Home KRYESORE Pema çudibërëse…Tregim nga ELONA PAJA

Pema çudibërëse…Tregim nga ELONA PAJA

Në përpjekje për të shpëtuar veten, njeriu bën në jetë disa kompromise ,që më vonë edhe mund të pendohet ,por nuk ka zgjidhje tjetër. Kur vëren ,që të gjitha rrugët janë të zymta ,atëhere dhe të vetmen shkëndijë drite që i del përpara, e rrok fortë dhe nuk e lëshon. Nëse nuk do të egzistonte shpresa, atëhere nuk do të egzistonte as lumturia. Pa shpresë, njeriu zhytet në skutat e errëta të qenies së tij dhe vështirë se mund të ecë para. Ai bëhet i padëshiruar për të tjerët, sepse nuk ka çfarë tu jap atyre. Mungesa e gëzimit në sytë e tij ka humbur dhe ata nuk dëshirojnë të kenë pranë një kufomë . Atyre u duhen lodra tavoline ,që ti bëjnë për të qeshur dhe ti argëtojnë,sa herë shfryjnë mbi qeniet e dobta të tyre . Për ata nuk ka rëndësi ,nëse kjo lodër  luan sikurin  apo është e vërtetë.E rëndësishme është e qeshura e tyre.Madje ,kur ata bëjnë të zgjuarin dhe njeriun mendjeplotë,kjo lodër duhet patjetër ta shoh në bebe të syrit, për ti dhënë të drejtë dhe ta adhurojë. Në gjithë këto vite kam parë lodra të tilla, që nuk dija ç’emër tu vija. Ti qeshja?! Ti paragjykoja?! Të luaja edhe unë me to?! T’ua merrja gëzimin dhe ti lija fare pa shpresë?! Mos ndoshta për rrugën që zgjodhën nuk ishte faji i askujt?! Fati është i përcaktuar që në embrion. Asgjë nuk ndodh rastësisht dhe pa arsye. 
Duke u përpjekur ti shkruaja të gjitha këto,po shihja që analiza nuk po më ecte. Të nesërmen duhet të mbroja tezën time të provimit,por me ç’dukej nuk ishte ai çasti i duhur ,për të punuar. Disa gjëra në jetë ,nuk bëhen me zor. U ngrita nga të shkruarit dhe iu drejtova kuzhinës. Ndoshta një filxhan i madh me kafe do të më stimulonte. Duke ecur kuturu me atë në dorë ,asgjë nuk gjeja aty brenda që të më shtynte për të vazhduar.  Harrova t’ju them që kur nuk më ecën puna,më kap një panik i cili fillon nga stomaku,ngjitet lartë në arterien e zemrës deri sa përfundon me ngacmimin e trurit. Ky i fundit nuk bën gjë tjetër,përveçëse rizgjat orët e lodhshme të pagjumësisë. 
Ndoshta do të bëja mirë ti shkëputja mendimet për ca kohë,nga ajo tezë provimi. Mbase, duhet ta harroja diplomën për atë vit, edhe ta kryeja vitin tjetër. Nuk e di si do ta priste familja ime ketë vendim timin, por fundja nuk kishin edhe pse ta merrnin vesh. Ndërkohë  unë mund të punoja dhe nuk do isha I detyruar t’u bija në qafë atyre. Ua kisha marrë shpirin kaq vite. E mora vendimin menjëherë. Nëse do të mendohesha për herë të dytë,edhe mund të ktheja mendje,kështu që i mbylla librat dhe i futa në një kuti ,të  cilën e mbaja poshtë krevatit. Më pëlqeu shumë ai veprim që bëra,  sepse kuptova që do të shpëtoja për disa kohë, nga dhimbja e shpinës. Shqetësimet muskulore të gjymtyrëve të sipërme i ndjeja gjatë gjithë mbrëmjes kur bija të flija. Atëhere nga sot-i thashë vetes-ti nis një rrugëtim të ri! Kur je i ri,të duket se çdo gjë që fluturon,ti mund të jesh  në gjendje  ta kesh në dorën tënde,mjafton të zgjatësh pak krahun. Nuk dija se çfarë kërkoja konkretisht,por pa tjetër që rrugës së gjatë kisha për ta gjetur. 
Në vendin e pare, ku u drejtova për të filluar punë, më priti një vajzë e re ,e cila  kishte afërsisht moshën time. Përballë njëri-tjetrit, e rejanisi të më pyeste për kualifikimet  që kisha. Nisa të shtrëngohesha dhe me sa kuptova ajo e mori vesh menjëherë përgjigjen. 
-Për momentin nuk kam asgjë konkrete për ty-më tha,por sapo të më dal diçka do t’ju njoftoj.
E dija që këtë e bënin për ti hequr qafe njerëzit. Se kuptoja se përse e kishin hapur atë zyrë ,kur në atë vend nuk mund të gjeje asnjë punë. Dola prej andej i qetë sepse nuk është se  prisja ndonjë gjë të madhe. Më saktë isha i përgatitur për këtë gjë,por thjesht doja ta provoja. 
Një natë më parë më kishte telefonuar Anxhelo. Ishte një njohje e kaherëshme,midis të dyve, që në kolegj kohën e kolegjit. Ai ,e ndërpreu atë vitin e fundit,pasi prindërit nuk ja mbulonin dot shpenzimet ndërsa unë arrita ta përfundoja me të shtyrë. Siç ju thashë,jo se ata të mitë ishin të pasur, madje ato pak kursime i harxhuan që të shkollohesha unë,por im atë nuk donte që të rrija rrugëve si ai. Gjithë jetën, kishte punuar  shofer autobuzi ,ndërsa nëna ishte rropatur duke pastruar  shtëpitë e të pasurve. Dhe përveç kësaj ,dilte dhe shiste gjatë fundjavave në treg, zarzavatet e freskëta të kopshtit tonë gjatë. Anxhelo kishte ditë që ngulmonte  të më takonte,por për shkak të ngarkesës së provimeve nuk kisha mundur të shiheshim. Vetëm kur më telefonoi një natë më parë dhe i thashë që mund të takoheshim sepse isha I lirë,lëshoi një “urraaaaaaaa” me sa fuqi kishte. 
