Presidenti i Ukrainës, Petro Poroshenko, ka paralajmëruar se stërvitjet ushtarake të Rusisë tregojnë se Moska po përgatit forcat për luftë në Europën Lindore.
Poroshenko tha se stërvitja, e cila pritet të fillojë në Bjellorusi javën tjetër me deri në 100 000 trupa, tregon për ambiciet në rritje të Rusisë në rajon. Presidenti ukrainas, një ish-oligark që erdhi në pushtet pas protestave të vitit 2013 pas të cilave u dëbua presidenti i mbështetur nga Moska, tha se lojërat e fundit të luftës tregojnë se Rusia nuk ka ndër mend të dorëzojë Krimenë apo të tërhiqet nga rajonet separatiste.
Sipas “Ukrainska Pravda”, Poroshenko tha se “nuk ka asnjë shenjë që Rusia të jetë e gatshme të tërhiqet nga Donbassi apo të largohet nga Krimea. Në fakt ka gjithnjë e më shumë prova për përgatitjet e saj për një luftë ofensive të përmasave kontinentale”, shkruan tvklan.al.
Ai tha se nuk kishte asnjë garanci që 100 000 trupat që janë dërguar në Bjellorusi për stërvitjen ushtarake do të rikthehen në Rusi. Shtete të tjera ish-sovjetike si Gjeorgjia dhe Lituania po ashtu kanë ngritur shqetësime lidhur me stërvitjet ushtarake të Rusisë.