I NDERUAR Z. AMBASADOR!
Unë quhem Fildeze Hafizi, dhe jam një nëna e dy fëmijëve, aktualisht gjyqtare – magjistrate në fazën e stazhit pranë Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Tiranë.
Po Ju shkruaj për të ndarë me Ju një shqetësim që nuk lidhet vetëm me mua por me shumë femra shqiptare, viktima të dhunës në familje e më pas viktima të sistemit të drejtësisë.
Vitin e kaluar unë kam kaluar një proces divorci pothuaj tragjik. Gjatë këtij procesi ish-bashkeshorti im u përpoq disa herë të më mbante të martuar jashtë vullnetit tim duke më kërcënuar me armë. Por unë për të mirën e fëmijëve të mi vendosa ti shkoj deri në fund duke marrë përsipër edhe humbjen e jetës. Theksoj se për dhunën e ushtruar ndaj meje nga ish bashkshorti im, unë dhe fëmijët e mi kemi qenë më Urdhër të Menjëhershëm Mbrojtje deri në përfundim të procesit të divorcit.
Tre muaj pas marrjes së vendimit për zgjidhjen e martesës, pa pasur asnjë lloj kontakti as drejt për drejt e as përmes të tjerëve, ish bashkshorti në datë 19 korrik 2015, në prani të djalit tonë, në një ambjent publik në një plazh të Kavajës ka ardhur përsëri me armë sigurisht me qëllimin e tij për të më eleminuar fizikisht. Për rastin në fjalë u hapën hetimet nga prokuroria dhe ai nuk u akuzua për vrasje të mbetur në tentativë por vetëm për dhunë në familje dhe armëmbajtje pa leje. Gjithsesi me besim tek drejtësia mendova se prokurori Ylli Dhimitri do hetonte me paanësi dhe ndershmëri.
Shqetësimi im i vërtetë filloi kur unë e kuptova që edhe pse tashmë jam pjesë e sistemit të drejtësisë kur për një vepër të kryer në kushtet e flagrancës për nëntë muaj nuk u bë dot asnjë seancë gjyqësore. Sa herë që kërkoja informacion zyrtar kolegët e mi ndjeheshin të bezdisur dhe më sajonin lloj lloj justifikimesh aspak profesinale për zvarritjen pa kuptim të një cështje kaq të thjeshtë.
Me shqetësimin se prokurori i cështjes Ylli Dhimitri dhe gjyqtari Luan Lusha që janë në juridiksionin e Rrethit Gjyqësor Kavajë po manipulonin të vërtetën dhe po përpiqeshin të mbyllnin sytë përpara të vërtetës së pastër në bashkëpunim me njerëzit e ish bashkshortit tim unë kontaktova prokurorin e Përgjithshëm në datën 03 Mars 2016, të cilit i shpreha shqetësimin se jeta ime dhe e fëmijëve të mi mund të ishte e rrezikuar dhe se me shumë gjasa mund të isha në kushtet e një rasti korruptiv dhe përpara një vrasje të paralajmëruar.
Vetëm dy muaj pas këtij takimi është zhvilluar një seancë gjyqësore dhe brenda një séance të vetme pa asnjë lloj hetimi gjyqësor në datën 28 Prill 2016 fakt për të cilin kam rënë rastësisht në dijeni është zhvilluar një gjyq fars ku ish bashkshorti im për kryerjen e dy veprave penale ka marrë një dënim qesharak prej 3 vitesh burgim ku më shumë se gjysma i llogaritet me periudhë e paraburgimit. Ky është një dënim qesharak që barazohet me dënimin e dhënë për një vepër penale të lehtë sic mund të jetë vjedhja e energjisë elektrike.
Z. Ambasador ky gjyq dhe ky dënim janë një rast i pastër i padrejtësisë dhe i korrupsionit në sistemin e drejtësisë. Theksoj se me këtë gjyq kaq të sajuar jam viktimizuar dhe riviktimizuar nga kolegët dhe sistemi ku bëj pjesë.
Unë e përjetoj profesionin tim si një mision të shenjtë të cilin fati dhe Zoti ma besuan mua në shërbim të njerëzve që i drejtohen gjykatës me besim dhe shpresë se do gjejnë drejtësi. Kur ëndërroja dhe luftoja me forcat e mia që një ditë të bëhem pjesë e sistemit të drejtësisë gjithmonë kam aspiruar që t’i shërbej me dinjitet dhe pavarësi e paanësi të plotë njerëzve.
Mua më trondit dhe më bën të ndjehem keq fakti që edhe pse jam një viktimë e mendësisë mesjetare, edhe pse jam një grua që si dhjetra gra të tjera luftojnë të mbijetojnë me nder e me dinjitet në shoqërinë pseudomoderne shqiptare, edhe pse përpiqem që fëmijët e mi t’i rrit me ndjenjën e ndershmërisë, drejtësisë, dhe virtytit, është pikërisht sistemi ku unë kam ëndërruar gjithmoë të bëj pjesë që më riviktimizon cdo ditë. Fakti që asgjë nuk ka ndryshuar që nga data 19 korrik 2015 më bën të mendoj që jeta ime dhe e fëmijëve të mi nuk është aspak e sigurtë.
Ky fakt nuk më lë të vazhdoj e qetë misionin tim si nënë e si gjyqtare. Tashmë jetoj me frikën se ai do të dalë sepse mund t’i shuhet masa e sigurimit dhe mund të realizojë qëllimin e tij, të përfundojë veprimin që nisi sepse sistemi i drejtësisë po i jep një leksion “bëj çfarë të duash se nuk ka ndëshkim”. Çdo ditë i lutem Zotit që të më lërë jetën që t’i bëj fëmijët e mi qytetarë të zotë e të denjë.
Z. Ambasador, nuk do dëshiroja kurrë që t’ju humbas kohën tuaj të çmuar nese nuk do te ndjehesha e pasigurte per jeten time dhe e pa mbrojtur nga shteti im.
Ju lutem besoni se te gjithe anëtarët e ndershëm te drejtësise shqiptare ju janë mirënjohes dhe lutemi qe ju te vazhdoni perpjekjet tuaja per reformën aq të dëshiruar në drejtësi. Gjyqi i zhvilluar në të cilin unë as nuk jam përfillur madje u kam sjellë bezdi sepse u kam vështirësuar marrjen e parave të korrupsionit, tregon qartë nevojën për pastrimin e sistemit. Kurrë nuk mund ta besoja se gjyqtarët dhe prokurorët janë kaq të padrejtë dhe kaq të paskrupullt saqë të mbyllin sytë edhe para një rasti kaq flagrant kur viktimë madje në mënyrë të përsëritur është një kolege, gjyqtare e Republikës, por me një ndryshim të madh nga ata, e ndershme dhe e papërlyer në aferat korruptive.
Ju drejtohem Ju i Nderuar Zoti Ambasador sepse nuk kam më se kujt t’i drejtohem. Ju siguroj që shqetësimin tim e kam ndarë me krerët më të lartë të sistemit të drejtësisë, sigurisht duke u kujdesur gjithmonë që të mos influencoj në dhënien e drejtësisë, por mesa duket veshët janë të shurdhër.
Për të ndarë këtë shqetësim timin do Ju isha mirënjohëse nëse do më kushtonit disa minuta nga koha Juaj.
Me respsekt dhe besim!
Fildeze Hafizi.
Gjyqtare Fildes Hafizi
Gjykata e Rrethit Gjyqësor Tiranë