I dërguari i Koresë së Veriut në OKB ka paralajmëruar SHBA-në të presë “pasoja katastrofike” nëse lufta aktuale e fjalëve vazhdon të përshkallëzohet, pasi vendi mbrojti të drejtën e tij për të kryer testin e raketave të së martës.
Një raketë balistike me rreze të shkurtër fluturoi mbi Hokkaido, një nga territoret kryesore të ishullit të Japonisë, përpara se të shpërthente në Paqësor. Nisja “e pamatur” u dënua nga Tokio si një “kërcënim i pashembullt, serioz dhe i rëndë” për rajonin.
Ambasadori i Veriut në Gjenevë, Han Tae-song, i tha forumit të OKB-së: “Vendi im ka çdo arsye për t’u përgjigjur me masa kundërshtuese të ashpra, si një ushtrim i së drejtës për vetëmbrojtje. SHBA duhet të jetë plotësisht përgjegjës për pasojat katastrofike që do të sjellë. ”
Ndërkohë, Shtëpia e Bardhë tha se Pyongyang kishte “shprehur përbuzjen e saj për fqinjët e saj, si dhe për të gjithë anëtarët e Kombeve të Bashkuara dhe për standardet minimale të sjelljes së pranueshme ndërkombëtare”.
Lidhur me përgjigjen e saj, “të gjitha opsionet janë në tryezë”, shprehet administrata Trump. /The Independent