Home KRYESORE Pas milionave “të hedhura”…edhe Europa ka të drejtë!

Pas milionave “të hedhura”…edhe Europa ka të drejtë!

Nga Nevila Xhindi

Ëndrra “Europë” prej kohësh përpëlitet të na japë një mësim, për njëmijë e një arsye që po e zhbëjnë përditë ëndrrën dhe punën e shqiptarëve drejt Europës dhe Europës për shqiptarët!

E ndjeva të përmend njërën prej tyre… financimin europian!

Taksapaguesit europianë, të revoltuar nga pasiguria e jetës, prodhuar nga krimi i organizuar i drejtuar nga shqiptarët, u kërkojnë shpesh llogari qeverive të tyre për Shqipërinë “që prodhuan” paratë e tyre europiane në 27 vite!

Ku shkuan? Si u ndanë? Kush dhe sa përfitoi? Përse shqiptarët janë ende problem?

Në raportet zyrtare të BEs thuhet se nga mbështetja financiare për një Shqipëri drejt Europës, përfituan institucionet shqiptare dhe shoqëria shqiptare, progres i ngadaltë dhe Shqipëria është ende në tranzicion e me demokraci të brishtë: ka korrupsion, renditet si Kolumbia europiane për hashash, ka krim të organizuar…

Qindra miliona euro të injektuara në 27 vite në shoqërinë shqiptare, si grante, si asistencë teknike dhe si kredi të buta. Qindra e mijëra shqiptarë të trainuar, miliona euro projekte për rritjen e kapaciteteve dhe cilësinë e burimeve njerëzore, për cilësinë e institucioneve, projekte ndërgjegjësimi, kualifikimi për stafet e administratës publike, stafet e universiteteve si qendra edukimi të së ardhmes, stafe doganash, policia e shtetit. Miliona euro për zhvillim rajonal, infranstrukturë, ekonomi, bujqësi…
Por europianet përjetojnë realitet tjetër nga shqiptarët: krim- drogë- prostitucion!
Shtohen emigrantët, shtohen kërkesat për azil, shtohen kërkesat për bashkim familjar, aplikimet për punë…ikin studentët, ikin të rinjtë e papunë, ikin familje shqiptare…ikin të ditur, të paditur, me profesion e pa profesion. Rrugëve të Europës…ikin!

E ndërsa Europianët kërkojnë llogari për milionat europiane të “hedhura” në Shqipërinë që duhej të ishte “bërë” tashmë dhe u bëjnë presion qeverive të tyre, e kështu presion ne Shqiptarëve se do na i heqin vizat, ne Shqiptarët në vend që të kërkojmë llogari qeverisë sonë që nuk ndalon dot krimin, korrupsionin, drogën e që i shtyn njerezit e papunë drejt Europës, ne e përjetojmë si padrejtësi heqjen e vizave. Po, po, sepse për shumë prej nesh Europë do të thotë të jemi të lirë të lëvizim drejt saj, pa u ndjerë përgjegjës për asgjë!

A dimë ne shqiptarët ti kërkojmë llogari qeverisë sonë për milionat europiane të eurove, dedikuar për ta bërë Shqipërinë…ti bëjmë presion qeverisë sonë për të luftuar korrupsionin, krimin e drogën? apo dijmë veç të hedhim në kuti votën e shitur për pesë lek?

Europa e ka zgjidhur! Dhe në emër të taksapaguesve të saj i bën “presion” një qeverie të papërgjegjshme si e jona, që mendjen e ka tek timoni e tepsia, që është kthyer në fole të ngrohtë për krimin e organizuar, që flet e flet, i fton të rinjtë kuvendeve me platforma mavi dhe nuk bën asnjë përpjekje për të ardhmen e punësimin e tyre.

Ky presion nuk e lë pa vëmendje edhe opozitën Shqiptare që të reagojë, që të jetë e fortë, të jap e të jetë shpresë, besim dhe tu ofrojë shqiptarëve alternativa për jetën europiane!

Europa ka zgjedhur të mos heshtë, të na bëjë “presion” ne shqiptarëve, për më shumë përgjegjshmëri dhe kërkesë llogarie ndaj qeverisë.

Fundja të drejtë ka, pas milionave “të hedhura” që ne shqiptarët të ishim e mira e vetes dhe e të tjerëve!

Share: