Home KRYESORE Elbasani sërish shtetrrethim, ja çfarë po ndodh…

Elbasani sërish shtetrrethim, ja çfarë po ndodh…

Elbasani ditët e fundit është në qendër të vëmendjes, si pasojë e disa incidenteve që kanë ndodhur mes grupeve të armatosura dhe policisë vendoregjatë ditëve të fundit.

Qyteti ka qenë si në shtetrrethim nga policia ndërkohë që sot në stadiumin “Elbasan Arena” luhet ndeshja e fazës së grupeve të Ligës së Europës, Skënderbeu-Young Boys.

Masat e marra nga policia janë ekstreme dhe janë shtuar ndjeshëm nisur edhe nga fakti se në qytet ka ndodhur një përplasje që ka qenë në epiqendër të mediave gjatë gjithë javës së fundit.

Sipas njoftimit të policisë, për ndeshjen do të angazhohen 315 punonjës policie nga Drejtoria Vendore e Policisë Elbasan, Komisariatet dhe Stacionet policore vartëse të saj, nga FNSH-ja. Gjithashtu do të ketë bashkëpunim edhe me Drejtorinë Vendore të Policisë Korçë.

NJOFTIMI I POLICISE

Drejtoria e Policisë Elbasan ka njoftuar dje mediat përmes një komunikate se ka marrë një sërë masash organizative në drejtim të sigurimit të rendit dhe qetësisë, për zhvillimin sa më normal para, gjatë dhe deri në përfundim të ndeshjes Skënderbeu-Jang Bojs.

“Nuk do të lejohet parkimi i mjeteve në këto akse rrugore, konkretisht: parkimi i automjeteve përreth dhe përballë stadiumit. Në orën 17:00 nuk do të lejohet qarkullimi dhe parkimi i mjeteve nga Kryqëzimi i Bulevardit ‘Qemal Stafa’ me rrugën ‘Kamber Sejdini’ deri te ‘Kryqëzimi i tapetave’.

Lëvizja e mjeteve të ekipit vendas dhe të huaj do të jetë Tiranë-Tunel-Bradashesh-Lulet-Rrethrrotullimi i Postës-Rrethi i Bashkisë-Kryqëzimi i Bulevardit me rrugën ‘Kamber Sejdini’ – stadium dhe kthim. Bëjmë me dije se hyrja e sportdashësve do të fillojë tri orë para ndeshjes, me qëllim shmangien e radhëve të gjata në hyrje për në stadium.

Lidhur me ndeshjen do të angazhohen 315 punonjës policie nga Drejtoria Vendoree Policisë Elbasan, Komisariatet dhe Stacionet policore vartëse të saj, nga FNSH-ja dhe nga Drejtoria Vendore e Policisë Korçë.

Nuk do të lejohet marrja e fëmijëve të mitur pa u pajisur me biletë. Të gjithë tifozët që do të marrin pjesë në këtë aktivitet, të jenë të pajisur me biletë dhe me kartë identiteti dhe të mos kenë me vete: sende të forta, shishe të çfarëdolloji, fishekzjarrë, monedha apo metale, çelësa të ndryshëm.

Në të kundërt nuk do të lejohen të futen në stadium. Në hyrje të stadiumit do të kontrollohen të gjithë sportdashësit. Të gjitha lokalet që ndodhen përreth stadiumit, deri në përfundim të ndeshjes do të jenë të mbyllura.

Drejtoria Policisë Elbasan u kërkon qytetarëve që të minimizojnë lëvizjen e tyre me automjet brenda qytetit të Elbasanit, çka do të sillte një ndihmesë të madhe në zhvillimin sa më normal të këtij aktiviteti”, citohej në njoftimin e policisë së Elbasanit.

Share: