Home KRYESORE “Masakra” idiote për rënkimet e tenorit Agim Hushi! Nga Prof. Asoc. Enver...

“Masakra” idiote për rënkimet e tenorit Agim Hushi! Nga Prof. Asoc. Enver Bytyçi

Diktaturat edhe në grahmat e fundit të tyre adresohen te nacionalizmi. Kur Ismail Kadare u arratis nga Shqipëria më 25 tetor 1990, pikërisht ditën që këtu në Tiranë u mblodhën ministrat e Jashtëm të Ballkanit për të promovuar teorinë serbo-greke “Ballkani ballkanasve”. Aso kohe diktatura i pati ditët e numëruara e megjithatë e gjithë propaganda e kohës, të gjithë opinionistët e ideologjizuar, media qeveritare e zyrtare, televizioni e gjithçka tjetër, morën urdhërin që në emër të nacionalizmit të masakrohej shkrimtari Kadare.

Tani, pas 27 viteve, “u riarratis” një artist, një tenor i përmasave ndërkombëtare, një shqiptar që për 20 vite jetoi në Australinë e largët dhe u kthye në Shqipëri, sepse besoi te atdheu i vet. E kemi parë të gjithë si u përball Agim Hushi me realitetin e trishtë të këtij vendi. I zhgënjyer e në dëshprim ai e qortoi në formën e tij atdheun e vet, pjesën që atij i takon! Sepse të gjithë ne i takojmë atdheut dhe të gjithëve ne na takon një pjesë e tij, pastaj brezave që vijnë e kështu me radhë! Por me tapi nuk e ka askush. Megjithatë reagimi erdhi përsëri në mënyrë biblike dhe u shndërruar në një patetizëm të pazakonshëm, duke e “masakruar” artistin e madh.

Masakronjësit janë zhgarravinaxhinjtë e të njëjtës garniturë, shumiva janë mercenarë të shtetit që është përgjegjës për gjendjen depresive të shqiptarëve.

E masakruan Agim Hushin, artistin dhe tenorin e fammshëm shqiptar, me gjithë llojet e fjalorit të ndyrë! E shanë, I thanë M…, e paragjykuan, e akuzuan, e fyen, si të ishte djalli që prishi botën! Çfarë nuk i thanë! Nxorën nga fjalori i kohës së diktaturës gjithë arsenalin e akuzave kundër “armikut” dhe e bënë “delen e zezë” të kombit shqiptar! Karrierist, i thanë. Erdhe të bëheshe drejtor këtu në Shqipëri! Nënteksti: “Si nuk të vjen turp të kërkosh të bëhesh drejtor!”. Identik si në gjykimet e kohës së diktaturës, kur karriera quhej shfaqje mikroborgjeze, kur merita duhej strukur në “vrullin revolucionar të masave”, kur ideja konsiderohej

“intelektualizëm mikroborgjez”! E njëjta histori, e njëjta mendësi, e njëjta metodë, i njëjti skenar! I thanë karrierist ata që kanë bërë karrierë jashtë profesionit të tyre, ndërkohë që tenori i famshëm donte të bënte diçka për këtë vend në rolin e një drejtuesi në profesionin e tij!

I thanë tradhëtar! Pse? Se “na tradhëtove udhëheqësin e madh”! Tradhëtove, sepse “i vure një njollë atdheut”! Tradhëtove se “nuk u pajtove me një Shqipëri të kriminalizuar e kanabizuar si kurrë ndonjëherë në historinë e saj”! Tradhëtove se “kritikove qeverinë tonë të suksesshme dhe demokratike”! Tradhëtove se “denoncove të keqen”! Tradhëtove se “shkove në Çadrën e Lirisë”! Dhe pse shkove? I thanë se “shkove për karrierë”! Më skuqet faqja kur i ripërsëris këto lloj akuzazh bolshevike! Pra, e vunë në bankën e akuzës publike për një vepër, të cilën Agim Hushi nuk e ka kryer! Se tradhëti është ta kriminalizosh atdheun e kombin e jo të kritikosh e mospajtohesh me këtë akt të skenarizuar e ideuar nga vetë qeveria e vendit tënd!

Po militantët që shfaqen si nacionalistë dhe e përdorin nacionalizmin për të mbrojtur dikush interesat e tij personale, dikush injorancën e vet, dikush tjetër lidhjet politike me liderët tanë të dhënë pas drogës, të tjerë idologjinë me të cilën mbrohen për çdo gjë! Këtë indoktrinim absolut e kemi provuar në diktaturë, por se ka ende të ashtuquajtur intelektualë, gazetarë, akademikë që marrin rolin e prokurorëve dhe kësisoj fyejnë ajkën e kombit, këtë nuk do ta besoja sot pas 27 viteve pluralizëm në një shoqëri të hapur pa demokraci!

E përçudnuan gjithashtu në stilin se “nga t’ia nis”, “si të të thërras” e të tjera si këto lloj shkrimesh bajate, të cilat të bëjnë të vjellësh, sepse u përkasin modelit të hartimeve të klasës së gjashtë për nga stilistika, metafora dhe përdorimi i fjalëvë cilësuese e krahasuese! Dhe kush? Dallkaukët, militantët, të paguarit, injorantët e vunë në gijotinë dijen, artin, atë që i jep famë Shqipërisë në të gjithë globin! U duk se mezi prisnin që njeriu i madh të rrëshqiste në pistën ku ata donin!

