Home KRYESORE Qeveria “Rama 2” me 10-12 ministri, emrat e rinj dhe ata që...

Qeveria “Rama 2” me 10-12 ministri, emrat e rinj dhe ata që mund të konfirmohen

Kryeministri Rama ka tashmë në tryezën e tij projektin e qeverisë së re me 10-12 ministri për të cilën po konsultohet me stafin më të ngushtë të tij.

Burime pranë qeverisë, pohojnë se pasi janë konsultuar disa variante, për një kabinet më të vogël në numër portofolash ministrash, por më efikas në kontrollin e sektorëve, tashmë është arritur në variantin e fundit të strukturës së qeverisë. Deri në fund të javës, pritet që Kryeministri të marrë një vendim për numrin final të ministrive që do të ketë qeveria e re e tij.

Çdo gjë pritet të bëhet publike në fillim të shtatorit, ku pritet të mësohen dhe emrat e ministrave që do të ulen në ministritë e reja me përgjegjësi më të mëdha se më parë. Ajo që është paralajmëruar nga Kryeministri Rama që në korrik, është se do të ketë bashkime të disa ministrive, ndoshta për t’u rikthyer në modelin e kabinetit Berisha 2.

Top Channel raportoi dje se do të bashkohet Bujqësia me Mjedisin, Turizmi me Kulturën dhe Sportin, Ekonomia me Energjinë dhe Zhvillimi Urban me Pushtetin Vendor.

Po ashtu, diskutohet për një ministri të re të Thesarit, si dhe një tjetër të Gruas dhe Rinisë. Struktura qeverisëse që e majta gjeti në 2013 përfshinte Ministrin për Ekonominë, Tregtinë dhe Energjetikën, Ministrin për Turizmin, Kulturën dhe Sportet, Ministrin e Punëve Publike, Transportit dhe Telekomunikacionit, por dhe Ministrin e Mjedisit, Pyjeve dhe Administrimit të Ujërave. Mësohet gjithashtu se zv.kryeministri do të mbulojë funksionet e një prej ministrive të rëndësishme.

Ditët e fundit në media kanë qarkulluar emra të shumtë ministrash të vjetër dhe të rinj, por bashkëpunë- torë të afërt të Kryeministrit ngrenë supet kur i pyet për emrat konkretë, duke u përgjigjur thatë: “nuk dimë asgjë, është kompetencë ekskluzive e kryeministrit”.

ASAMBLEJA

Të dielën, Partia Socialiste do të mbledhë asamblenë e saj, të parën pas zgjedhjeve të 25 qershorit, ku arriti të fitojë 74 mandate deputetësh. Në takimin e parë me deputetët e zgjedhur më 3 korrik, Kryeministri Rama u ndau të gjithëve detyra konkrete në grupe pune për muajin korrik dhe gusht.

Të dielën grupet e punës do të raportojnë gjetjet e tyre. Në axhendën e mbledhjes së Asamblesë Kombëtare të hartuar nga sekretari i përgjithshëm Gramoz Ruci, parashikohet që në nisje të saj të lexohet raporti i grupit të punës për veprimtarinë parlamentare, më pas raporti i dëgjesave publike për çdo qark, raporti për ristrukturimin e institucioneve si dhe ai për lehtësimin e procedurave burokratike në shërbimet që ofron administrata.

Më pas mbledhja do të vijojë me analizën e rezultatit zgjedhor për Partinë Socialiste të 25 qershorit dhe miratimin i projektvendimit për zgjedhjet në parti. Kryesocialisti Rama është parashikuar të flasë në fund të mbledhjes për të bërë bilancin politik të zgjedhjeve dhe me pas të shpalosë sfidat për mandatin e ri qeverisë, shkruan Panorama

Share: