Home KRYESORE Arratisja e Ismail Qemalit dhe tre djemve të tij nga Turqia nëpërmjet...

Arratisja e Ismail Qemalit dhe tre djemve të tij nga Turqia nëpërmjet luftanijes angleze, “Salamander”

Nga Aurenc Bebja*, Francë – 30 Shtator 2017

Gazeta franceze, “Le Constituionnel”, ka botuar, të premten e 4 majit 1900, në ballinë, një shkrim në lidhje me arratisjen e Ismail Qemalit dhe tre djemve të tij nga Turqia.

Atdhetari shqiptar, i emëruar nga sulltani në postin e Valit në Tripoli, kishte planifikuar të udhëtonte drejt këtij destinacioni nëpërmjet anijes “Fuad”, por gjithçka ka ndodhur ndryshe.

Në vijim, do të gjeni shkrimin e plotë mbi planin e arratisjes së patriotit shqiptar, të sjellë në shqip nga Aurenc Bebja – Blogu « Dars (Klos), Mat – Albania » :

Arratisja e Ismail Qemal Beut vazhdon të jetë objekt i të gjitha komenteve.

Ndryshe nga ajo që u tha më parë, Ismail Qemali, pasi u largua nga “Yildiz Kiosk”, nuk hyri në bordin e “Fuadit”, i cili do ta çonte atë në Tripoli, nga ku do të nisej natën. Ismail Qemali, duke dalë nga “Yildiz Kiosk”, hyri fare thjeshtë në luftanijen angleze “Salamander”, me tre djemtë e tij, dhe kërkoi strehim që iu akordua menjëherë.

Ambasada angleze informoi Portën e Lartë për atë që kishte ndodhur dhe e paralajmëroi se Ismail Qemali dëshironte të strehohej jashtë vendit për të jetuar tashmë atje. Sulltani ishte shumë i habitur dhe u përgjigj se Ismail Qemali, sipas dëshirës së tij, mund të shkonte, ose në postin e tij në Tripoli, ose të largohej jashtë vendit.

Ismail Qemali dhe tre djemtë e tij u larguan sot nga “Salamanderi” për tu nisur me një avullore (anije me avull) të Kompanisë “Rubattini”, e cila do t’i çojë ata në Marsejë.

Ismail Qemali ka reputacionin e një njeriu të drejtë dhe të kthjellët : vendimi që ai ka marrë, për të braktisur vendin e tij, tregon qartësisht se ai e konsideron të pamundur jetesën e çdo individi inteligjent në Turqi.

* Çdo gazetë online apo print, çdo portal që merr këtë shkrim duhet të citojë autorin në fillim të shkrimit (Nga Aurenc Bebja, Francë) dhe burimin e informacionit në fund (Blogu © Dars (Klos), Mat – Albania), si dhe të vendosë linkun e burimit : https://www.darsiani.com/la-gazette/le-constitutionnel-1900-arratisja-e-ismail-qemalit-dhe-tre-djemve-te-tij-nga-turqia-nepermjet-luftanijes-angleze-salamander/. Në rast të kundërt mos e publiko këtë shkrim.

Share: