Nga Enver Bytyçi
Presidenti i Serbisë, Aleksandër Vuçiç, sapo bëri betimin për kreun e shtetit serb, shpalli në një gazetë të Beogradit se do të nisë një diskutim brenda vendit të tij për Kosovën. Këtë lajm e morën dhe e përhapën mediat dhe gazetat europiane, përfshirë dhe atë gjermane, duke theksuar se “tashmë Serbia do të hapë një kapitull të ri në marrëdhëniet e saj me fqinjët, sidomos me shqiptarët”!
E përshëndetën deklaratën e presidentit të Serbisë mediat proqeveritare në Shqipëri si dhe vetë kryeministri i vendit, zoti Rama! Ky I fundit dha para dy ditësh një intervistë në gazetën beogradase “Blic” dhe shprehu keqardhjen që “Vuçiç gjendet në një pozitë të vështirë” për shkak të kësaj iniciative. Duke “e vendosur veten në këpucët e Aleksandrit”, Rama u shpreh se “E ndjej dhembjen dhe vendosmërinë e Vuçiqit për ta zgjidhur problemin e Kosovës”, duke shtuar gjithashtu një superlativë lavdëruese për presidentin serb “Iniciativa e Aleksandar Vuçiq për ta nisur dialogun e brendshëm serb për Kosovën është një akt i lidershipit me të cilin ai e shpalosi një vizion kurajoz për të ardhmen e Kosovës dhe Serbisë”.
(http://zeri.info/aktuale/157085/rama-per-gazeten-beogradase-blic-e-ndjej-dhembjen-dhe-vendosmerine-e-vuciqit-per-ta-zgjidhur-problemin-e-kosoves/)
Në Kosovë vetëm ministry I Jashtëm Hoxhaj ka reaguar ndaj disa deklaratave të homologut të tij serb, Ivica Daçiç, por ende nuk ka një deklaratë serioze, e cila të shprehë qëndrimin e institucioneve të prishtinës për iniciativën e presidentit të Serbisë. Ndërkohë shtypi e media e Kosovës po e kalon në heshtje këtë nismë të Beogradit, vetëm sa transmeton lajmet dhe deklarimet reciproke. Në Shqipëri askush, përveç ndonjë diplomati jo në detyrë, si Shaban Murati, nuk ka bërë ndonjë përpjekje për t’iu qasur analizës për “iniciativën Vuçiç”.
Zoti Murati para pak ditësh tërhoqi vëmendjen në faktin që politika shqiptare, diplomacia, mediat dhe opinion publik shqiptar nuk kanë pse entusizmohen nga një nismë e tillë.
E vërteta është se ne e kemi entusiazmin ashtu dhe dëshprimin si drogën! Menjëherë zgjohemi dhe qeshim, sapo dikush që ka një histori tragjike në marrëdhëniet me ne na ofron diçka dhe po aq lehtë dëshprohemi e hidhërohemi, sa herë dikush i tillë na provokon! I gëzohemi madje më shumë ndonjë iniciative në dukje pro nesh të kundërshtarëve dhe armiqve të kombit tonë dhe jo aq aksioneve politike të miqve tanë! Entusiazmi ynë është shpesh herë i pakufi, kur ata që në i quajmë armiq të shqiptarëve hedhin ndonjë dorashkë, që duket si e favorshme për ne.
Nga mesi i viteve 2000 presidenti rus Putin i thoshte presidentit tonë shqiptar se “Ne nuk kemi gjë me shqiptarët”! Nënteksti: -“Ne nuk jemi armiq”! Dhe presidenti ynë ishtë shumë entuziast e i ngazëllyer nga kjo deklaratë e kreut të Kremlinit! Një entusiazem foshnjarak, sepse një president dhe lider duhet të ketë kapacitetet e formimit politik të atij niveli që realitetin ta përceptojë me shqisat e liderit!
Nga naiviteti apo miqësia e ngushtë me presidentin Vuçiç, zoti Rama u përfshi gjithashtu në një eufori që I kapërcen kufijtë e Serbisë, duke bërë thirrje që dialogu serb për Kosovën të shtrihet edhe në Kosovë e në Shqipëri, sigurisht në inversin e tij, si “dialog shqiptar për marrëdhëniet me Serbinë”!
“Ajo që është e domosdoshme në këtë fazë është vërtet ajo që presidenti juaj e ka nisur si dialog të brendshëm, i cili, meqë ra fjala, nuk do të ishte i parëndësishëm të ndodhte edhe në Kosovë e edhe në Shqipëri”, shprehet kryeministri ynë për “Blic-in: e Beogradit.
