Home KRYESORE NË SHENJËN E MUZIKËS ME SHKËLZEN DOLI & FRIENDS

NË SHENJËN E MUZIKËS ME SHKËLZEN DOLI & FRIENDS

Nga Mira Tuci

E vendosa relativisht vonë, që do të shkoja në koncertin e violinistit Shkëlzen Doli në sheshin Skënderbej. Edhe unë si shumë të tjerë kisha përjetuar një lloj “pikëpyetje pse një koncert i tillë të mos ishte krejtësisht i hapur për publikun sidomos nëse realizohej në një shesh publik.Vendosa të shkoj përtej paragjykimit dhe ti besoj intuitës dhe nuk u pendova, madje u shpërbleva me shumë emocione dhe ndjesi estetikisht të larta si admiruese e muzikës së rrënjëve shqiptare por edhe e muzikës klasike.

Në fund të fundit detyra e një gazetari është të ndjekë shfaqjet dhe koncertet pavarësisht se mund të mos jetë dakord me mënyrën e organizimit dhe pastaj mbi bazën e perceptimit të tij estetik të shkruajë keq, mirë, apo të mos thotë asnjë fjalë. Kushdo që beson se koncerte me të tilla përmasa mund të bëhen falas apo me kosto minimale gabohet pasi realisht nuk është e mundur. Ose së paku jo, derisa financimi nga shteti është shumë i vogël apo filantropizmi nga të pasurit shqiptarë thuajse nuk ekziston. Sapo hyje në shesh skena gjigande impresionuese paralajmëronte për një koncert madhështor. Pozicionimi i saj karshi Muzeut Historik Kombëtar përballë monumentit të Heroit Kombëtar Gjergj Kastrioti komunikonte bukur në nivel simbolik duke davaritur çdo lloj keqkuptimi (të shumtë këto kohët e fundit). Përmes orkestrës së plotësuar në gjithë elementët me orkestrantë nga Orkestra e RTSH, instrumentistë të ardhur nga Filarmonia e Prishtinës, nga Maqedonia si dhe bendi muzikor i Top Channel i jepnin kumbim çdo tingulli që dilte nga harqet apo nga tunxhet. Më shumë se 70 orkestrantë në skenë ishin premtimi i parë për një koncert të përmasave të rralla në skenën muzikore shqiptare dhe biletat kësaj here mund ti siguroje shumë  më lehtësisht se sa koncerti i shumëdiskutuar i 2 Janarit. Fakti që aktorët politikë u mbajtën në njëfarë distance nga koncerti dhe nga reklamimi i saj i shtoi vlera koncertit pasi gjithë vëmendja dhe prozhektorët ishin për muzikantët dhe muzikën.

Sapo orkestrantët filluan notat e para të një pjese të kompozuar enkas nga mjeshtri Shpëtim Saraçi për këtë koncert dhe dirigjuar nga mjeshtri tjetër Alfred Kaçinari publiku filloi të ngrohej edhe pse frynte një erë e thikët mbrëmjen e 23 Shtatorit. Shkëlzen Doli në këtë koncert duket se kishte kuruar çdo detaj që publiku sado i ndryshëm nga vendbanimi apo shijet muzikore të ndjehej ngrohtë dhe në shtëpi. Një pjesë e parë që ishte si një zhytje e ëmbël në tingujt e pjesëve emblematike të muzikës së lehtë shqipe të cilat të orkestruara dhe me një timbër rroku në sfond kishin një tjetër parfum dhe vinin të freskëta në veshët e publikut. Nga “Djaloshi dhe shiu” dhe “E urrej shiun” dhe të tjera perla të muzikës së lehtë shqipe duket se Shkëlzeni si drejtor artistik jo thjesht si instrumentist kishte përzgjedhur ti bënte homazh kurorës së artë në historinë e muzikës shqiptare. Një përzgjedhje sqimatare dhe elegante që synonte jo thjesht ta bënte publikun për vete gjatë minutazhit të koncertit por po ashtu ti kujtojë shqiptarëve që kemi motive në muzikë që shumë mirë mund të qëndrojnë denjësisht në skenat botërore. Potpuri korçare apo kolazh i muzikës arbëreshe shoqëruar me numrin koreografik në tarantela ishin më tej si një aperitiv para “main course” me të cilën violinisti shqiptar i Filarmonisë së Vjenës kishte vendosur të na gostiste. Ashtu siç na e rrëfeu në prezantimin e tij “të kërkosh shpirtin shqiptar, Albanian Soul”…si mund të bëhet kjo përveçse përmes muzikës”, sidomos në këto kohë të trazuara të një shoqërie kaq të fragmentarizuar. E nuk është aspak keq ta ngresh kokën kur gjithçka tjetër punon në të kundërt me mendjen ngulitur se “nuk paskemi asgjë të mirë për të cilën ia vlen të luftosh, sakrifikosh dhe të këmbëngulësh”.

Sigurisht nuk është e lehtë ti bësh shqiptarët bashkë, por ja që Shkëlzen Doli ia arriti dhe jo vetëm me artistët shqiptarë por edhe të huaj. Remmy Ballot, dirigjenti francez që bashkëpunon me orkestrat më të rëndësishme austriake drejtoi gjithë pjesën klasike duke sjellë bashkë me muzikantët dhe interpretimin e Dolit si solist pjesë nga Valsi numër 2 i Shostakovich tek Tango Jaloussie nga Jacob Gade e nga notat e ëmbla të Rapsodisë Hungaraze të të famshmit Franz Liszt tek “Drita e Hënës” nga Debussy me një shkallë të lartë interpretimi si nga Shkëlzeni ashtu edhe nga artistët e tjerë të talentuar që ishin ftuar të ndanin skenën me të,  flautisti Valter Awer, solist i Filarmonisë së Vjenës, Sebastian Bruch, udhëheqës i çelistëve në Filarmoninë e Vjenës, pianisti i mirënjohur Luca Monti (instrumentistë brilantë të cilët i kanë besuar instrumentistit nga Gjakova në projektin Albanian Soul). Për të mbërritur pjesë pas pjese tek Strauss me Morgen në një duet për violinë dhe soprano ku bëri hyrjen triumfale një tjetër artiste e talentuar shqiptare konsideraur një nga zërat më të bukur shqiptarë, soprano Mirjam Tola e cila me një vokal të fuqishëm dhe vibrues solli jo vetëm koloraturat shtrausiane por edhe dramacitetin puçinian në arien e Madamë Butterfly. Një riorkestrim i goditur i pjesëve klasike që vinin me një prekje rock në sfond e tillë ishte sidomos pjesa Bolero nga Ravel që po të mbyllje sytë mund ta transportoje veten në cilindo prej shesheve europiane dhe të mos kishe zili askënd që po shijonte tingujt e një koncerti nga Andre Rieu. Herë pas here ne shqiptarët jemi superkritikë me vetveten dhe me këdo që na shkund dhe na nxjerr nga rutina e përditshme. Së paku Shkëlzen Doli na tregoi se gjithçka është e mundur kur në të vendos zemrën dhe pasionin; përkundrejt mentalitetit që “çdo gjë e bukur është e pamundur”. Ai bashkë me muzikantët që i besuan frymës mbi të cilën është ngritur projekti Albanian Soul, në atë koncert nuk u harmonizuan vetëm instrumentat.

Si një stuhi e vërtetë tingujsh dhe talenti erdhi edhe pjesa solo nga Agron Peni kitaristi i talentuar nga Gjakova, bashkëpatriot i Shkëlzenit me të cilin ndajnë kërkesën e lartë për muzikën e mirë dhe autentike. Një flamenkero shqiptar bir adoptiv i Andaluzisë (edhe pse pa shkelur kurrë në tokën e flamenkos) por që sjell motivet shqiptare në një vel shumë elegant përmes flamenkos dhe e tillë erdhi në shpirtrat e publikut edhe pjesa e interpretuar së bashku me Shkëlzenin në një shkrirje të plotë e “Eja në prehër të të marr”.

Muzika bart fuqi të përqendruara të vetëdijes dhe identitetit ndaj pasi Shkëlzeni thirri në skenë një bir tjetër të Gjakovës si ish kapiteni i Kombëtares Shqiptare Lorik Cana, “Xhamadani vija, vija” ishte pjesa muzikore më unifikuese ndër bashkëkombas ku muzika dhe sporti kanë qënë më shumë se kurrë në simbiozë të përsosur. E sigurisht nuk mund të mungonte Shpirti Shqiptar – Albanian Soul që tashmë është kthyer në një brand dhe projekt muzikor që synon të bëjë të njohur muzikën shqiptare në të gjithë botën. Koncertet në të gjitha kryeqendrat shqiptare si dhe në qytete të tjera në Europë dhe në Azi do ti shërbejnë pikërisht këtij misioni dhe siç thonë të moçmit “nuk është e lehtë të jesh profet në vendlindjen tënde”, ndaj një vizion më optimist kundrejt muzikës dhe pinjollëve të saj do të ishte gjëja për të cilën shpirti i trazuar shqiptar ka nevojë.

Në fund të fundit e keqja shqiptarëve nuk u ka ardhur as nga muzika as nga arti përkundrazi, bota na njeh vetëm falë atyre që e kanë lartësuar Shpirtin/http://miratuci.com/

Share: