Muaji shtator do të sjellë ndryshime mjaft të rëndësishme në kupolën drejtuese të Partisë Demokratike. Kryetari i rizgjedhur Lulzim Basha do të ndërmarrë një spastrim të partisë nga kundërshtarët, duke emëruar në vendet kyçe të lidershipit të PD-së njerëzit e tij të besuar. Mësohet se një rol mjaft të rëndësishëm pritet t’I besohet ish-rivalit të Bashës për kreun e partisë Eduard Selami. Kandidatit për kryetar mund t’I besohet një nga postet më të rëndësishëm në parti pas Bashës, ai i nënkryetarit ose i sekretarit të përgjithshëm.
Nga të parët që priten të largohen është Arben Ristani, sekretari i përgjithshëm. Ristani pritet të largohet ndoshta edhe me vullnet të lirë nga posti numër 2 i PD-së. Ai ka shfaqur rezerva kundrejt lidereshipit të Bashës që në momentin ku u la i katërti në listën për deputetë në qarkun e Vlorës.
Një tjetër bashkëpunët i ngushtë i Bashës në 4 vitet e fundit Enno Bozdo rrezikon të humbasë beneficet e tij duke u larguar nga njëri prej posteve më të rëndësishme, atë të sekretarit organizativ në PD. Të tjerë emra që mund të largohen nga postet qendrore të PD pritet të jenë edhe drejtuesit e departamente që dolën hapur kundër Bashës, ndër emra që veçohen: Zana Guxholli, Endira Bushati, Arben Skënderi, sekretarja për çështjet e rinisë Valbona Mezini.
Fshesa e largimeve në postet drejtues organizative dhe strukturore të PD pritet të përfshijë edhe emra të njohur që publikisht kanë kritikuar lidershipin demokrat si: Julian Deda, Kreshnik Çollaku, Fabian Topollaj.
Pritet të marrë një post të rëndësishëm Eduart Selami, i cili me ristrukturimin e kupolës qendrore mund të jetë numri 2 i PD-së. Selami mund të emërohet nënkryetar ose sekretar i përgjithshëm i partisë.
Deputetja Dhurata Çupi pritet që të promovet ndjeshëm nga Basha. Çupi mund të vihet nga PD-ja si nënkryetare e Kuvendit një post që i takon opozitës. Grupin parlamentar të PD-së në Kuvend mund ta kryesojë Enkelejd Alibeaj ndërsa sekretar i këtij grupi mund të jetë ish-kryetari Eduart Paloka. Zëdhënëse e grupit parlamentar të PD-së mund të bëhet Grida Duma. Ndërsa Edmond Spaho mund të jetë nënkryetar grupit parlamentar, por me shumë gjasa nuk do të mbajë më funksionin e nënkryetarit të Partisë./lapsi.al