Home KRYESORE Ku paska përfunduar Akademia e Shkencave e Republikës së Shqipërisë

Ku paska përfunduar Akademia e Shkencave e Republikës së Shqipërisë

Nga Dr. Enriko Ceko

Debati i vjetër për Akademinë e Shkencave të Shqipërisë shfaqet sot në formën e debatit ekstrem për ekzistencën apo mosekzistencën e këtij institucioni, për të cilin shumica e shqiptarëve, pa njohuritë e duhura, mendojnë ende se është një nga institucionet më të rëndësishme shkencore dhe akademike në Shqipëri.

Në fakt, Akademia e Shkencave e Republikës së Shqipërisë prej disa vitesh është kthyer në një institucion që kryhen vetem disa funksione administrative dhe që ka paguar deri me sot disa persona të cilët kanë arritur të shfrytëzojnë paratë e qytetarëve për kërkime shkencore, të cilat u kanë shërbyer më shumë interesave individuale se sa interesave gjithëpërfshirëse të kombit shqiptar. Me përjashtim të disa arritjeve gjysmake dhe në mjaft raste tepër të kontestueshme në fushat e gjuhësisë, historiografisë, arkeologjisë, e të tjera si këto, nuk ka patur pothuajse asnjë arritje akademike në shkencat ekonomike, bujqësore, inxhinierike, social-psikologjike, e shumë fusha të tjera. Në 30 vitet e fundit, shkencëtarët, akademikët e kërkuesit e kësaj akademie nuk kanë kryer pothuajse asnjë studim të rëndësishë akademik me vlera kombëtare dhe me vlera konkurruese apo unikale në arenën ndërkombtare.

Akademia e Shkencave e Shqipërisë i ka rrënjët në të kalurën e largët kur edhe njerëz të shquar të popullit shqiptarë kontribuonin në fusha të ndryshme. Sipas disa studiuesve, themelimit të Akademisë i paraprijnë katë faza: Akademia e Voskopojës, Periudha e Rilindjes, Periudha midis dy luftërave botërore, Periudha që nga viti 1944 e deri më sot.

Në fakt, fillesat e kësaj akademie në kuptimin e vërtetë të fjalës janë në datën 8 prill 1940, kur është miratuar krijimi i fondacionit “Skeanderbeg” dhe është aprovuar edhe statuti i Institutit të Studimeve Shqiptare, që kishte për qëllim të nxiste dhe të koordinonte punën e intelektualëve shqiptarë të kohës në lëminë e shkencës, letrave dhe arteve. Ky institut kishte për detyrë “që të përkujdesej për pasurimin e kulturës kombëtare, duke marrë si shembull kombet e përparuara të Evropës, por duke ruajtur njëkohësisht dhe karakterin kombëtar sipas mendësive dhe traditave më të mira kombëtare”.

Instituti ishte i organizuar në katër komisione kryesore që kishin të bënin me shkencat morale e historike, shkenca fizike, matematike dhe natyrore, gjuhë e letërsi dhe artet.

Instituti kishte 48 anëtarë të përjetshëm, që formonin Këshillin e Përgjithshëm, me sekretar të përgjithshëm At Zef Valentinin dhe kryetar Ernest Koliqin. Anëtarë të tjerë ishin figura të shquara të inteligjencies shqiptare si: Eqerem ÇabejAleksandër Xhuvani, At Anton HarapiKarl GurakuqiLasgush PoradeciNamik Resuli, Dom Lazër ShantojaFilip Fishta, At Justin RrotaIlo M. QafëzeziAnton PalucaXhevat KorçaKolë Kamsi, Ekrem Vlora, Sotir Kolea, Vangjel Koca, Dhimitër Berati etj.

Në korrik 1944 u pranuan si anëtarë edhe Fan NoliMit’hat Frashëri, Ali Asllani, Kristo FloqiKrist Maloki, Dom Ndoc Nikaj, At Pashk BardhiHasan DostiHamdi SulçebeHamit KokalariSpiro KondaVasfi SamimiOdhise PaskaliRexhep KrasniqiVedat KokonaArshi Pipa, Dedë Gostani, Gaspër Shoshi, Gjelosh Luli, Gjush SheldiaLlukë Karafili etj.

Në fund të vitit 1944, Instituti i Studimeve Shqiptare ndërpret veprimtarinë e tij. Në vitin 1946 me vendim të Qeverisë Shqiptare krijohet Instituti i Shkencave me një strukturë të përafërt me atë të Institutit të Studimeve Shqiptare në gjirin e të cilit punonin një pjesë e mirë e ish-anëtarëve të atij Instituti, që u shndrrua në Akademia e Shkencave e Shqipërisë, e themeluar në vitin 1972, me përpjekjet e profesor Aleks Buda, i cili u emërua dhe presidenti i parë i saj. Fillimisht kjo akademi kishte 17 anëtarë dhe 5 anëtarë korrespondentë. Godina e akademisë së shkencave është një objekt i ndërtuar gjatë viteve 30’ për të shërbyer si rezidencë e mbretit Zog dhe ka një arkitekturë neoklasike, zbukuruar me kolona dhe frize. Nga brenda objekti është i dekoruar me ornamenta të denja.

Miku im Lluka Qafoku, gjatë një debati me të për këtë çështje më shkruan se “Akademia e Shkencave ka realizuar modelimin e kaskadës së Drinit, që në fakt sot është nga të paktat investime të regjimit të kaluar që i ka rezistuar kohës dhe që sjell pothuajse 90% të energjisë elektrike që përdoret në vend dhe që eksportohet. Gjithashtu, Instituti i Fizikës Bërthamore, që ka qenë në varësinë e Akademisë së Shkencave ka patur mundësi konkrete dhe ka kryer eksperimentime të suksesshme me zbatime praktike serioze për shembull në industrinë e naftës, por këto eksperimentime janë kryer kryesisht me mbështetjen e agjencive ndërkombëtare si UNESCO, IAEA, FAO etj”, por këto janë shumë pak për të justifikuar emrin e madh Akademi Shkencash.

Akademia e Shkencave ka pësuar disa riorganizime dhe si pasojë deri në vitin 2006 Akademia e Shkencave kishte në varësi 13 institucione kërkimore shencore, përveç institucioneve të tjera kërkimore e shkencore të asaj kohe që ishin në varësi të dikastereve kryesore në vend. Kërkimi shkencor që zhvillohej në këto institucione në varësi të Akademisë së Shkencave, dallonte nga ai që zhvillohej në universitetet e vendit dhe në institucionet në varësi të ministrive, sepse objekt i kërkimit shkencor ishin studimet mbi historinë, gjuhën, artin, pasurinë kulturore shqiptare dhe studimet albanologjike në përgjithësi dhe studimet në fushën e shkencave natyrore e teknike mbi natyrën, florën, faunën, mjedisin shqiptar, me ndikim konkret në parashikimin dhe parandalimin e fatkeqësive natyrore, përballimin e emergjencave civile, monitorimin e mjedisit, etj. Këto institute ishin të organizuara, administruara, financuara, planifikuara mbi bazë projektesh, duke përfsshirë edhe raportimin në mënyrë sistematike të arritjeve për secilin studiues, departament dhe institucion shkencor në tërësi.

Por, u vu re se në Akademinë e Shkencave të asaj kohe nuk funksiononte Këshilli i Politikës Shkencore dhe Zhvillimit Teknologjik (KPSHZHT), nuk kishte koordinim të kërkimit shkencor me arsimin e lartë, kishte pak financime për kërkimin shkencor, paralelisht me administrimin dhe financimin jo të përshtatshëm, shtuar këtu edhe mungesën e vlerësimit të cilësisë së veprimtarisë kërkimore, numrin e lartë të punonjësve, moshën relativisht të lartë të punonjësve shkencorë, mungesën e bashkërendimit të punës në projekte, cilësinë e ulët të botimeve shkencore, mospërfshirjen e punonjësve të Akademisë së Shkencave në procesin mësimor, etj.

Edhe në ditët tona gjendja e kësaj akademie mbetet si më parë, edhe pse në aspektin ligjor janë bërë shumë ndryshime, edhe për të përmirësuar mënyrën e trajtimit financiar të atyre që punojnë atje.

Akademia e Shkencave e një vendi duhet të jetë institucioni më i rëndësishëm shkencor, që duhet të përfshijë shkencëtarë nga më të shquarit, akademikë të cilët zhvillojnë veprimtari shkencore në institute dhe qendra kërkimore, si dhe organizma të tjerë shkencorë brenda dhe jashtë vendit, por faktikisht pjesa më e madhe e punës së këtij institucioni ka qenë e shkëputur nga metodologjia dhe metodat e kërkimit shkencor, duke marrë më shumë karakteristikat e një pune shkencore të nivelit fillestar, që kishte për bazë vetëm kqyrjen e çështjeve, dukurive, ngjarjeve, etj dhe jo dhënien e zgjidhjeve për problemet që kërkon koha dhe zhvillimet demokratke dhe të ekonomisë së tregut në vend.

Nga ana personale ata që punojnë në Akademinë e Shkencave kanë bërë emër dhe kanë fitur tituj akademikë, duke patur edhe përfitime ekonomike, financiare, materiale dhe morale e honorifike, por nga ana e shoqërisë shqiptare duket se nuk ka ndonjë përfitim të dukshëm me interes kombëtar e ndërkombëtar.

Asnjë subjekt publik dhe privat në Shqipëri nuk ka patur ndonjë përfitim të dukshëm dhe të drejtpërdrejtë nga puna e atyre që punojnë në Akademinë e Shkencave të Republikës së Shqipërisë.

Edhe pse procedurat e punësimit dhe të bërjes së karierës në Akademinë e Shkencave janë të përcaktuara, ky institucion është bërë pothuajse i paarritshëm nga shkencëtarët e rinj dhe në moshë të mese që janë të afrimuar dhe nga ata që duan të merren seriozisht me shkencë, por që janë në fazat e para të karierës së tyre akademike.

E ashtuquatura Akademia e Shkencave e Republikës së Shqipërisë nuk ka një faqe të denjë interneti dhe nuk ka publikuar kurrë ndonjë raport të punës vjetore. Gjithashtu, kjo akademi nuk ka publikuar asnjë të dhënë për atë se si përdoren financimet që i janë dhënë këtij institucioni nga ana e buxhetit të shtetit. Akademia e Shkencave nuk ka publikuar kurrë këto vitet e fundit ndonjë libër serioz dhe me karakter shkencor e me vlera kombëtare e ndërkombëtare në ndonjë nga lëmitë e shkencës, punonjësit e së cilës pretendojnë se po bëjnë.

Duket sheshit se Akademia e Shkencave qenka vetëm akademia e disa individëve, që e kanë kthyer atë në një qoshe të rehatshme dhe në një kullë të fildishtë, ku të vetmet gjëra që nuk bëhen atje janë shkenca dhe akademizma.

Share: