“Shqiptari më i urryer në Amerikë”, Martin Shkreli u shpall fajtor nga një gjykatë federale në Nju Jork, për mashtrim të letrave me vlerë.
Ish-ekzekutivi i “Farmapro” përballet me deri në 20 vite burg, por i favorizuar nga disa rregullore të reja, dënimi pritet të jetë shumë më i vogël.
Vendimi u mor pas pesë ditësh diskutime mes gjyqtarëve. Sipas prokurorëve, 34-vjeçari Shkreli ka manipuluar paratë në fondet e tij të investimeve dhe në kohën kur drejtonte firmën “Retrophin”.
Ashtu sikurse kishte deklaruar Martin Shkreli më parë, avokatët mbrojtës këmbëngulën se investitorët në dy fondet e tij i kishin marrë paratë e tyre, madje kishin dalë me shumë fitim.
Jashtë gjykatës, Shkreli e quajti procesin kundër tij “një gjueti shtrigash me përmasa epike”.
Ish-ekzekutivi i firmës bioteknologjike njihet më shumë për bujën që shkaktoi rritja prej tij 5000% të çmimit të një ilaçi mjaft të kërkuar kundër të sëmurëve me Hiv-Aids, si dhe për komentet fyese që ai u bënte kritikëve në mediat sociale. /LAPSI.AL/