-Më në fund:-tha.- Je bërë si priftërinjtë që rrinë gjithë ditën brenda kishës. Të paktën ata dalin dhe thithin ndopak ajërin që lëshojnë fustanet e murgeshave,po ti në atë dhomën tënde çfarë bën? Apo i bie me dorë atij mikut- pastaj ja dha gazit.
Anxhelo kështu kishte qenë edhe në kolegj. Më kujtohet njëherë se si ruante kujdestaren ,e cila  natën vonë, pasi sigurohej që ne na kishte zënë gjumi,niste të bënte disa lëvizje të dyshimta. Ai  ishte kurioz nga natyra dhe vdiste të merrte vesh se ç’ndodhte rreth e rrotull tij. Pasi e gjurmoi deri tek kati i parë i godinës ku flinim ne,ishte i bindur se do të futej tek dhoma ku strehohej roja gjatë orëve të natës. Na zgjoi të gjithëve nga gjumi, për të na treguar  se çfarë bënin ata të dy atje.. Të nesërmen u bë problem. Vërtet kujdestaren e shkarkuan nga puna  por edhe Anxhelon e thirri drejtori. Nuk është se ai u prek shumë,më shumë ju lëndua sedra kur i thirri  prindërit. Na mori inat të gjithëve për ca kohë,pastaj i kaloi. Thua se ishim ne shkaktari i gjithë asaj që ndodhi?! Sikur e dërguam ne tek strofulla e mëkatit?!
-Hë gjete punë?-më pyeti sa u takuam . Thua se  kishte mbajtur gjithë natën sikletin e papunësisë time.
-Ku ka punë sot?-ia ktheva me të qeshur. Pastaj kush e la punën, ta gjej unë.
-Atë mos e thuaj ti-më tha ai. Ja unë jam një nga ata që e kam lënë. Po nuk do të ta sygjeroja ty,se nuk ja vlen. Po të ishte e mire, e mbaja për vete – më shkeli syrin dhe vuri buzën në gaz.Pastaj vazhdoi:- Ej ,leje punën tani dhe më thuaj çfarë planesh ke për të ardhmen?
-Më duhet një punë pra-i thashë.
-Ende tek puna ,mendjen ti? Po pse sa mendon se mund të fitosh nga puna?
-Aq sa të ushqehem. Vitin tjeter do e mbyll shkollën.
-Do me thënë kaq kërkesa ke ndaj vetes?! Një punë sa për tu ushqyer! Qenkam gabuar! Po iki shoku! Nuk të mendova kaq pa tru!?
-Prit pse ngrihesh-u mundova ta ndal ,kur pashë që po bëhej gati të ngrihej nga karrigia dhe ta mbyllte edhe me mua. Po çfarë kërkesash të kesh në këtë vend?! Këtu të shkelin sa përpiqesh të ngresh kokën! Peshku i madh e ha të voglin. 
Anxhelo ngriti vetullat. – Tani e kemi kohën ,e kupton?! Ditët ikin.Vrite pak mendjen. Pse si prindërit tanë do vazhdojmë të vuajmë dhe ne? I ke parë të tjerët si janë bërë? Milionerë…
-Epo të tjetrëve ua ka lënë gati mami dhe babi. Ty dhe mua çfarë na lanë?!
-Jo shoku jo. Ka edhe nga ata që janë bërë me forcat e tyre. Po nuk u përpoqe,po nuk luftove,po nuk rrezikove,mos prit të të bjerë gjë nga qielli. Rri ha atë copë bukë që ta jep rroga e mos u ndjej. Unë nuk jam kështu! Unë dua të përpiqem të paktën.
Askush nuk ka pse të ketë më shumë… Edhe unë mundem ta kem atë që atë kanë. Prandaj mos fol kot! Ha pak inat me veten edhe me të tjerët! Je i ri,si ti ,si unë. Po nuk provuam tani kur do provojmë?! Jeta është luftë. Dhe luftën e fitojnë të fortët dhe guximtarët. 
-Ose të marrët-e ndërpreva unë. Jo se nuk i kuptoja dhe nuk i dija ato që më thoshte,por nuk po arrija të merrja vesh se ku
donte te dilte. I kisha ngulur sytë dhe po e humbisja fillin e bisedës. Në” fshatin tonë të madh” ku jetoja unë dhe ai,rrallë se kishte ndonjë të pasur.
-Ej je duke më ndjekur-më kaloi dorën ai para fytyrës,si për të më tërhequr vëmendjen. Anxhelo i kishte duart si për piano. Duar të bardha dhe gishta të hollë si të femrave. Dukej që nuk kishte punuar një ditë të vetme,në jetën e tij.
-Po po këtu jam-i thashë. Këtu e kam mendjen ,por ndërkohë po mendoj se si mund të pasurohesh në këtë” fshat të madh.”
-Të lumtë! Tani të paktën nise ta vendosësh atë trurin tënd në punë. Kështu më pëlqen! 
Atë ditë biseduam gjatë. Jo vetëm, për ëndërrën tone sesi do pasuroheshim,por kujtuam dhe një pjesë të shokëve që i kishim patur në kolegj.
