Home KRYESORE Mustafa Nano: “Mjaft tani, mjaft, me këtë spekullim!” Myslimanët nuk janë shumicë…

Mustafa Nano: “Mjaft tani, mjaft, me këtë spekullim!” Myslimanët nuk janë shumicë…

Nga Mustafa NANO

Një nga shkrimet më të komentuara në rrjetet sociale gjatë ditëve të debatit të nxehtë mbi “monumentin e Skënderbeut të fshehur në shesh” ka qenë i nënshkruar nga Taulant Kopliku. Ky i fundit mbronte idenë se marrëdhëniet mes myslimanëve e të krishterëve janë idilike, dhe këtë e ilustronte me përvoja e dëshmi personale mbi martesa e miqësira të përziera, e me një klimë harmonie mes shkodranëve me fe të ndryshme. Dy gjëra më bënë përshtypje në atë shkrim. Një: Harmonia për të cilën flet Kopliku lidhet me një wishful thinking të tijin; gjërat në praktikë nuk janë kaq të hareshme. Dhe dy: Ai bënte një ngatërresë, merrte për myslimanë/të krishterë ata që vijnë prej një tradite myslimane/të krishterë. E kështu edhe veten e llogariste si mysliman, ndonëse, me çfarë dilte prej shkrimit, nuk është i tillë. Nuk mund të jetë mysliman një njeri si ai që, siç thoshte, pi birra e raki kur është mes miqsh. Të gjitha shkollat e mendimit islam e të interpretimit kuranik janë në një mendje në këtë pikë: alkoli është haram.

Këtë ngatërresën e Koplikut e bëjnë shumë njerëz. Marrin, fare pa të keq, për identitet fetar atë që përbën thjesht traditën fetare të familjes. Këtë kish bërë edhe Olsi Jazexhiu në një shkrim të tijin konfuz e të kreshpëruar, të publikuar dje në dritare.net. Ai thoshte se “shqiptarët, [që] nga Kosova [e deri] në Konispol, janë dërrmueshëm myslimanë”. Me fjalë të tjera, ai quan myslimanë të gjithë ata që vijnë nga një traditë myslimane, përfshirë edhe njerëz si puna ime, që me Islamin nuk i lidh asgjë veç emrit e traditës. Na lodhën me këtë konfondim të traditës me identitetin fetar. Duke huazuar stilin patetik të Moikom Zeqos, do doja t’u thoja: “Mjaft tani, mjaft, me këtë spekullim!” Sepse myslimanë janë vetëm ata që kanë bërë shahada-në (aktin e konvertimit), ata që falen çdo ditë, ata që agjërojnë kur duhet agjëruar, ata që bëjnë haxhiun kur munden, ata që nuk ia lejojnë vetes të pijnë alkol, të luajnë bixhoz, të marrin e japin fajde në bankë a diku tjetër, ata që hanë vetëm ushqime hallall, që besimin e vënë para kombit e që Muhametin e vënë para Skënderbeut, që Islamin e shohin si të vetmen fe të vërtetë, që Islamin duan ta shohin si një fe të përbotshme, etj, etj. Dhe me këtë, të kuptohemi, jemi ende te një version minimalist besimi, jemi te myslimani bazik. Poshtë këtij niveli nuk ka mysliman. Sipër këtij niveli, po, ka sa të duash.

Ka nga ata që gratë e tyre i mbajnë të mbuluara, që marrëdhëniet seksuale para martesës i konsiderojnë tabú, që marrëdhëniet e partneritetit (miqësitë, ortakëritë, martesat, fqinjët, etj) me të krishterë e jo fetarë i quajnë të pamendueshme. Ka myslimanë të tjerë edhe më rigorozë që duan sheriatin në vend të ligjeve shekullare, që kombin dhe heronjtë kombëtarë i shohin me përbuzje apo neveri, që gratë, të gjitha gratë, po sidomos të tyret, duan t’i kyçin në shtëpi, ku edhe mund t’i rrahin, nëse “ato e kanë hak”, që qafirat (jo myslimanët) i konsiderojnë qënie të urrejtshme, që për apostatët (ata që e lënë Islamin) mendojnë se duhen qëlluar me gurë deri në vdekje, që statujat, pikturat, muzikën i konsiderojnë shpikje të shejtanit, e kështu me radhë. E në fund – ky është versioni esktrem – janë ata që shkojnë të luftojnë për ISIS-in apo që hidhen në erë me fjalët “Allahu akbar”, duke çuar dhjetra të pafajshëm në varr dhe veten … në xhehnet, ku duart do t’u kapin medemek vetëm cica të mëdha virgjëreshash. Siç shihet, myslimanët janë një komunitet shumë laraman. Si zor të gjendet në këtë botë një komunitet më laraman se umeti islam. Dy myslimanë njësoj nuk i gjen dot. Si e interpreton Islamin njëri, nuk e interpreton tjetri. Dhe të gjithë i referohen të njëjtit libër, Kuranit. Të gjithë adhurojnë të njëjtin Zot, Allahun. Duke mos harruar të shtojnë: Alhamdulillah!

Sa është numri i këtyre myslimanëve shqiptarë, nga versioni minimalist te ai maksimalist? Ne nuk e dimë me saktësi. Nuk kemi se si ta dimë. Nga regjistrimi i popullsisë që u bë së fundmi (viti 2011) doli se myslimanët janë 57% e popullsisë, por kjo shifër është e trukuar nga e njëjta ngatërresë, për të cilën sapo fola. Në një numër të madh rastesh, agjentët e INSTAT-it që kanë bërë punën në terren atëmot as që i kanë pyetur qytetarët mbi identitetin fetar. U kanë mjaftuar mbiemrat e llojit Islami, Paloka, Hoxha, Anastasi, Shehu, apo emrat e llojit Myrteza, Gjon, Mustafa, Jorgo, Hasan për të patur një ide të vetën për fenë e të intervistuarëve. Por edhe kur këtë pyetje e kanë bërë, nuk janë ndeshur me surpriza. Të intervistuarit u kanë dhënë për fe të tyre atë që ka qenë feja e të parëve. Prindërit e mij – këtë e di mirë – kanë deklaruar se janë bektashinj, mirëpo e vërteta është që – edhe këtë e di mirë – ata janë de facto ateistë.

Sikur të isha në krye të punëve të këtij vendi, do organizoja një regjistrim ad hoc të popullsisë, ku njerëzve t’u kërkohej të jepnin identitetin fetar të tyre, dhe jo origjinën apo traditën. Dhe nëse njerëzit nuk do ta kishin të qartë se ç’do të thotë “identitet fetar”, se ç’do të thotë të jesh mysliman, katolik, ortodoks, apo bektashi (janë të shumtë ata që nuk e kanë të qartë), do t’u shpjegohej. Regjistrimin do ta bëja me ndihmën e grupeve të nëpunësve të shpërndara në terren, të cilat do kishin në përbërje edhe përfaqësues të vetë feve. Dhe ky regjistrim do ndante shapin nga sheqeri njëherë e mirë, e me gjasë do nxirrte në shesh se asnjëra prej feve nuk është shumicë në këtë vend. As Islami. E ky fakt do t’u ulte pendët të gjithë besimtarëve.

Ky vend nuk është i njerëzve që falen nëpër rrugë apo nëpë faltore, apo i atyre që shajnë e fyejnë në emër të feve nëpër rrjetet sociale. Ky vend është shumë më tepër se ata. Edhe sikur fetë, apo ndonjëra prej feve, të ishte shumicë, prapëseprapë ky vend nuk do kish arsye pse të quhej i tyre. Do ishte i të gjithëve. Sado që të jenë myslimanët e të krishterët, dhe sido që të jenë, me Skënderbeun apo kundër Skënderbeut, patriotë apo anti patriotë, ata janë këtu, janë si ne e si njëri-tjetri, janë shqiptarë me titull të plotë, janë me të njëjtat të drejta që kanë të gjithë shtetasit e kësaj republike, dhe me detyrimin që besimin e tyre ta mbajnë për vete, ta përjetojnë si një gjë intime, ta përjetojnë në mënyrë të qetë e të shtruar, për të mirën e tyre, e jo për inatin e të tjerëve (e di që kjo e fundit bie ndesh me udhëzimet kuranike, por në të njëjtën kohë është kusht i paqes publike e kombëtare; myslimanët shqiptarë duhet të zgjedhin: duan që ky komb të jetojë në paqe, apo duan që ky komb të islamizohet i tëri?). Janë njësoj që nga myslimani nominal Taulant Kopliku që dëndet me birrë e deri te myslimani militant Olsi Jazexhi që ah, sa do ta donte ta rrëkëllente një gotë të ftohtë birre, por ja që ka zgjedhur ta thajë gurmazin për ta mbajtur mirë me Allahun.

E në këtë kuptim, nuk merret vesh mirë kjo loja me shumicën që bëjnë myslimanët. Veç shejtani e di se pse u pëlqen kjo lojë. “Jemi shumicë”, të thonë. Në mënyrën më brutale të përfytyrueshme e ka thënë këtë gjë myftiu i Shkodrës Muhamet Sytari, në korrik të vitit 2016, me rastin e Fiter Bajramit, duke iu drejtuar besimtarëve myslimanë në shesh (myslimanët i kanë shumë qejf sheshet): “Ecni përpara me krenari në fenë tuaj, se ne nuk jemi pakicë në këtë qytet, se ne nuk jemi pakicë kombëtare në këtë vend, ne jemi myslimanët, ne jemi pasuesit e Allahut e të Muhametit”.

Le të jemi të sinqertë me veten. Kjo nuk është një frazë drejtuar besimtarëve. Ky është një ligjërim politik. Kjo është një thirrje luftarake. Kjo është e frikshme. Dhe ta dini, është më e frikshme në rastin që Sytari e do kombin, sesa në rastin që kombit nuk do t’ia shohë bojën.

Share: