Gjykata e Lartë në Podgoricë ka konfiskuar pronat e ish-Presidentit të Serbisë e Malit të Zi dhe të familjes së tij, deri sa të përfundojë hetimi se si i ka fituar ato.
Gjykata e Lartë në kryeqytetin malazez, Podgoricë, e ka pranuar kërkesën e prokurorit të posaçëm dhe ka bllokuar pronën e familjes së ish-presidentit jugosllav, Svetozar Marovic derisa të përfundojë hetimi mbi origjinën e pronës së ish-politikanit të lartë, i cili është dënuar për mashtrim.
E përditshmja malazeze “Vijesti” të premten tha se Gjykata kishte bllokuar gjithashtu pronën Gjorgjianas, bashkëshortes së Marovicit, të djalit të tij, Milos, si dhe të anëtarëve të tjerë të familjes së tij.
Apartamenti 90 metra katrorë i Marovicit në Budva, të cilin ai e ka shitur për 180 000 euro në mes të korrikut, është konfiskuar gjithashtu.
Vlera totale e pronës së Marovicit, e fituar gjatë viteve të fundit, ndërsa ishte i punësuar nga shteti, thuhet se është vlerësuar të jetë disa milionë euro. Ajo përfshinë pronën luksoze në Budvë dhe Boka Bay, plus kompanitë dhe një jaht.
Ish-kryetari i Parlamentit malazez dhe presidenti i fundit i shtetit jugosllav, Maroviq u deklarua fajtor për akuzat për korrupsion në gusht të vitit 2016 dhe ra dakord të bëjë katër vjet burg.
Figura “numër dy” në politikën e Malit të Zi për disa vite, pas kryeministrit veteran të vendit, Milo Gjukanovic, Marovic ishte anëtari i parë i elitës politike të vendit që dënohej me burg për korrupsion.
Megjithatë, ai tani është i lirë dhe ka një urdhër për arrestim nga Interpoli të lëshuar nga autoritetet malazeze.
Sipas avokatëve të tij, Marovic ka qenë në Beograd, Serbi, që prej datës 7 prill, duke iu nënshtruar trajtimit shëndetësor, ndonëse ai duhej të fillonte në maj burgun në Malin e Zi.
Ministri i Brendshëm serb, Nebojsha Stefanovic tha në qershor se policia serbe do të vepronte “sipas ligjit” në çështjen Marovic, pas kontrollimit të statusit të Interpolit dhe përcaktimit të vendndodhjes së tij të saktë.
Ministri malazez i Drejtësisë, Zoran Pazin më pas tha se arrestimi varet nga policia serbe dhe se Podgorica do të paraqiste një kërkesë për ekstradimin e tij pasi ai të ishte ndaluar./kallxo.com