-E ke parasysh Erikun? -më tha ai. Boli i shëndoshë ,po luan me lekun sikur të ishte letër. Ka marr dhe shoqërues ,nuk ecën më rrugëve vetëm. Madje as rolin e shoferit nuk e bën, por kapardiset nga prapa makinës ,si gjel . E kam parë njëherë fshatarin, sepse kishte hapur gjysmë xhamin e pasëm.
-Eriku i ka prej të atit. Sado pasuri të ketë ,prape boll ka për të mbetur. Kurrë nuk ja kam varur atij njeriu. Nuk e kam honepsur dot. Gjithmonë më del para syve ajo hunda e tij e vogël,por që kullonte qurre gjatë gjithë kohës. Ndonjëherë, i binin edhe në pjatë. Më duket se nuk ndodhet në këtë fshatin tonë të madh,ka shkuar jashtë shtetit ,kam dëgjuar. 
-Jo ore ka ardhur! Punon me të atin. Drejton një nga kompanitë e tij të ndërtimit. 
-Ashtu? Duhet ta takojmë patjetër atë bolin. 
-E për çfarë na duhet ai? Harxhim kohe është.. Nuk ja vlen.
-E ke gabim. Unë mendoj që Eriku vlen dhe vlen shumë:-I thashë me besim të plotë.
As vetë nuk e dija, përse na duhej Eriku ne të dyve,por një gjë ishte e sigurtë,  emri i tij,i kishte ngacmuar neuronet e trurit tim. 
Eriku ishte kthyer nga jashtë shtetit dhe i ati, kishte këmbëngulur që i biri, duhet të drejtonte një nga firmat. Djalit nuk i kishte pëlqyer kurrë  kjo gjë,por edhe nuk ja bënte dot  fjalën dysh. Vitet e qëndrimit të tij jashtë,djaloshi i kishte kaluar nëpër klube striptize . Gjithë investimi i të atit, që ai të diplomohej në një shtet tjetër, kishte shkuar kot. Me përjashtim të  kurvave,alkoolit dhe ndonjë doze heroine që merrte herë pas here(kësaj të fundit vonë ia mësova emrin),asgjë tjetër nuk kishte përfituar. 
Natyrisht që i ati,  nuk i dinte të gjitha këto, dhe ia dorëzoj me dorën e vetë,një pjesë të aksioneve si dhuratë për 25 vjetorin.  Djaloshi më i pasur i atij vendi shëtiste me makina të mira, e pinte verëra e shampanjë nga më të shtrenjtat. Kapadaisej tek kalonte rrugës dhe nuk e kishte për gjë ti fyente njerëzit e të tallej me varfërinë e tyre.Për ta takuar atë, nuk ishte shumë e vështirë. Mjaftonte të shkojë në një nga ambjentet më luksi në atë “fshat të madh” dhe Eriku ishte aty,i rrethuar nga njerëz që i serviloseshin dhe femra kukulla ,të cilat, lëpiheshin pas çdo mashkulli me para, që u dilte  para. Në ato kohra krize ,kjo ishte puna më e rehatshme që ato  mund të bënin. Le që nuk bëhej fjalë për krizë,në atë vend ishte e pamundur të gjeje një punë të hajrit,kështu që këto femra, më mirë punësoheshin si escort ose pranonin të ishin dashnorja e ndokujt ,sesa të punonin diku e të mos nxirrnin dot bukën e gojës. Më  e thjeshtë dhe e leverdisshme ishte  roli i dashnores sesa,roli i ëngjëllit. Nuk ishte ndonjë turp, sepse pjesa më e madhe e banorëve  të atij fshati të madh ,nuk e njihnin këte fjalë. Për vite me radhë ata  jetonin të veçuar nga bota . Ishin njerëzit më moskokëçarës ndaj nderit . Vajzat e tyre hipnin e zbritnin nëpër makina të shtrenjta dhe ata ishin të qetë,mjaftonte që të  mos kërkonin para në familje.Varfëria kishte arritur deri aty, sa ata nuk po e kuptonin se dalëngadalë po shpërfytyroheshin deri në kafshëzim. 
Kur Eriku kalonte pranë tyre,ata luteshin që ai t’ja vinte syrin ndonjërës prej vajzave të tyre,kështu një,do të kishin një frymë më pak për tu ushqyer në familje.. Njëherë, një nga banorët i kishte dalë përpara, me vajzën e tij gjashtëmbëdhjetë vjeçe dhe i kishte thënë;- më ndihmo ta heq nga shtëpia. Kam pesë fëmijë dhe unë edhe gruaja jemi të papunë. Shih çfarë mund të bësh më të. Eriku e kishte parë vogëlushen nga koka tek këmbët  dhe nuk qe menduar gjatë,por e kishte futur në makinë. Pas dy orësh e kishte kthyer sërish tek i ati,me pretekstin se vajza ishte mjaft e paditur dhe injorante. Në sytë e përlotur të nënës së saj, shihje gëzimin që e bija po kthehej,ndërsa në vetullat e të atit,mllefin për fëmijën e tij,e cila ishte e pazonja e vetes dhe tani do flinte në darkë me barkun bosh. 
         Lopë e shëmtuar si jot ëmë- I kishte thënë ai. Rri këtu tani e vdis urie me ne të tjerët. Si nuk mendove pak për ne?!
Ndërkohë Eriku i kishte dhëne gaz makinës. Ai boli i shëndoshë ,të cilit dikur i vareshin qurret,ishte bërë zot mbi zotrat. Vendosëm ta takonim. Nuk ishte aspak e lehtë, të binim të dy në një mendje,për ato që do të bisedonim me të,por gjithësesi ,vendosëm ti merrnim gjërat shtruar dhe t’ja linim spontanitetit.
Kishim orë të tëra, që e prisnim tek vendi ku ai  rrinte,por po binte mbrëmja dhe djaloshi milioner,  nuk po dukej ende. 
         Nuk e di se çfarë planesh ke bërë në kokën tënde ,por le të shpresojmë të mos dalim huq. –ishin fjalët e Anxhelos.- Po të lë ty të flasësh se je më i qetë. Ti e di që unë marr zjarr kollaj. Po më bëri pordhë ja theva turinjtë. Nuk besoj se do të na mbaj inat për ato që i kemi punuar në kolegj.? 
         Ty ndoshta-u talla unë;por mua jo. Ti e di që unë sillem mirë me njerëzit.
         Për ty është fikës ajo shprehja që nuk e di ku e kam lexuar”Për te patur sukses në botë, nuk mjafton të jesh vetëm budalla, por edhe i sjellshëm.”
         Këtu ke të drejtë. Vetëm se, pjesa e parë i takon Erikut dhe kjo e dyta, mua.
         Po po. Nëse Eriku do ishte budalla,nuk kanë pse zënë radhë njerëzit për ta takuar. Ja midis tyre jemi edhe ne të dy.
         Njerëzit janë të varfër prandaj. 
         Kujt ja merrte mendja se unë dhe ti do vinim e të përplaseshim tek ai?! Ta dija kështu,e kisha mbytur atëhere në shkollë. E shumta në riedukim do përfundoja. Do i kisha bërë nder familjes së tij.
Të dy ja dhamë të qeshurës,por Anxhelo me zë më të lartë se i imi. Ai gjithmonë ishte i papërmbajtur ,kështu që edhe të qeshurën e kishte pa kontroll. E kishte këtë të mire,qeshte me gjithë zemër dhe nuk dinte ti bënte keq kujt. Fjalët i kishte të hidhura dhe të dhimbnin kur ti thoshte,por ndërronte shpejt mendje .
Eriku u duk më në fund. Ne, ishim ulur mu në krye të derës së lokalit ,për arsye që sapo ai  të hynte brenda, ti binim në sy. Në fakt zotria  as që na e hodhi shikimin.
Pas tij u futën dy burra. Isha i bindur që njërin prej tyre e kisha parë diku. Kujtesa ime më çoi tek djali i një njeriu të njohur që për vite me radhë kishte luajtur me popullin e tij. Ai kishte shitur e kishte blerë toka dhe sot po ndërtonte mbi një kodër një nga hotelet më luksi në atë vend. Kishte disa deformime në fytyrë,ndonëse e mbante veten për djalë të bukur. Gjithë kohës I lëpinte flokët lartë dhe sa here buzëqeshte,një ndjenjë e çuditshme tinxare I shfaqej në të dy cepat e buzës. Ata diçka po bisedonin kokë më kokë. Burri tjetër ishte rreth të dyzetave dhe mbante shënim. Mesiguri bënin llogari dhe nga mënyra se si flisnin me këmbë dhe më dorë,dukeshin që nuk po u dilnin  hesapet mirë. Ata nuk qëmdruan më shumë se dhjetë,dymbëdhjetë minuta. U ngritën si në shenjë revolte dhe dolën. 
-E vure re?- më tërhoqi vëmendjen Anxhelo. Duket që ka dale fitimtar nga ajo bisedë?! Shih se si kapardiset!?
Eriku kishte veshur një palë pantallona portokalli, me këmishë të kuqe. Këmishën, e kishte kombinuar me çorapet dhe në këmbë ,mbante të veshura ,një pale këpucë blu të errët. Mu duk kombinimi më pa shije,por kuptova që asgjë nga ato që kishte mbathur nuk ishin forte  të lira. Në pamje të parë u duk sikur kishte rënë  diçka në  peshë,por po ti vije veshin mirë,ishte i njëjti,madje më i shëmtuar se disa vite më parë. Por ja që kuleta plot, të tregon më të bukur dhe më të zgjuar.
Anxhelos nuk po i pritej.
         Do ti shkosh ti apo ti afrohem unë .
         Jo jo ti qëndro këtu-I thashë menjëherë. Po u afrove ti ,ke për ta djallosur punën . Mos na i prish planet. Kemi kaq ditë që përpiqemi ta takojmë dhe ti kërkon ti vendosësh flakën tani.. Merr diçka për të pirë dhe më prit ,deri sa të të bëj shenjë unë të afrohesh.
         Po sikur të bëj sikur nuk na mban mend?!
         Nuk e besoj. Pastaj nuk kanë kaluar aq shumë vite sa thua ti. Merre më lehtë dhe më prit këtu.
Gjatë gjithë kohës ,përpiqesha ta qetësoja ,por e dija mirë që Anxhelo mund të reagonte keq,nëse Eriku do të na largonte.. Ashtu siç ishte bërë ai njeri,nuk ja kishte nevojën kujt. Paraja të bën të  zgjuar, por edhe budalla. Unë dhe Anxhelo ishim këta dy të fundit. Dy budallenj ëndërrimtar ,të cilët kërkonin të ishin të pasur si ai. Por se ne ,duhet ta nisnim nga zero, sepse prindërit nuk na kishin lënë gjë,ndërsa Erikut, ja kishin servirur çdo gjë në pjatë të argjendë. Në atë vend,në vendin tim ,  vendin e Erikut,ishte koha kur ti mund të pasuroheshe po të ishe pak i mençur dhe po të kishe dy miq të fuqishëm. Po shkoja ti bëja një propozim atij. Kisha shkuar ti tregoja ,se në atë vend,në vendin tonë,ishte  periudha e lulëzimit të një luleje ,që kishte ngritur në këmbë gjithë botën ,por që vetëm në atë vend mund ta mbillje.Këtë lule të ndaluar,në fshati tonë të madh, nuk e prekte kush. Harrova t’ju them që këtu në këtë fshatin e madh ku jetonim ne ,vetë njerëzit i ruanin metrat katrorë që i kishin prone të tyre. Ata nuk kishin nevojë për policë sepse ata nuk besonin tek shteti.Vetëm se ata, nuk ishin të pasur ,sepse ata ishin vetëm bujq dhe nuk dinin të bënin punë tjetër ,por  me këtë lule ,atyre do tu ndryshone jeta . Kjo bimë e lakmuar nga bota e moderur, rritej shumë shpejt dhe kushtonte pak për tu kultivuar.Thuhej se kishte frymëzuar shumë njerëz të mëdhenj,por ne si fshat pak i kishim informacionet. Me ç’dukej Anxhelo atë ditë kur erdhi tek unë ishte i mirë informuar. Nuk e di se ku e kishte dëgjuar ai,por ideja që më dha, gjatë asaj bisede atë ditë,ma mbushi plotësisht mendjen që edhe ne, mund të pasuroheshim sa hap e mbyll sytë.Anxhelo më kishte thënë që bota çmendej për atë bimë. Ata e konsumonin si cigare në më të shumtën e rasteve ,dhe gjendja të cilën u jepte ishte e mrekullueshme. U përpoqa të gjej diçka nëpër librat e mi,por nuk kishte asnjë informacion,kështu që u mjaftova me ato ,të cilat më tregoi ai. Kur më fliste atë ditë mu duk e çuditshme,por kur më tregoi një gjethe të asaj bime , atëhere mu besua vërtet. 
         E kupton nëse ne mbjellim një tokë të madhe me këtë lloj bime?-fliste ai gjithë entuziazëm, bëhemi të pasur sa hap e mbyll sytë. Por nuk po di si ta sjellim farën e saj këtu. Duhen shumë lekë. 
Prandaj mua atë cast, më kishte shkuar mendja tek Eriku. Ai ishte I vetmi që mund të na ndihmonte. Nëse ai na jepte lekët ne bëheshim të tre ortakë. Me çfarë kisha mësuar,ishte më me interes ky lloj biznesi ,sesa ai që kishte trashëguar Eriku. E pse të mos ishte dakort ai ? Kurrë nuk do t’i merrte aq lekë me biznesin e tij. Të paktën gjëra të tilla kisha menduar gjatë gjithë asaj kohe,para se të merrja guximin e të shkoja tek ai.
Eriku ishte i rrethuar nga dy femra dhe një mashkull. Direkt,pasi u larguan ata dy burrat i erdhi porosia,një gotë e madhe me alkool.Tek kontrolloja hapat që më çonin drejt tij mendoja se, kur humbet dhe shpresa,fundi i tunelit të duket  pa dalje. Thonë se kur njeriu e dëshiron shumë diçka ,ajo bëhet realitet. Të dëshiroja,  ishte  një gjë që po rritej çdo ditë e më tepë  brenda meje. Nga çasti në çast prisja vetëm që edhe ëndërra të më bëhej realitet.Lufton,lodhesh,përpiqesh,ngrihesh e rrëzohesh dhe  e pamundura mund të bëhet  e mundur. Nga zhgënjimi shpesh njerëzit kanë rënë në depresion. Unë nuk i përkas asaj kategorie,por të zhgënjyerit më mbush me një  zemërim ,i cili më pas nis të zgjoj brenda  meje tërbimin. Shpresoja shumë që Eriku të mos më çonte drejt asaj gjendjeje. Kot shqetësohesha për Anxhelon. Unë isha më keq se ai.
-Hej!- ja bëri Eriku  sapo më pa. U ngrit në këmbë dhe u përqafua me mua sikur ta kishte marrë vërtet malli. Shoku im i kolegjit!? Po ti çfarë bën këtu?
Më pëlqeu ai takim i parë. Fillimi i mbarë ,gjysma e punës – thuhej nga anët tona. –Unë këtu jetoj ,por ti ke qenë I larguar për disa kohë,-ja ktheva;-por prit se nuk jam vetëm. Jam me Anxhelon. Po e thërras të afrohet këtu me ne. Apo vazhdon ti mbash inat që nga kolegji?Eriku qeshi. Inat?!  Po në ato vite kemi qenë fëmijë. Sot jemi rritur. Ku është se nuk po e shoh? 
Anxhelo nuk priti t’ja bëja me shenjë dy herë.U afrua  nxitimthi ,sepse e kishin lodhur ato orë pritjeje. Të tre ju shtruam bisedave dhe të pirit sikur të mos ishim ndarë asnjë ditë nga njëri-tjetri. Eriku vërtet nuk kishte ndryshuar shumë në trup dhe kishte një shëndet të tepruar me shtresa dhjami,por nga mendja dukej se qe rritur. Ai fëmija që e vendosnim shpesh në lojë dhe e bënim për të qarë,ishte bërë më i rafinuar. Ja dha të qeshurës me të madhe kur ne i treguam idenë tone për tu pasuruar. As unë,as Anxhelo nuk po e kuptonim se përse duhet të qeshte aq shumë,megjithatë pritëm të pushonte dhe t’ja kuptonim arsyen.
-Seriozisht e keni gjithë këtë?-arriti të nxirrte ai nga goja. Bobo sa prapa paskeni mbetur ju!? Po pse, si kujtoni se  e kam vendosur unë gjithë atë pasuri? Me lekët e tim eti?! Po të ishte për atë,me gjithë këto shpenzime që bëj çdo ditë,ai do kishte falimentuar me kohë. Gjithësesi mirë se erdhët në botën reale! 
Kishim mbetur si dy guakë në tavolinë dhe shihnim një-tjetrin në sy. Ndryshe nga unë,Anxhelo ishte zverdhur. Me siguri ato çaste mendonim të njëjtën gjë,sesi po merrte fund, edhe ajo ëndërr e bukur që na kishte lënë zgjuar  ato ditë. Të gjitha ato biseda që kishim qenë duke bërë,i mori ajri i ndotur i atij ambjenti dhe i flaku  jashtë,sapo u hap aspirimi. Një çast ,më erdhi turp që isha aq prapa në informacion. Unë që e mbaja veten për djalë të zgjuar! Ja hodha sytë sërish Anxhelos. Tani edhe atij I kishte ndryshuar ngjyra e fytyrës nga e verdhë në të kuqe. Vetëm se ishte mbushur në buzën e sipërme dhe të poshtme ,me djersë. 
Gjithësesi ai takimi ynë atë ditë nuk shkoi kot. Eriku na bëri një tjetër propozim interesant. Vërtet ne nuk do ishim aq të pasur sa ai,por të pakën, kështu nuk do dilnim duarthatë. Ne do të punonim për atë dhe do të paguheshim shumë mire. Ne do të ishim në këmbë tij,sa here që ai do të merrej me punëra të tjera. Nga sakush nuk do të kishim asnjë problem,sepse këtë gjë e zgjidhte ai.Në fund të fundit nuk ishte keq. Sa pa gjë fare gjithësesi ai na premtoi që ortakëria do të ishte e ndershme,por se ai do të merrte diçka më tepër,sepse ai po na ftonte ne biznesin e tij të sapo hapur.
Kishin kaluar vetëm tre muaj nga biseda jonë me Erikun dhe bima jonë çudibërëse kishte marr dhenë. Unë dhe Anxhelo kujdeseshim që ajo të rritej e shëndetshme dhe të shumohej ,ndërsa Eriku bënte transportin e saj. Punët ishin ndarë. Menjëherë  banorët e fshatit tone të madh u treguan të gatshëm ti përgatitnin tokat e tyre, dukeiI punuar dhe pluhurosur dhe ato ishin gati për tu mbjellë. Kishte nisur e gjitha si një lojë argëtuese. Ajo ishte gjëja më e mire që mund të bënin,për ta mbytur mërzinë dhe varfërinë ,e cila kishte kohë ,që po i gllabëronte. Çdo ditë pasi kishin mbaruar së vadituri pjesët e tyre,për të cilat ata kujdeseshin,mblidheshin në qendër të fshatit dhe tregonin me mburrje, se sa bukur dukeshin kopshtet dhe tokat e tyre. Dashur pa dashur ishte futur midis tyre një tjetër fjalë e huaj,siç ishte “konkurrenca”.
Gjatë kohës që unë dhë Anxhelo shkonim për tu hedhur një sy,kujdeseshim që tu jepnim atyre edhe të holla. Nëpër dhomat e shtëpive të tyre ndizeshin të gjitha dritat dhe ata nuk kishin më nevojë që të kursenin. Jeta e banorëve të atij fshati nisi të ndryshonte. Në bisedat e tyre burrat dukeshin më të zgjuar. Atyre nuk u mungonte më entuziazmi dhe nuk i rezervonin të qeshurat. Nëpër sytë e tyre ndihej drita e shpresës. Nuk kishin më nevojë ti shisnin vajzat e tyre,por ti shtonin pretendimet për bashkëshortët që do tu kërkonin dorën .
Eriku ndërkohë, kujdesej që malli të transportohej pa problem dhe për këtë thoshte se e ndihmonte një shoku i të atit ,I cili kishte mbaruar shërbimin ushtarak me të. Ndonjëherë ,isha kurioz ta njihja atë njeri,por Erikut nuk i pëlqente që ta ekspozonte,ose ndoshta kishte frikë ,se ne do t’i bënim ndonjë lidhje të shkurtër dhe do ta nxirrnim atë jashtë loje. 
-Ka frikë nga ne- më tha një ditë Anxhelo. – nuk  e ka krijuar ende besimin. 
– Po përse duhet ta mendoj këtë- mbaj mend që duhet ti kem thënë. 
– Pse ti nuk do doje që të punoje për vete dhe të mos ishe qeni i tij besnik?!- mu përgjigj ai ,duke më pare drejt e në sy. Pastaj vazhdoi:- Kjo nuk ishte ëndërra jonë. Kjo vazhdon të mbetet ëndërra e tij.
Më friksonte sa here fliste ashtu. Unë isha i kënaqur me çfarë kishim arritur. Paguheshim mirë dhe kishim filluar të vendosnim  edhe disa para mënjanë. Çfarë kërkonte më tepër njeriu? Por mesa duket, Anxhelo nuk mjaftohej me aq. U përpoqa t’ja ndërroj temën e bisedës, por ai e kuptoi menjëherë. Ishte e vështirë ti bëje dredhi gjatë një bisede. Gjithësesi e mbaj mend si sot se çfarë më tha në ato çaste. “ Mendoje njëherë”- ishin fjalët e tij prerë.
Nami për bimën tonë  çudibërëse kishte marrë dhenë. Nga i gjithë rruzulli kërkonin farën e saj. Blerësit ishin aq të shumtë në numër sa nuk mjaftonin tokat e fshatit tonë të madh për ti mbuluar të gjitha  kërkesat e tyre blerëse. 
         Lartë në mal,jam i bindur që kjo mund të rritet po njësoj- tha një ditë një nga banorët kur na pa të shqetësuar se si  po e ndanim mallin,për tu dhënë të gjithëve nga pak që të mbateshin të kënaqur e të mos dilte asnjëri duar bosh. 
         Ta provojmë përse jo- ja ktheu menjëherë Eriku. Ai ishte I prerë për ato punë. Kot shpresonte Anxhelo që unë dhe ai mund të punonim  për veten tonë,por unë isha i bindur se pa Erikun ,ne do të dështonim në gjithçka.
Dhe kështu nisën të mbilleshin dhe tokat në mal. Nuk mbeti pëllëmbë toke pa i hedhur farën. Gratë e banorëve të fshatit ,nisën të shkulnin lulet nga saksitë, e në vend të tyre, të mbillnin bimën tonë. Por prap nuk mjaftonte. Çdo ditë e më tepër blerësit shtoheshin. 
         Po sikur ti mbjellim edhe tarracat e shtëpive- u hodh një tjetër banor.
         Kjo nuk më duket ide e keqe-  thashë unë. Kush i kishte shtëpitë me tarraca ,zunë të mbillnin. Ata që i kishin me tjegulla, i shihnin shtrembër këta të tjerët dhe zunë të mos i përshëndetnin më rrugës. Ndërmjet banorëve nisi një luftë e ftohtë ,në heshtje. Ky ishte problem tepër  i madh për mua dhe Anxhelon. Na u deshën ditë të tëra që tu mbushnim mendjen se asgjë nuk ndryshonte. Pagesa do të ishte e barabartë për të gjithë,mjafton që kauzën tone për të mjellë me cilësi të mos e humbnim. Një mbrëmje Eriku na ftoi për të pirë një gotë të dyve.
         Jam në hall-na tha në pije e sipër. Janë shtuar blerësit. Nuk po di si t’ja bëj?! Ka gjithë natën që mendohesha mbrëmë dhe nuk i jap dot zgjidhje. 
         -Po sikur të marrim ca toka borxh  nga ky shteti ngjitur me ne- i thashë. 
         Jo, jo nuk më duket ide e mirë –kundërshtoi  Anxhelo.- Nuk do jemi dot në gjendje ti ruajmë pastaj. Natën ata mund të na vjedhin ndonjë rrënjë dhe nisin ta mbjellin vetë. Do të na largohen blerësit. 
         Ke të drejtë- miratoi Eriku. Ata mund të fuqizohen më shpejt, sepse i kanë  tokat më pjellore  se ne. Nuk bëhet kjo gjë. Bima nuk duhet të dalë nga fshati ynë,ndryshe morëm fund. Harrojeni ëndërrën për tu pasuruar pastaj!
E vramë mendjen shumë të tre por nuk e gjetëm dot një zgjidhje. 
-Po sikur të pyesim të moçmin – I thashë unë. E kisha fjalën për banorin më të vjetër të fshatit tone. Atij kishte vite që I kishte ikur shikimi,por ishte aq i zgjuar, sa banorët e tjerë e mbanin si perëndi.
Të moçmin e gjetëm të ulur në oborrin e shtëpisë. Kishte marr një gjethe nga bima çudibërëse dhe po e thithte. Dukej që ishte më mirë me shëndet, nga sa e kisha parë herën e fundit. Na uli pranë vetes dhe nisi të na përgëzonte për atë të mire  që i kishim sjellë atij fshati. 
-Nuk vuaj më nga asnjë sëmundje tani- na tha. – Sa marr e thith një cigare prej kësaj,(dhe nxori nga xhepi një tjetër gjethe)jam si jo më mirë. Por halli ynë ishte tjetër kund dhe jo tek shëndeti i tij. 
-Më kanë thënë,sepse unë nuk shoh gjë-vazhdoi ai,se çdo gjë tani duket jeshile. Tokat ,malet,shtëpitë….
-Po por prap është shumë pak- e ndërpreu Eriku. Nuk kemi vend më për të mbjellë.
I mençuri u mendua pak. Mbylli sytë. Shpeshherë e bënte këtë veprim kur mendohej,thua se kur ti hapte do të shihte,por asgjë nuk ndodhte,përveç fjalëve  të mençura  ,që i dilnin nga goja.
         Enët që kanë banorët nëpër shtëpi –foli ai
Ne nuk po arrinim të kuptonim gjë,dhe pamë njëri-tjetrin në sy. Por i mençuri e kuptoi menjëherë hutimin tonë ,kështu që u përpoq të fliste më qartë:- tenxhere,tepsi,kova,legena ,ç’të kenë ti nxjerrin dhe të mbjellin në to-tha pastaj. 
Deri këtu asnjërit nga ne ,nuk i kishte shkuar mendja. Duhej bërë sa më parë një mbledhje më banorët dhe tu jepeshin udhëzimet. Dhe siç tha i mençuri u bë.
Nuk kaluan shumë ditë dhe banorët i nxorën të gjitha sa ç’kishin në shtëpi. Ata nisën ti sistemonin ato nëpër ato pak vende që u kishin mbetur bosh dhe zunë të mbillnin  bimën çudibërëse. Tani asnjë copë territori dhe asnjë objekt nuk mbeti pa u mbjellë. Fshati ë madh u zaptua I gjithi nga gjethet me ngjyrë, mes të gjelbrës dhe kafesë. Herë pas here,ata tymosnin edhe vetë nga një gjethe të sajën dhe ishin më të lumtur se më parë. Hallet e tyre dukeshin sikur kishin marr fund dhe midis bisedave të tyre nuk kishte më grindje fjalësh,por vetëm kënaqsi dhe eufori. Që kur kjo bimë hyri në jetët e tyre ata shihnin më mirë,nuhasnin më mirë, shijonin dhe dëgjonin më mirë. Në fshat nuk kishte më njerëz të sëmurë,por njerëz të uritur dhe pulse që rrihnin gati në shpërthim.
Edhe unë ,së bashku me Anxhelon dhe Erikun ishim më të qetë. Biznesi po ecte mire dhe askush nuk mund të na I merrte atë. Çdo natë banorët bënin roje . ata ndërronin njëri-tjetrin dhe I kishin si sytë e ballit ato rrënjë,të cilat kishin hedhur shtat dhe ishin më të bukurat se çdo gjë tjetër.
Fshati ynë i madh, nuk ishte më i panjohur. Ai lakmohej nga të gjithë. Të izoluar në lumturinë tone, ne dhe banorët ,shkonim mrekullisht mirë me njëri-tjetrin. Koha e paqtë dukej se po lulëzonte që me zhvillimin e asaj bime. Dikush një natë kishte tentuar të hynte në fshat,por banorët e kishin ndaluar që në hyrje të rrugës që të çonte në shtëpitë e para në fshat. Jetonim të lumtur. Secili i dinte detyrat e veta. Kur shihnim që mund të kishim ndonjë  grindje,nisnim e tymosnim nga bima jonë dhe çdo gjë sheshohej. Na kthehej harmonia si më parë.
Nje mbrëmje Erikun, e gjetëm sërish  të shqetësuar. Dikush në fshatin ngjitur,kishte mbjellë një parcelë të madhe me bimën tonë.
-Morëm fund tani-na tha . Shumë shpejt ata do të na nxjerrin jashtë tregut. Nuk e di se si ndodhi e gjitha kjo,por jam i bindur që dikush nga banorët e ka nxjerrë ndonjë rrënjë jashtë fshatit tonë. 
Nuk e di si mund të kishte ndodhur ajo,sepse askush nuk dilte nga fshati me përjashtim të Erikut. Unë dhe Anxhelo nuk mundeshim t’ja thonim sepse na pinte e zeza pastaj!
-Vriteni mendjen dhe ma gjeni tradhëtarin –na tha ai duke u larguar. Kam për ta rrjepur të gjallë. 
Ishte e vështirë. Nuk dinim kujt t’ia vinim gishtin. Vrisnim mendjen dhe i kalonim në kokën tonë të gjithë emrat e banorëve,por nuk dyshonim dot tek asnjëri. 
-Unë mendoj që Eriku vetë e ka nxjerrë jashtë fshatit-shpërtheu Anxhelo më në fund. E kupton që kështu pasurohet më tepër,dhe nuk do që ta vazhdojë më ortakërinë me ne. 
Edhe mua në fakt vetëm tek ai më shkonte gishti,por më parë duhej të sigurohesha. 
-Duhet ta ruajmë –vendosëm bashkarisht .
Fshati tjetër kishte nisur të lulëzohej si I yni. Thuhej se në krye kishin një baron ,për të cilin ishin hapur shumë fjalë se ishte më I pasur se Eriku ynë. Ai kishte ndërtuar edhe një shtëpi të vetën aty dhe kështu I kontrollonte vetë nga afër punëtorët e tij. Këtë baron,qe hapur fjala se e kërkonte gjithë bota sepse duhet të ishte marrë me punë të pista,por menjëherë me mjelljen e kësaj bime e kishte pastruar figurën e tij.
Ndërkohë ,në fshatin tonë, banorët kishin nisur të rebeloheshin. Diçka po ndodhte midis tyre. Eriku nuk shihej asgjëkundi. Tentuam disa herë ta takonim, por nuk po merrnim lajm prej tij.Gjithë fshati dukej sikur po dilte nga binarët. Pema çudibërëse kishte lëshuar rrënjë kudo. Ajo kishte lëshuar filizat e saj nëpër të  çarat e mureve,parvazët e dritareve, kishte shqyer pllakat e dyshemesë dhe ishte futur brenda  në dhomë e po bashkëjetonte me ta. Unë dhe Anxhelo ,për të trokitur nëpër dyert e tyre,na dukej të çanim me dorë rreshtat me të mbjella. Kishte filluar të më trembëte gjithçka po ndodhte.
-Edhe ne duhet t’ja mbathim nga këtu-I thashë Anxhelos. 
-Ku shkoi ëndërra jote për tu pasuruar – më tha ai.
Mua më kishte hyrë frika në palcë dhe herë pas here ndjeja mornica në trup. Tek shihja ,se si turma e atij fshati hungërinte dhe bënte si e tërbuar, nuk po pyesja  më,për ëndërrën time të kaherëshme. Shumë kohë më vonë e mësova që tërbimi I tyre vinte ngaqë edhe fshatrat e tjerë kishin mbjellë pemën tonë. Ajo tashmë lulëzonte ngado.Mu desh të largohesha ca kohë nga ai fshat,për shkak të frikës që më kishtë pushtuar,ashtu kur të pushton djalli. Në media një ditë ,kur vitet kishin kaluar më zunë sytë Erikun. Kishte mbetur po i njëjti i atyre viteve. 
-Po ju mos mbillni vetëm zarzavate e perime;- I thoshte botës.- Mbillni edhe ndonjë gjë tjetër. E kuptova ku e kishte fjalën ky i çmendur. Gjithë bota qeshte më të. Mesiguri kur i nxirrte ato fjalë nga goja, duhet të ishte patjetër nën efektin e gjethes së bimës . Ndërsa për Anxhelon më ka ardhur vërtet keq. Ata e akuzonin atë, si shkaktarin e mbjelljes së asaj bimçudibërëse.
Unë vazhdoj sot e kësaj dite të jem i varfër,ndonëse çdo natë fle me ëndërrën, se si do të pasurohem një ditë.
Share: