Home Ja Pse Shqiperia nuk behet si Zvicera Turistët polakë të zhgënjyer me Shqipërinë, ankohen për ushqimin, plehrat dhe shërbimin!

Turistët polakë të zhgënjyer me Shqipërinë, ankohen për ushqimin, plehrat dhe shërbimin!

“Pushova në Durrës. Hoteli ishte i ri dhe me hapësira të bollshme, me kondicionerë, por në anë të rrugës kryesore, zhurmat ishin të mëdha. Ushqimi ishte i pamjaftueshëm, duhet të mbaje radhë për një bërxollë dhe kishte shumë pak kamerierë. Nuk kishe mundësi zgjedhje në ushqim, pasi të gjithë kohën ishin të njëjtat gjëra, edhe proshuta ishte e njëjta. Dhomat pastroheshin dhe peshqirët ndërroheshin. Por nuk kishte asnjë gjë argëtuese për fëmijët përveç pishinës”. Këto janë përshtypjet që ka shkuar një turist polak që ka qëndruar 10 ditë në plazhin e Durrësit. Si kjo edhe përshtypjet e mëposhtme u dhanë për hotelet shqiptare që agjencia polake Itaka kishte lidhur kontratat. Itaka është një agjenci e madhe polake që këtë verë ka siguruar kontrata me 12 hotele në Shqipëri për oferta all inclusive dhe ka sjellë këtë vit në Shqipëri një numër të konsiderueshëm turistësh polakë.

– Ne pushuam gjithashtu në hotel “….” në Durrës. Java e parë ishte katastrofike, por javën e dytë disa gjëra u përmirësuan. Vaktet ishin shumë të varfra. Duket qartë se ato janë ende në fillesat e të mësuarit si të shërbejnë për turistët, por pse në kurrizin tonë. Unë mendoj se ata, para se të fillojë sezoni, duhet të marrin leksione për shërbimet bazë që duhen ofruar”, – shprehet një tjetër turist polak.

– “Unë qëndrova disa ditë në hotel ‘…’ po në Durrës. Sapo u prezantova me hotelin, gjërat në dhomë nuk ishin si shpjegimet në ofertë. Pastaj dita fillon me një trishtim të madh, pasi një vakt nuk ishte i përfshirë, teksa unë kisha blerë ofertën all inclusive. Pas kërkesave të mia këmbëngulëse për konsumin e drekës m’u ofrua një vakt i ftohtë me një copë mishi që praktikisht ishte e pangrënshme. Në ofertë ishte premtuar se pishina ishte me bar falas, por kjo në realitet nuk ofrohej. Hoteli nuk kishte ekspres kafeje. Nuk kishte ushqim të mjaftueshëm, ishte pa shije, i ftohtë dhe shumica e vakteve ishin pa mish dhe peshk. Edhe supa gjeje rrallë. Nuk më pëlqeu fakti që në pritje ishin vënë shumë flamuj europianë, ishte edhe ai i SHBA-së, por flamuri polak mungonte. Vendasit as nuk e konceptonin rëndësinë që kishin flamujt, teksa për ne ishte fyese, pasi hoteli ishte i mbushur vetëm me polakë. Avantazhi i hotelit është vendndodhja. Në afërsi të plazhit me rërë, kishte kafene dhe dyqane. Unë mendoj se organizatorët duhet të shesin këtë hotel me vetëm mëngjes, sepse versionet e tjera thjesht nuk janë të arritshme”, – shprehet një tjetër vizitor polak për Durrësin.

– “Kam qenë në hotel ‘….’ në Durrës nga data 13 deri më 20 qershor të vitit 2017 me një grup me dhjetëra polakë të tjerë. Hoteli ishte i ri, pajisje të reja dhe në afërsi të plazhit. Mëngjesi atje ishte shumë i vrazhdë sidomos për të konsumuar vaktin e parë. Fjalë për fjalë, nuk kishte asgjë për të ngrënë. Disa domate, sallatë jeshile, pak spageti, disa pjesë të mishit që nuk ishin të mjaftueshme as për 10 persona, supë e holluar me ujë dhe kështu. Pavarësisht ankesave tona edhe të nesërmen asgjë nuk kishte ndryshuar, përveçse supa bashkë me mishin u zhdukën nga menyja. Peshku gatuhej në vaj, ishte shumë i hollë dhe tej mase i skuqur. Në mëngjes arrije të merrje vetëm një briosh, pasi në të shumtën e rasteve çaji dhe lëngjet kishin mbaruar, kanat ishin të boshatisura dhe nuk mbusheshin prapë. Nuk bëhet fjalë për ëmbëlsira, akullore dhe fruta. Nuk kishte aktivitete argëtuese. Unë ju them, ju lutem braktisini ofertat all inclusive, pasi mund të ushqeheni me para ekstra, pasi ka plot dyqane perimesh në zonë dhe restorante të tjera që ofrojnë vakte të lira. Kostot e mia ishin shumë më të mëdha se oferta që më dha Itaka. Pushimet e mia u prishën”, – thotë një tjetër turist për hotelin në të cilin agjencia polake Itaka kishte lidhur kontratën.

– “Unë qëndrova në Durrës në korrik 2016 në hotel ‘…..’. Zona përreth është dramë e madhe, plot plehra dhe baltë. Ushqimi ishte i ftohtë dhe gjithmonë i njëjti, një pulë e servirur në forma të ndryshme. Restoranti nuk ka pajisje për ngrohjen e ushqimit. Për dhomën e hotelit nuk mund të ankohem. Muzika ishte gjithnjë me zë të lartë në çdo orë të ditës dhe kishim përshtypjen se ishte në dhomën tonë. Muzika ishte vendase, gjithmonë me zë të lartë, thjesht e padurueshme. Uji në det ishte i ngrohtë dhe noti ishte gjëja më e mirë atje”, është shprehur një tjetër turist polak.

– “Kam qëndruar në Shëngjin në hotel ‘….’ për shtatë ditë. Po shoh që keni bërë shumë komente negative për këtë hotel, por situata nuk është kaq e rëndë. Hoteli është i madh pasi ka pothuajse 500 dhoma, kështu që fakti se ka shumë njerëz nuk duhet të befasojë askënd. Dhomat janë shumë të mëdha, banjo gjithashtu. Nëse nuk të pëlqen pamja, lehtësisht ndryshon dhomën. Për ushqimin dhe pijet ju lutem mos lexoni komentet e gjyshërve apo biznesmenëve, të cilët kërkojnë superluks duke paguar vetëm 2500 ZL (350 euro). Ushqimi qe i shijshëm dhe jo monoton. Në ofertat e alkooleve janë vetëm vera dhe birra. Uji i detit është i ngrohtë, por shpesh të duhet të luftosh për të zënë një shezlong. Shqipëria nuk është aq e ndyrë, sa po shkruani këtu, shumë qytete në Poloni, duken më keq, në aspektin e shërbimit hotelier. Shqipëria është një vend shumë i qetë gjatë natës, kemi ecur sikur të ishim në vendin tonë, pa na shqetësuar aspak. Nuk ke mundësi për shopping, por kjo nuk është ndonjë mangësi e madhe. Unë zakonisht nuk bëj komente për hotelet, por jam shumë i habitur se ky hotel është vlerësuar në mënyrë të ulët”. Këto ishin përshtypjet e një turisti polak që pushoi vitin e kaluar në Shëngjin.

– “Kam qëndruar në Durrës. Hoteli ishte i pastër dhe peshqirët ndërroheshin. Ushqimi shumë i keq dhe ndaj nesh u krye një vjedhje”, – shprehet një tjetër turist polak.

– “Kam qëndruar në Durrës për dy javë në shtator 2016. E vlerësoj shumë pozitivisht hotelin. Njerëzit që punonin në hotel ishin dashamirës dhe pronari i tij ishte gjithë kohën pranë nesh. Ushqimi ishte i mirë dhe i ngrohtë. Mëngjesi pak i varfër dhe nuk shërbeheshin salsiçe dhe proshuta, siç ne jemi mësuar. Por vlerësimi im është me superlativa për komoditetin dhe ambientin miqësor”, – shprehet një tjetër turist nga Polonia.

– “Kam qëndruar në Durrës disa ditë. Mëngjesi ishte si një shuplakë për ne. Por kishe mundësi të konsumoje vakte të lira jashtë ofertës në restorantet përreth. Në plazh kishte shumë gjëra që të bezdisnin. Shitës frutash dhe gjërash të tjera nuk të linin asnjë minutë të qetë dhe qentë e rrugës ishin të frikshëm. Ata pushonin ngjitur me ne të qetë në diell. Kur vinte darka, lukunia e mushkonjave të bënte copë. Ishte hera e para e imje në Shqipëri dhe e kam shumë të vështirë t’ju them juve që të shkoni atje”, – shprehet një tjetër turist polak.

– “Unë kam pushuar në Durrës në shtator 2016. Për çmimin që paguajmë kushtet janë të mjaftueshme. Dhoma kishte disa probleme të vogla që vinin nga ndërtimi, si për shembull pllaka të vëna shtrembër, por në përgjithësi kushtet nuk janë keq dhe pamja është shumë e mirë, nga deti. Hoteli ka karriget e veta në plazh, rëra ishte e pastër dhe kishte një pamje të bukur nga tarraca në katin e nëntë. Ushqimi gjithashtu shumë i mirë, një përzgjedhje mjaft të madhe me ëmbëlsira dhe fruta. Pastrimi ishte i përditshëm. Në përgjithësi, shqiptarët kanë ende disa gjëra për të mësuar, por mendoj se ‘…..’ është një nga hotelet më të mira në këtë pjesë të rajonit të Durrësit. Personalisht, unë kam qenë i kënaqur”./ Monitor

Share: