Administrata publike pritet t’i nënshtrohet një procesi ristrukturimi si rrjedhojë e strukturës së re të qeverisë të bërë publike në fund të muajit të kaluar. Si rrjedhojë e riorganizimit të ministrive e të drejtorive të rëndësishme, një pjesë e nëpunësve publikë do të duhet të ndryshojnë pozicionin e punës, të transferohen ose largohen, pavarësisht nëse e kanë apo jo statusin e nëpunësit civil.
Por çfarë parashikon ligji në rastet e mbylljeve apo ristrukturimit të institucioneve?
Neni 50 i ligjit për shërbimin civil parashikon procedurat që ndiqen me nëpunësit me status. Nëse për shkak të mbylljes apo ristrukturimit të institucionit, pozicioni i mëparshëm i një nëpunësi civil nuk ekziston më, ai transferohet në një pozicion tjetër të shërbimit civil të së njëjtës kategori.
Transferimi bëhet me precedencë, sipas kësaj renditjeje:
a) në të njëjtin institucion, ku nëpunësi civil është i emëruar;
b) në institucionin, me të cilin institucioni është shkrirë apo bashkuar, në një nga institucionet, në të cilat institucioni është ndarë apo në institucionin që ka marrë funksionet që kryente më parë nëpunësi;
c) në institucionet e varësisë së institucionit të ristrukturuar;
ç) në një institucion tjetër të shërbimit civil.
Në çdo rast mbylljeje apo ristrukturimi, ligji parashikon krijimin e një komisioni ristrukturimi. Komisioni shqyrton mundësitë e sistemimit të çdo nëpunësi civil në vendet e lira ekzistuese dhe propozon transferimin e nëpunësit në një pozicion të lirë, në të cilin ai plotëson kërkesat specifike. Vendimi përfundimtar i transferimit merret nga njësia përgjegjëse, në bazë të propozimit të komisionit.
Kur ndodh largimi nga puna i një punonjësi me status nëpunësi?
Referuar ligjit, përfundimi i marrëdhënieve në shërbimin civil, për shkak të ristrukturimit apo mbylljes së një institucioni, nuk lejohet, me përjashtim të rastit kur, si pasojë e këtyre procedurave, ka shkurtim të numrit të përgjithshëm të nëpunësve civilë dhe transferimi është i pamundur.
Nëpunësit që i përkasin institucionit që do të ristrukturohet apo mbyllet njoftohen 1 muaj përpara për fillimin e kësaj procedure dhe në rastin kur nuk ka ndonjë mundësi sistemimi për nëpunësin e vendimi përfundimtar është për largimin e tij atëhere ligji parashikon të drejtën e nëpunësit civil për një dëmshpërblim, në përputhje me vjetërsinë e tij në punë, sipas rasteve të mëposhtme:
a) deri në një vit eksperiencë pune si nëpunës civil, paga e 1 muaji;
b) nga 1-3 vjet eksperiencë pune si nëpunës civil, paga e 3 muajve;
c) nga 3-6 vjet eksperiencë pune si nëpunës civil, paga e 6 muajve;
ç) nga 6-9 vjet eksperiencë pune si nëpunës civil, paga e 9 muajve;
d) mbi 9 vjet eksperiencë pune si nëpunës civil, paga e 12 muajve.
Nëpunësit civilë, të cilët janë larguar nga shërbimi civil, si pasojë e ristrukturimit apo mbylljes së institucionit, kanë të drejtë që, brenda periudhës 2-vjeçare pas përfundimit të marrëdhënies në shërbimin civil:
a) të konkurrojnë si nëpunës civilë për procedurat e lëvizjes paralele apo ngritjes në detyrë
b) të emërohen në mënyrë të përkohshme nga njësia përgjegjëse, me pëlqimin e tyre, në pozicione të shërbimit civil./SCAN