A është kjo rastësi?! Jo! Eshtë ves i joni që të mos e durojmë hijen e tjetrit! Eshtë vesi jonë i keq që të mprehim thikat kundër njëri-tjetrit, edhe atëherë kur ky tjetri shkruan ose thotë të vërteta të hidhura! Eshtë në modën tonë të dëshmojmë primitivizëm kulturor, duke mos pranuar dikë tjetër më të mirë se veten! Ne jemi gati të shqyhemi mes veti e t’i përulemi deri të shputa e këmbës një të huaji! Po kështu përulemi para të fortit, por jo para talentit! Aq e vërtetë është kjo, sa nuk mbeti mëdyshje për të menduar ndryshe në rastin e “arratisjes” së tenorit Agim Hushi!

Kush ka emigruar duhet ta dijë se çdo të thotë të ikësh nga atdheu. Një fat të tillë të keq e kam pasur dhe unë me familjen time! Me javë nuk na u thanë lotët e hidhërimit, por ama asnjë mëdyshje nuk kishim se mund të kishim gabuar! Ata që i përvishen pushtetit të të fortëve ne qeverisje e jo në qeverisje, ata që e ngrejnë jetën përmes pisllëqeve dhe favorëve, deri te korrupsioni dhe mënyra të tjera të paligjshme, ata nuk e njohin dhimbjen e emigrimit, mund të thuhet gjithashtu se ata nuk kanë atdhe! Agim Hushi ka atdhe. Jam I bindur se e do atdheun më shumë se sharësit e tij! Ndryshë nuk do të linte skenën më të madhe të koncerteve në botë e të vinte në këtë vend që të ofron vetëm dëshprim!

Dhe atdheu nuk është nocion abstrakt. Janë njerëzit që banojnë në një territor të caktuar, të cilët I japin jetë atdheut. Këta njërëz i pamë edhe në rastin e reagimeve ndaj tenorit, se sa xhahilë janë! Atdheu nuk është vetëm histori. Atdheu identifikohet nga pikëpamja e së drejtës ndërkombëtare me shtetin. Pa shtet nuk ka atdhe, nuk ka komb! Shteti i atdheut tonë vetëm e ka rjep kombin e vet, e ka rrënuar, e ka sakatuar, na ka lënë në çdo kohë më të dobëtit dhe më të përbuzurit e rajonit e të kontinentit europian! Dhe jemi të tillë, sepse ne i ndëshkojmë dhe masakrojmë ata që japin kontribute të vërteta e të sinqerta për atdheun! Kështu bëmë me Agim Hushin.

Ne kënaqemi nëse qeveritë tona lavdërohen në gazetat e botës, por jo se bënë diçka të mirë për këtë vend e për këtë komb! Këta jemi ne. Prandaj krijojmë diferencën me talentet që na bëjnë nder e na japin emër në botë! Prandaj e masakrojmë një artist të talentuar, si Agim Hushi!

Po çfarë bëri tenori I famshëm Agim Hushi? Thjesht la Australinë, erdhi në Shqipëri, u përball me të keqen dhe iku nga kishte ardhur, duke lëshuar një klithmë dëshprimi për atdheun e tij! Ajo klithmë e Agim Hushit është kambanë alarmi, nuk është fyerje. Ndërsa masakra kundër tij është rezistencë gjithashtu e dëshpruar e forcave të errëta, të cilat mbështesin mbajtjen peng nga oligarkët të atdheut tonë, të kombit tonë!

Ikja e Agim Hushit është dhe mbetet mesazh, njësoj si ikja e Kadaresë para 27 viteve! Rënkimi i tij është i ngjajshëm me rënkimin e Fishtës dhe Konicës! Vetëm njerëzit e mëdhenj marrin përgjegjësinë ta paralajmërojnë e ta vajtojnë greminën drejt së cilës shkon një komb! Ta qortosh atdheun nuk është thjesht lehtësim i shpirtit! Më shumë se kaq është dhimbje ekstreme në shpirt! Nuk mmund ta bëjnë këtë të indoktrinuarit në fe, në histori, në atdhe, në parti e ideologji! Këtë e bëjnë njerëzit e lirë, njerëzit e përgjegjshëm, ata njerëz që ndjejnë tërmetet kur i afrohen atdheut dhe kombit! Artistët, shkrimtarët, krijuesit e mëdhenj kanë misione dhe prandaj u duhet që të japin mesazhe. Madje edhe kur shumica nuk i pranon, i qorton, i fyen dhe i masakron!

Gjendjen në të cilën jemi nuk na e sjellin kritikat, edhe nëse ato i adresohen kombit e atdheut, na e sjellin kriminelët, tahmaqarët hajdutë e të korruptuar në pushtet, oligarkët që shesin shtëpi e kandi, atdhe e fe për para e pasuri!
E di se shumë njerëzve kjo ese nuk do t’u pëlqejë! Do jem shumë I lumtur për këtë, sepse do të thotë se kam arrit të jem vetëvetja, të ndjehem I lirë në mendimet e mia!

Share: