe si e tillë duhet që të ketë edhe mbështetje ligjore edhe mbështetje nga ana e institucioneve. Asnjë vend nuk mund të ecë sot vetëm me këmbët e veta, aq më shumë në kohën kur informacioni është mjaft i shpërndarë dhe pothuajse të gjithë kanë akses në të. Me këtë informacion, kushdo që ka dy pare mend dhe mundësi për financime gjen mallra dhe shërbime atje ku janë më me leverdi dhe i tregton po atje ku ka leverdi. Kjo vlen edhe për prodhimin. Por është aftësi e atyre që bëjnë ligjet ekonomike dhe diplomacinë e një vendi, që të përshtatin legjislacionin sa herë që është e nevojshme dhe të informojnë shpejt dhe qartë me të tëra potencialet komunikuese se ç’mund dhe duhet të blihet në këtë apo atë vend dhe si, e kjo në bashkëpunim me organizmat e biznesit. Çdo vend ka avantazhe krahasuese dhe konkurruese. Vënia në dukje e këtyre avantazheve përballë mediave të huaja, bizneseve dhe përballë përfaqësuesve të vendeve të tjera do të ishte rruga më e mirë që duhet të ndjekë ekonomia diplomatike, si në thithjen e investimeve të huaja, ashtu edhe në rritjen e numrit të turistëve të huaj në Shqipëri, etj, dhe jo pohimi i varfërisë. Por, kur shkon e bisedon me “specialistët” e ekonomisë e diplomacisë për t’u marrë mendime se cilat janë avantazhet krahasuese dhe konkurruese të Shqipërisë, që t’i kesh parasysh në punën e përditshme për të ndihmuar shtetasit e vendit tënd të integrohen e të bëjnë biznes me botën, apo për të asistuar të huajt për të ardhur në Shqipëri, vetëm nja dy prej këtyre specialistëve do të jenë në gjendje të të përgjigjen vërtetësisht. E kemi provuar vetë të gjithë në mjaft seminare e konferenca ku nuk flitet tjetër veçse për krahun e lirë të punës në Shqipëri dhe aftësinë e madhe të shqiptarëve për të mësuar shpejt gjuhë të huaja apo ndonjë aftësi tjetër, që na shiten si avantazhe krahasuese e konkurruese nga ca zgjebospecialistë, që mezi kanë mësuar ca leksione arkaike ekonomie, e na paskërkan dëgjuar fshehurazi dikur ndonjë këngë sllave e angleze, dhe i përdorin këto si mjete për t’u punësuar në diplomaci, e duke mos qenë fare njerëz të profilizuar apo të zanatit siç thotë populli, e duke mos patur lidhje e kontakte të drejtpërdrejta me komunitetin e biznesit, ekonominë e kulturën e vendit të tyre (Shqipërisë), janë sot në drejtim të institucioneve diplomatike dhe ekonomike, duke u hequr si filodemokratë, kur deri gati një vit më parë u lëpinin prapanicën e u kruanin me dhëmbë thonjtë e këmbëve atyre që drejtonin pushtetin, shtetin, ekonominë dhe diplomacinë. Po të ishte kështu dhe kaq e thjeshtë me krahun e lirë të punës e me dokrrat e tjera të aftësisë për të mësuar gjuhët e huaja e zanate të ndryshme, atëhere tërë investitorët e huaj dhe turistët do të shkuleshin nga tërë bota për të ardhur në Shqipëri, në vendin e vetëm në botë ku investitorët …, etj, etj, turistët…, etj, etj, … ekonomia ….etj, etj…., ligjet e biznesit, etj…etj, dollari, euro, sterlina, etj, etj,…e tërci e vërci….. por … e vërteta është krejt ndryshe dhe nuk është faji i qeverisë aktuale për këtë gjendje, por është vetëm dhe vetëm barra e saj.

Disa shembuj të mirë dhe të këqinj të ekonomisë diplomatike

I pari: Çmimet e referencës si një mekanizëm që i drejtonte tregtarët shqiptarë drejt vendeve ku kishte mallra me cilësi të ulët, kur shqiptarët synonin perëndimin dhe mallrat me cilësi të lartë, sepse çmimet e referencës në dogana ishin të larta për vendet e zhvilluara dhe të ulëta për vendet e tjera, për të njëjtin produkt, pra tregtarët importonin mallra me cilësi të ulët nga vende me të cilat politikat, ekonomia, historia, kultura, diplomacia dhe lidhjet e tjera janë jo aq të forta.

I dyti: Kursi i këmbimit, si një mekanizëm që i drejton tregtarët për tek ai vend, monedha e të cilit konvertohet lirisht dhe ka vlerë të përshtatshme për t’u konvertuar me monedhën vendase sa më mirë, pra, për të blerë sa më shumë mallra nga ai vend. Por kur mëson se leku, monedha jonë ç’vlerësohet në periudhën e dimrit, kur tregtarët tanë dalin jashtë për të importuar kryesisht bazën materiale për bujqësinë, agrobiznesin e ushqimet e dimrit, del se kjo përbën pengesë për ata dhe për fermerët, që i blenë me çmime më të larta artificiale, lëndët dhe bazën materiale për bujqësin dhe për qytetarët që i blenë ushqimet (kryesisht ato të thata) me çmime më të larta, kur duhet të jetë e kundërta, leku duhet ç’vlerësuar pak para fillimit të sezonit të verës dhe vlerësuar pak para fillimit të sezonit të dimrit, që edhe qytetarët të përfitojnë sa më shumë nga luhatjet e kursit të këmbimit, që reflektohet tek çmimet në treg dhe eksportet të nxiten. Pra, s’ka shumë nevojë për fjalë se me cilin vend do bëjmë biznes, veprimet ekonomike dhe legjislacioni të drejtojnë atje ku dhe kur duhet. Tregtarët tashmë janë në gjendje të vlerësojnë tregun dhe indikatorët e thjeshtë të tij, mjafton që t’i ndihmojmë fare pak sa për orientim dhe këtë e bën fare mirë edhe kursi i këmbimit.

I treti: TVSH-ja për lëndët e para për sektorët e rëndësishëm është e lartë krahasuar me vendet përreth dhe kjo ngjet në Evropë vetëm me 2 – 3 vende, ish – republika të ish – Bashkimit Sovjetik, kur tërë Evropa Perëndimore dhe mjaft vende të lindjes e kanë TVSH-në për lëndët e para për sektorët e rëndësishëm 0 – 8% dhe vetëm dy vende 16% (por këto dy vende i kanë 0% taksat e tjera për këta sektorë). Pra, ka mjaft rezeva për të diplomatizuar sektorët e rëndësishëm si parakusht për zhvillimin e diplomatizimin bie fjala të turizimit, zhvillim i cili nga ana vet sjell në Shqipëri më shumë të huaj, që njihen me vendin tonë dhe që shpenzojnë paratë këtu, gjë që nga ana e diplomacisë ekonomike nuk është gjë tjetër veçse eksport. Pra, një i huaj nuk i ble produktet shqiptare në vendin e vet, por vjen këtu dhe konsumon këtu, por ai përsëri mbetet i huaj edhe pse konsumon brenda territorit të Shqipërisë. Kjo është edhe një nga rrugët e rritjes së sasisë së monedhës së huaj në tregun vend krahas prurjeve të emigrantëve, monedha që u duhen tregtarëve vendas për t’i këmbyer me lekë para se të nisen jashtë shtetit për tregti e importe.

I katerti: Nisma “Shqipëria – 1 Euro” duket se i bëri për vehte tërë shqiptarët, shumicën me hir e ca të tjerë me pahir. Me emfazën që morri kjo nismë jashtë vendit, duket se Shqipëria nuk vlente thjesht 1 Euro. Aksionet e saj në tregun ndërkombëtar tashmë janë 10 Euro. Nesër do bëhen 100, pasnesër 1000, më tej, nëse manaxhohet mirë ndoshta edhe miliona Euro. Është e qartë se nëse nisma të tilla dhe mesazhet e tyre për shtimin e investimeve dhe rritjen e produktivitetit do kanalizohen me sukses, atëhere shumë shpejt Shqipëria do vlejë milarda Euro.

Por, edhe pse përsiatjet tona për diplomacinë ekonomike dhe ekonominë diplomatike mund të vazhdojnë gjatë, deri sa të dalë ky dimër ekonomik e diplomatik, që ka vënë mjaft prej nesh në gjumë, duhet kuptuar se edhe pse topi ka rënë tashmë në fund të dyshemesë, ai nuk po bën gjë tjetër veçse po ngjitet lart. Por që suksesi të jetë i vërtetë topi duhet ngritur shumë më lart dhe kjo bëhet vetëm me ndihmën e ekonomistëve dhe diplomatëve dhe jo për efekt të inercisë. Pastaj? Pastaj, duhet t’a mbash topin në ajër sa më gjatë dhe për këtë duhen aftësi edhe më të mëdha dhe ekonomistë e diplomatë edhe më të zotë. Diplomaci (ekonomike) me arrogantë, mendjemëdhenj, të paaftë, të paedukuar, të pashkolluar dhe të korruptuar Shqipëria nuk mund të ketë.

(*Ish-oficer tregtar i Ambasadës Britanike në Tiranë)

Share: