Mbështetja e Shteteve të Bashkuara të Amerikës kundrejt pjesëtarëve të opozitës iraniane, jo vetëm nuk zbehet, por tashmë, veç kundërshtimeve ndaj regjimit të Ajatollahut, Kongresi amerikan kërkon dhe dëmshpërblim nga qeveria e Irakut për pronat që u janë marrë 2.700 pjesëtarëve të MEK, në mënyrë që ata të mbulojnë shpenzimet e jetesës së tyre në Shqipëri.
Në një rezolutë, depozituar në Kongresin amerikan, 5 kongresmenë kërkojnë që t’i bëhet thirrje qeverisë së Irakut, që të kompensojë ish-rezidentët e “kampit Ashraf” dhe “kampit të Lirisë”, pasi pronat e tyre u janë kaluar grupeve dhe individëve pranë qeverisë.
Në rezolutë thuhet se, edhe pse mes qeverisë amerikane, asaj të Irakut dhe misionit të Kombeve të Bashkuara në Irak është rënë dakord, që pas largimit të këtyre personave nga dy kampet, pronat e tyre të ruheshin dhe të shiteshin nga pronarët e tyre, pra nga pjesëtarët e MEK, qeveria irakiane ua ka shitur apo dhënë ato personave pranë saj.
Bëhet fjalë për prona që kapin shifrat e 600 milionë dollarëve, duke nisur që nga automjete, sende personale, banesa, e çdo pasuri tjetër që është ndërtuar prej tyre gjatë kohës së qëndrimit në kampin Ashraf dhe atë të Lirisë.
Shumë kjo, që do të duhej të ishte përfituar nga pjesëtarët e opozitës iraniane, të cilët jetojnë në Shqipëri, në mënyrë që ata të mbulonin shpenzimet e jetesës së tyre në vendin tonë. Thënë më ndryshe, 600 milionë dollarë të cilat do të hynin në ekonominë shqiptare.
Tashmë mbetet për t’u parë reagimi i qeverisë së Irakut dhe sa e gatshme do të jetë ajo që të kompensojë anëtarët e rezistencës iraniane./ Top Channel