Kryetari i Partisë Demokratike Lulzim Basha thotë se raporti i sapopublikuar i OSBE-ODIHIR për zgjedhjet e qershorit konfirmon se në këto zgjedhje vota e qytetarëve u kërcënua, u dhunua dhe u ble. Sipas tij OSBE pohon se zgjedhjet u zhvilluan në një klimë të mungesës së thellë besimit të qytetarëve tek procesi zgjedhor dhe mbajtja e zgjedhjeve të ndërshme dhe liria. Basha citon raportin duke theksuar se ai nxjerr në pah se votimi i 25 qershorit shënoi shumë parregullsi themelore, që kanë ndikuar direkt rezultatin e zgjedhjeve.
“Në mënyrë të veçantë raporti thekson marrjen e masave urgjente për:
– Ndalimin e dukurisë së përhapur të shtiblerjes së votës
– Ndalimin e financimeve kriminale të zgjedhjeve
– Ndalimin e presionit ndaj punonjësve publike dhe përdorimin e burimeve publike në zgjedhje” -shkruan Basha.
Kreu i opozitës shkruan se të dhënat që ofron raporti tregojnë se praktikisht votimi është shtrembëruar në mënyrë të ndjeshme: mos verifikim të bojës shënuese në mbi 25% të rasteve të vëzhguara; mos vendosjen e bojës në gisht në 12% të rasteve të vëzhguara; votim në grup në rreth 11% të rasteve të vëzhguara; votim për të tjerë në 5% të rasteve të vëzhguara; hedhje firmash identike në 5% të rasteve të vëzhguara; mos respektim të rregullave për votimin e ndihmuar që shpeshherë u bë nga të njëjtët persona për shumë individë të ndryshëm që kërkuan ndihmë për të votuar; ndërhyrje nga aktivistë partiakë.
Basha shkruan se raporti thekson se votuesit u trembën dhe u kërcënuan nga grupe aktivistësh të vendosur pranë apo përreth qendrave të votimit.
“Mbi 10% e personave që kanë ndërhyrë në qendrat e votimit si vëzhgues apo përfaqësues të partive politike kanë qenë të persona të paautorizuar. Raporti e ka cilësuar votimin krejtësisht negativ në të paktën 7% të qendrave të votimit” – shkruan Basha.
“OSBE nxjerr në pah se mbulimi mediatik ka favorizuar PS-në. Jo vetëm që koha televizive ka qenë në favor të PS-së, në disa media kombëtare i është dhënë PS gati dy herë më shumë kohë se PD-së, por PS është përcjellë pothuajse gjithmonë pozitivisht ndërsa opozita është përcjellë me tone negative dhe kritike nga mediat kryesore. OSBE bën thirrje për kryerjen e një reforme të thellë elektorale, e cila do të reflektojë të gjitha rekomandimet e OSBE/ODIHR të viteve 2013, 2015 dhe 2017.
Në mënyrë të veçantë thekson thekson marrjen e masave urgjente për:
– Ndalimin e dukurisë së përhapur të shtiblerjes së votës
– Ndalimin e financimeve kriminale të zgjedhjeve
– Ndalimin e presionit ndaj punonjësve publike dhe përdorimin e burimeve publike në zgjedhje” – shkruan Basha.
Share