Nga Sadri Ramabaja
Shqiptarët, ose së paku gjysma e tyre, për gati një shekull, e kishin provuar në kurrizin e tyre ta kishin Beogradin si kryeqendër të imponuar politike. Ata tashti kanë ndarë mendjen si komb, që, ngjashëm si kombet tjerë të Evropës së lirë, me vullnetin e tyre politik, ta ndajnë sovranitetin me Brukselin, por jo sërish ta kenë pikë reference Beogradin!
Më 19 dhjetorit të vitit 2006 është nënshkruar marrëveshja e tregtisë së lirë midis vendeve të Ballkanit Perëndimor, në kuadër të CEFTA-s.
CEFTA (Central Europe Free Trade Agreement – Marrëveshja e Tregtisë së Lirë e Europës Qendrore) është një organizatë ekonomike ndërkombëtare e cila u krijua me qëllim përgatitjen e vendeve ish-komuniste të Europës Qendrore dhe asaj Juglindore, për t’u anëtarësuar në Bashkimin Europian sa më shpejt e sa më natyrshëm.
Mungesa e një agjende të qartë gjeopolitike të BE-së për Evropën Juglindore, posaçërisht për Shqipërinë dhe shqiptarët, solli në jetë politikat improvizuese, si ky i quajtur Procesi i Berlinit.
Ndërkohë procesi i Berlinit na solli në jetë “Tregun e Përbashkët të Ballkanit Perëndimor” (TPBP), në trajtën e ish-Jugosllavisë që e kishte krijuar Tito, minus Kroacia dhe Sllovenia, por plus Shqipëria dhe Kosova.
Në këtë “Jugosllavi të re” të kamufluar”, Kosova hyn me një status më specifik, meqë Beogradi, në kuadër të të ashtuquajturit dialog të brendshëm, po përgatitet që ta përvetësoj modelin e “dy Gjermanive”, duke e trajtuar kufirin mes Serbisë dhe Kosovës, tutje si kufi administrativ, por duke e shitur këtë qëndrim si kontribut të paqes dhe sigurisë në rajon. Natyrisht ky qëndrim gjoja fleksibil i Beogradit, pritet të shpërblehet nga Brukseli!.
Data zyrtare e lindjes së Zonës Ekonomike Rajonale, që duket të jetë emërtimi më i pranueshëm se sa ndonjë emërtim tjetër që do të asocionte më hapur me Jugosllavinë e re, mund të cilësohet “Samiti i Triestes” i 12 korrikut, ku u nënshkrua marrëveshja për, “Tregun e Përbashkët të Ballkanit Perëndimor” (TPBP).
Takimi joformal që u zhvillua në Durrës, ku mirëpritës ishte kryeministri shqiptar Edi Rama, e ku ishin prezent kryeministri i Kosovës në detyrë Isa Mustafa, kryeministrja e Serbisë Ana Brnabiç, kryeministri i Maqedonisë, Zoran Zaev, ai i Malit të Zi, Dushko Markoviç si dhe kryetari i Këshillit të Ministrave të Bosnje dhe Hercegovinës, Denis Zvizdiç, tok me nunin e kësaj kreature, komisionarin Johannes Hahn dhe Cyril Muller, zëvendëspresidenti i Bankës Botërore për Europën dhe Azinë Qendrore, nuk jepte shpresa se mund të ecet para me agjenda të stisura që do të kishin të bënin me plan shumëvjeçar të veprimit për Zonën Ekonomike Rajonale për të cilën u ra dakord në Samitin e Triestes.
“Kemi një plan veprimi me 115 pika në funksion të këtij transformimi që përfshin lëvizjen e mallrave, shërbimeve, kapitalit, punonjësve të kualifikuar, që do ta bëjë rajonin shumë më tërheqës se tani “potencoi jo pa pompozitet kryeministri Rama. Por, as ai e as kryeministrja serbe (nuk dua ta zë në gojë kryeministrin xhuxh ët Kosovës edhe ashtu në ikje), nuk denjuan të flisnin për agjendën politike që do ta bënte të besueshme këtë agjendë ekonomike!
Brukseli tashmë e ka të qartë se “fjalët e mira” në adresë të popujve të Evropës Juglindore nuk mjaftojnë. Fuqitë tjera, si Rusia e Turqia, madje edhe Kina, kanë shfaqur interesim në kuadër të ripozicionimeve të reja gjeopolitike. Prezenca e tyre, sidomos e Rusisë dhe Turqisë është e jashtëzakonshme, sidomos në Serbi.
Por, pavarësisht kësaj, komisionari Hahn sërish u shpreh me po të njëjtën gjuhë prej diplomati të ftohtë, si dikur Shtajnmajer në Kosovë (“Standardet, para statusit”!), tek potencoi se “BE nuk ka një kohë të përcaktuar se kur do të bëhet e mundur që Ballkani Perëndimor të arrijë standardet ekonomike dhe demokratike për të hyrë në BE. “Cilësi dhe jo shpejtësi në procesin e integrimit. BE ka investuar shumë në BP dhe rezultati do të jetë integrimi i tij në BE” tha ai në Durrës duke shpërndarë mjegull në ditë me diell lidhur me çfarëdo afati të përafërt.
Edhe më konkret ishte kolegu i tij, Wolfgang Petritsch, një diplomat austriak i karrierës, njohës i mirë i rrethanave në Ballkanin Perëndimor, tek u shpreh se “Kosovës i duhen edhe 30 vjet për arritjen e standardeve Europiane”!
Deri në takimin e ardhshëm në kuadër të procesit të Berlinit, që pritet të mbahet në Londër në verën e vitit të ardhshëm, farsa e dialogut të brendshëm që ka lansuar presidenti serb, Aleksandër Vuçiq, lidhur me Kosovën, por edhe bllokada që marionetat politike në Prishtinë po ia bëjnë faktorizimit të Kombit, do të jenë stivuar në dosje të historisë.
Në takimin e Londrës, agjenda gjithsesi do ta ketë edhe komponentën politike publike. Deri atëherë, ideologët e këtij procesi, pres ta përvetësojnë leksionin nr 2 “Vater, erinnern Sie sich an Psalm 129?” (At, kujtoje psalmin nr 129). Gjithsesi, deri atëherë, Ati do ta ketë në vëmendje të plotë porosinë e psalmit nr 129, që shprehimisht thotë: “Gehet vorwärts, suchet höher, dort werdet ihr Herrlichkeit erlangen” (“Shko përpara, kërko edhe më lartë, atje do të fitoni lavdin”).
Morali i këtij leksioni: Në fushëveprimin tuaj duhet të jeni gjithmonë mirë i informuar, përndryshe mund të ndodhë që, t’i humbisni mundësitë e mira.
Shqiptarët, ose së paku gjysma e tyre, për gati një shekull (1912-1999), e kishin provuar në kurrizin e tyre ta kishin Beogradin si kryeqendër të imponuar politike. Ata tashti kanë ndarë mendjen si Komb, që, ngjashëm si kombet tjerë të Evropës së lirë, me vullnetin e tyre politik, ta ndajnë sovranitetin me Brukselin, por jo sërish ta kenë pikë reference a lokomotivë tërheqëse Beogradin!