(http://zeri.info/aktuale/157085/rama-per-gazeten-beogradase-blic-e-ndjej-dhembjen-dhe-vendosmerine-e-vuciqit-per-ta-zgjidhur-problemin-e-kosoves/)
Ne nuk kemi dhe nuk e dijmë saktësisht se çfarë fshihet në Hintergrund të iniciativës “Vuçiç”, por planin e presidenti të Serbisë po e shpalos çdo ditë ministri i tij i Jashtëm, Ivica Daçiç. Ai e nisi shpalimin e planit serb për Kosovën, duke thënë se “Përpiqem të propozoj një zgjidhje afatgjatë, sepse ajo bazohet në të drejtën historike e etnike që vetëkupton caktimin e kufijve të asaj që është serbe dhe të asaj që është shqiptare”.
(http://zeri.info/aktuale/157188/daciq-ne-rajonet-ku-ka-serbe-kosova-mund-te-jete-e-pavarur-vetem-me-tanke/
Madje ministri i Jashtëm i Beogradit kërcënon se nëse nuk ndodh kjo, ndarja e Kosovës, atëherë hyjnë në veprim tanket.
Sipas zotit Daçiç, duhet të përcaktohen kufij të ri për Kosovën dhe Serbinë, shkurt duhet që një pjesë e territorit të Kosovës të kalojë nën sovranitetin e Serbisë. Veriu i Mitrovicës është pikëshënjestra e kryediplomatit të Serbisë. Kjo për dy arësye, njëra “demografike”, sepse në këtë pjesë të Kosovës shumica e banorëve janë të etnisë serbe dhe tjetra gjeopolitike, sepse “Fuqitë Perendimore synojnë që nëpërmjet veriut të Mitrovicës të krijojnë një lidhje territoriale të Kosovës me Sanxhakun dhe Bosnjën”, me qëllim izolimin e Serbisë nga Mali i Zi dhe pjesa perendimore e Ballkanit, shkruan Daçiç.
Për gazetën gjermane Frankfurter Allgemeine Zeitung, ai shprehet se “Një lidhje e ‘Kosovës së islamizuar’ me Sanxhakun, do të ishte një dështim më i madh për popullin serb, më i madh se të gjitha dështimet e popullit serb në shekullin e 20-të.”
Gazeta gjermane u jep hapësirë deklaratave të Daçiqit për “Shqipërinë e Madhe”
Ndërsa sot shefi i diplomacisë së Beogradit ishte në Këshillin e Sigurimit dhe ka hedh dy “argumente” të tjerë në përpjekje për ta sensibilizuar bashkësinë ndërkombëtare për ta mbështetur opcionin e tij të ndarjes së Kosovës. Në replikë më ambasadoren Vlora Çitaku, Daçiç thoshte sot se “në Kosovë nuk ka kosovarë, por ka shqiptarë” dhe se “kryeqyteti i parë i Serbisë ka qenë Prizreni”! Dy teza këto në ndihmë të argumentit historik dhe aktual, me qëllim që t’i thuhet botës se “Kosova duhet të ndahet”!
Nëse analizojmë gjithashtu interesat politike, gjeopolitike, ekonomike, financiare të Serbisë, atëherë nuk është vështirë ta zgjidhim ekuacionin “e panjohur” se cili është projekti i diskutimit të brendshëm serb për Kosovën. Këto na i zbulon zoti Daçiç dhe synimi është e mbetet ndarja e territorit. Eshtë e njëjta strategji si ajo e dy shekujve të fundit, me objektiv krijimin e Serbisë së Madhe.
Kjo strategji ka lënë pasoja tragjike në Kosovë, masakra masive, djegje e shkatërrime, përdhunime, burgosje, vrasje, pushkatime, për të cilat as është bërë as nuk do të bëhet ndonjë dialog i brendshëm në Serbi. Dialogu do jetë përsëri nga pozitat e shovinizmit serbo-madh! Në tavolinën e diskutimit të brendshëm do të jenë territoret e shqiptarëve në Kosovë!
Se do të këtë në Beograd e në Serbi një dialog të tillë na e dha sinjalin vetë kryetari i Bashkisë së Beogradit kur para katër ditësh i dha një bulevardi emrin provokativ “Heronjtë e Koshares”! Nuk ka nevojë të jesh kryeministër a president që ta lexosh mesazhin e kësaj sjelljeje diversioniste të Beogradit ndaj shqiptarëve.
Ndërkaq qeveria serbe nuk hezitoi të dërgojë zjarrfikësit e saj “për shuarjen e zjarreve në Shqipëri”. Veçse të gjitha veprimet e saj në vijim të deklaratës së Vuçiç dëshmuan se angazhimi në terren për shuarjen e zjarreve në Shqipëri ishte dhe mbetet në sytë e opinionit publik si perde për të mos parë ndezjen e zjarrit për Kosovën në Beograd. Ndarja e Kosovës nuk është diskutim i brendshëm për Kosovën, por është projekt i një luftë të re midis shqiptarëve dhe serbëve.
Me këtë projekt Serbia në vend të diskutojë me vetëveten, kërkon kompromis me palën shqiptare në stilin e Koshtunicës dhe të Tadiç se “Nuk mundet që njëra palë t’i marrë të gjitha dhe tjetra të mumbasë gjithçka”! Me dialog dhe “me kompromis” Beogradi kërkon zgjerimin e territorit të Serbisë, duke realizuar në paqe, atë që humbi në luftë!
Nëse shqiptarët dhe institucionet e Kosovës pajtohen me këtë, atëherë do të jetë rasti i parë në histori kur në nënshkruajmë kapitullimin, sepse për çdo vend dhe shtet në botë territory është i shenjtë!
Që të mos ndodh kjo, institucionet e Prishtinës duhet të pozicionohen dhe t’i thonë jo Beogradit si dhe tolerancës së kryeministrit të Shqipërisë. “Patriotët e mëdhenj” që dogjen Kosovën për demarkacionin me Malin e Zi po heshtin në rastin e projektit serb për ndarjen e territorit të vendit. Këta “patriotë” ndoshta presin çastin që pasi të bëhet fakt ndarja e Kosovës të shijojnë ndonjë “referendum” për bashkimin e Kosovës me Shqipërinë dhe atëherë të thonë “Ja, ky ishte projekti ynë! Fitore! Rroftë Edi Rama”!
Dhe mbas reziltatteve negative të një referendum të tillë të struken në atë shtetin e cunguar të Kosovës, simbilet e të cilit ende nuk I njohin e të thonë :Ne e bëmë tonën, ishte vendimi I qytetarëve JO-ja për bashkim”! Kjo JO është aq e sigurt, sa e sigurt është se kryeministri I Shqipërisë nuk e dëshiron në asnjë rrethanë bashkimin e Kosovës me Shqipërinë.
Në vitin 1998 epskpertë të partisë së tij i kishin propozuar bashkësisë ndërkombëtare shkëputjen e veriut të Shqipërisë dhe bashkimin e tij me Kosovën, me qëllim që në rastin e ndarjes së Kosovës të kompensohej ajo.
Pra të gjitha shenjat tregojnë se prapa indicativës së Vuçiç fshihen dy djajë: Njëri ka të bëjë me atë që në Europë e në SHBA të besojnë në një Serbi “tolerante”, “të gatshme për dialog e lëshime” dhe tjetri ka të bëjë me dremitjen e shqiptarëve, e kam fjalën të politikës, elitës akademike, shoqërisë civile, aktorë këta që shohin “ëndërrën e gomarit”!
Lëvizja e re politike e presidentit të Serbisë, Aleksandër Vuçiç, është lëvizja më e rrezikshme e këtyre dy dekadave të fundit. Ajo bazohet në platformën e të gjithë kryeministrave dhe presidentëve serbë të mëparshëm përfshirë Sllobodan Millosheviç, Zoran Xhinxhiç, Vojisllav Koshtunica, Boris Tadiç e Tomisllav Nikoliç. Kjo lëvizje bëhet akoma më e rrezikshme për shkak se në deklaratat e kryeministrit të Shqipërisë nuk ka një përgjigje të prerë, pa ekuivok. Ai thjesht thotë se ndarja e Kosovës nuk është racionale e nuk na çon asgjëkundi, ndërkohë që Daçiç e thotë hapurr se “Mosndarja na çon ën përdorimin e tankeve”! Një disproporcion i madh në qëndrimet e palëve.
Keqardhja e zotit Rama për zotin Vuçiç, “për vuajtjet” e tij për këtë dialog të brendshëm serb, është ose hipokrizi, ose idiotësi! Zoti Vuçiç, megjithëse pjesmarrës aktiv në luftërat e Serbisë në Boanjë e në Kosovë, së paku në rastin e Kosovës asnjëherë nuk kërkoi ndjesë. Ndërsa kryeministri shqiptar “i kërkon ndjesë” atij, pse “qenka vënë në vështirësi” për nëj diskutim, të cilin e ndërmerr për interesat e tij e nga i cili dëshiron të rikrijojë në kushte paqeje Serbinë e Madhe, duke realizuar kështu ëndërrën e Milosheviçit.
Prandaj e shoh të domozdoshme që në Kosovë dhe në Shqipëri të ketë kohezion dhe institucionet tona të reagojnë përmes të gjitha mjeteve adekuate kundër politikës dhe projektit të tillë të Beogradit. Një diskutim brenda Kosovës ose brenda Shqipërisë është jo vetëm i panevojshëm, por madje i dëmshëm, sepse do të kanalizohej në drejtim të plotësimin të interesave të Serbisë në Kosovë.
Thirrjen e zotit Rama për këtë lloj diskutimi e shoh si një prapavijë të politikës së presidentit të Serbisë, zotit Vuçiç. Shqiptarët nuk duhet të lejojnë që “keqardhjen” e zotit Rama për zotin Vuçiç, ta shndërrojnë në një aksion ndihme e solidariteti të shqiptarëve të Shqipërisë me serbët e Serbisë, kundër shqiptarëve të Kosovës!