Home KRYESORE Ministri grek i Mbrojtjes: Rama deklarata provokuese ndaj Greqisë

Ministri grek i Mbrojtjes: Rama deklarata provokuese ndaj Greqisë

Ministri grek i Mbrojtjes, Panos Kammenos deklaron se Edi Rama po provokon Greqinë me deklarata që shkojnë kundër fqinjësisë së mirë, por edhe interesit të popullit shqiptar.

Gjatë një konference për mediat Kammenos u shpreh: “Është e vërtetë se në nivel deklaratash verbale zoti Rama është provokues. Dhe paralelisht, edhe disa lëvizje që bëhen rreth minoritetit. Mirëpo, konsideroj se Rama ka përballë shumicën e popullit shqiptar, edhe njerëz që kanë qenë emigrantë në Greqi, njerëz që kanë lidhje me Greqinë, njerëz që kërkojnë nënshtetësinë greke. Dhe konsideroj se do ta marrë përgjigjen nga populli shqiptar për këtë sjellje ekstremiste ndaj vendit tonë”.

Kammenos tha se deklaratat që bën Edi Rama në Shqipëri nuk janë të njëjta me ato që thotë kur takohemi në tryeza ndërkombëtare.

“Konsideroj se përpjekjet nga elementë ekstremistë, për të krijuar probleme me minoritetin grek të Epirit të Veriut, të vetmin rezultat që do të mund të kenë është izolimi i Shqipërisë. Dua t’ju them se kur takohemi jashtë shtetit, në nivel deklaratash shqiptarët janë shumë të kujdesshëm. Shqipëria, megjithëse nuk ka flotë detare, dërgoi një anije në përbërje të SNMG2 në detin Egje, si pjesë e operacionit të përbashkët të NATO-s. Dhe asnjëherë deklaratat që bëhen në nivel të NATO-s nuk janë si deklaratat publike të zotit Rama”, vijoi Kammenos.

Pasi iu referua edhe faktit se muajin e kaluar nga Greqia u dërguan aviona zjarrfikës që siç tha, operuan jo vetëm në fshatrat e minoritetit, por në gjithë Shqipërinë, aty ku ishte e nevojshme, ministri grek i mbrojtjes tha:

Nuk besoj se ka arsye që të vazhdojë kjo politikë e provokimeve. Ministri grek i mbrojtjes u pyet edhe për çështjen e shumë përfolur të shtatë rekrutëve shqiptarë që në fillim të vitit ishin fotografuar brenda një mjedisi ushtarak duke bërë shenjën e shqiponjës. Ndryshe nga atëherë, Kammenos ishte shumë më i zbutur në prononcimin e tij.

“Ata morën dënimet e parashikuara, si nga unë, edhe nga shefi i shtabit të përgjithshëm. Por duhet të dini se ai imazh që u prezantua nuk ishte i vërteti. Ata janë një përjashtim. Ka djem që paraqiten në ushtri dhe që nuk janë “vorioepirotë” por janë nga familje krejtësisht shqiptare, prindërit e të cilëve erdhën në Greqi, lindën këtu dhe morën nënshtetësinë greke. Dhe janë ushtarë të shkëlqyer. E kryejnë detyrën e tyre dhe e shohin Greqinë si atdheun e dytë. Dua të jem absolutisht i drejtë. Shumica e tyre janë patriotë dhe ndihen grekë, si gjithë të tjerët”./opinion.al

Share: