INTERVISTA: Flet Zef Preçi, Drejtori Ekzekutiv i Qendrës Shqiptare për Kërkime Ekonomike
Reforma në institucione pa analizë dhe objektiva rrezikon përsëritjen e gabimeve
NENTITULLI
Në periudhën afatshkurtër, përveçse një tronditje e fortë e administratës aktuale, njëlloj “pastrimi” saj – uroj që të mos motivohet politikisht – nuk besoj se do të sjellë ndonjë përfitim të dukshëm. Në të njëjtën kohë, nuk duhet injoruar edhe kostoja financiare e ndryshimeve të pritshme në administratën publike
Injorimi i përvojës sonë, paqartësitë rreth modelit që mendohet të adaptohet nëpërmjet reformës së premtuar dhe më keq akoma, vazhdimi i eksperimentimit “ngrij-shkrij” alla-shqiptar, rrezikon të përsërisë jo vetëm gabimet dhe fajet e dy dekadave të fundit, por edhe të rrisë koston e vetë procesit të stabilizimit të funksionimit të institucioneve qeveritare të vendit, u shpreh Zef Preçi, Drejtori Ekzekutiv i Qendrës Shqiptare për Kërkime Ekonomike.
Eksperti thotë se nuk është argumentuar mjaftueshëm shkurtimi i pritshëm në administratën qeveritare të vendit, jo se duhet “çimentuar” administrata ekzistuese, por duhet kuptuar se çfarëdo shkurtimi i nxituar numerik, dëmton më tej cilësinë e shërbimeve publike që ofrohen prej kësaj administrate.
“Mendoj se është e nevojshme që qeveria të zbardhë për publikun analizën që ka kryer për mosfunksionimin si duhet të institucioneve të saj, të ofrojë modelin krahasimor që ka përzgjedhur dhe njëkohësisht të sjellë argumentet “pro” dhe “kundër” në adoptimin e këtij apo të atij modeli”. Ai sugjeron se analiza e së shkuarës së afërt dhe rikthimi në vëmendjen e objektivave qeverisës të procesit të integrimit europian do t’i shërbente në të vërtetë përshpejtimit të zhvillimit ekonomik dhe shoqëror të vendit.
Cili është vlerësimi juaj për reformën në institucione në drejtim përqendrimit?
Në çfarëdo reforme institucionale, mendoj se “vijat kufizuese” lidhen me modelin e shtetit që ligjvënësit dëshirojnë të ndërtojnë, me trashëgiminë e mëparshme dhe ndryshe me “historinë” e shtetit, por edhe me synimin bazë, që mund të jetë p.sh. vënia e administratës qeveritare në shërbim të përshpejtimit të zhvillimit ekonomik dhe shoqëror të vendit, në funksion të integrimit europian të tij. Mirëpo, që të arrihet në momentin e propozimeve me të cilat është përballur opinioni publik ditët e fundit është e nevojshme të merren në konsideratë këta faktorë rrethanorë minimalë, e në mungesë të tyre është vështirë të gjykosh…
Ndërkaq, nuk duhet injoruar edhe fakti se për reformat institucionale të kryera deri më sot, veçanërisht gjatë 10 viteve të fundit dhe aq më tepër gjatë mandatit, janë shpenzuar dhjetëra miliona euro nga borxhi publik apo asistenca e huaj e specializuar për këtë qëllim. Me këtë dua të them se për hapa të tilla është e nevojshme që të analizohet ecuria e derisotme, problemet dhe përvoja e grumbulluar, boshllëqet që janë shfaqur, dështimet dhe sukseset në përballimin e tyre, etj. Kjo për faktin e thjeshtë se injorimi i përvojës sonë, paqartësitë rreth modelit që mendohet të adaptohet nëpërmjet reformës së premtuar dhe më keq akoma, vazhdimi i eksperimentimit “ngrij-shkrij” alla-shqiptar, rrezikon të përsërisë jo vetëm gabimet dhe fajet e dy dekadave të fundit, por edhe të rrisë koston e vetë procesit të stabilizimit të funksionimit të institucioneve qeveritare të vendit.
Pavarësisht kësaj, në një terren më praktik, mendoj se janë disa konkluzione që duhen marrë në konsideratë. Kështu, pa pretenduar për një trajtim shterues, në debatin rreth kësaj teme, kam vënë re se ekziston një konsensus i gjerë në spektrin politik vendas se Shqipëria, në krahasim me vendet e tjera të Ballkanit Perëndimor ka një numër relativisht të vogël nëpunësish për 1 mijë banorë. Kjo e dhënë, edhe pse thjesht numerike/sasiore, është një tregues pozitiv për vendin, i konfirmuar edhe nga institucionet dhe organizmat ndërkombëtarë, që vlerësojnë performancën e administratës publike në vendet e ndryshme të botës (SIGMA apo OECD, etj.). Ndërsa në kontekstin e reformës institucionale të saposhpallur nga qeveria e re që fillon punë pas pak ditësh, kjo përkthehet në faktin se nuk është as i dobishëm dhe as i argumentuar mjaftueshëm shkurtimi i pritshëm në administratën qeveritare të vendit. Me këtë, nuk dua të them se duhet “çimentuar” administrata ekzistuese, por duhet kuptuar se çfarëdo shkurtimi i nxituar numerik dëmton më tej cilësinë e shërbimeve publike që ofrohen prej kësaj administrate.
Së dyti, pranohet gjerësisht se problemet më të mëdha me administratën publike shqiptare lidhen me performancën e saj. E nëse e shohim pak më thellë këtë problem, nuk është vështirë të kuptohet se pavarësisht kuadrit ligjor bashkëkohor dhe “garancive” ligjore për nëpunësit civilë dhe sektorin publik në tërësi, performanca e dobët e saj lidhet me politizimin e kësaj administrate, me shitblerjen e shndërrimin e posteve drejtuese të niveleve të ndryshme teknike në një mjet shpërblimi për militantët partiakë, për kontribuues fushatash zgjedhore, për biznesmenë, etj. D.m.th institucionet shqiptare kanë vuajtur shumë mosrespketimin e kuadrit ligjor në fuqi për drejtimin e tyre, por edhe të procedurave të rekrutimit, vlerësimit të punës, promovimit në detyrë apo dhe largimit të pamotivuar nga puna.
Së treti, pranohet që vendi ynë nuk ka ndonjë traditë të konsoliduar shtetformuese, por kjo nuk duhet të lejojë që krijimi i kësaj tradite të kalojë përmes gabimeve të përsëritura, eksperimenteve voluntariste apo thjesht vullnetit të “unit” pa menduar për pasojat imediate dhe ato afatgjatë që krijohen me këtë rast. Më konkretisht, mendoj se është e nevojshëm që qeveria të zbardhë për publikun analizën që ka kryer për mosfunksionimin si duhet të institucioneve të saj, të ofrojë modelin krahasimor që ka përzgjedhur dhe njëkohësisht të sjellë argumentet “pro” dhe “kundër” në adoptimin e këtij apo të atij modeli. Kjo edhe për faktin se kjo ka qenë praktika apo procedura e zbatuar në reformimin e institucioneve qeveritare në vendet e reja anëtare të Bashkimit Europian, qysh në ditët e para të anëtarësimit të tyre.
Së katërti, pavarësisht se numri i përgjithshëm i nëpunësve për 1 mijë banorë është në nivele relativisht të ulëta, duhet pranuar se në nivel dikasteri (ministrie) vendi ynë kishte një numër të madh syresh. Kjo do të thotë se zvogëlimi i numrit të ministrive është një hap që duhet përshëndetur. Por kur flasim për bashkimet dhe mënyrën se si janë ndërtuar disa prej tyre, kam përshtypjen se më shumë se në konsolidimin e shtetit janë bërë nën ndikimin e interesave personale apo atyre të momentit.
Sepse në planin kushtetues, këto institucione duhet të jenë ekuivalente dhe të balancuara. Përndryshe krijohen situata gati qesharake si ato që kemi hasur në dekadën e parë të tranzicionit kur publiku fliste për “ministrin plus një çikë” apo më vonë për “ministrat e plotfuqishëm dhe hijerëndë” dhe sot fare mirë mund të flasë për super-ministri”, në këto të fundit, ekziston rreziku që të dëmtohet koncepti i ministrisë së linjës, por edhe të bashkohen në një të vetme sektorë apo degë që nuk kanë shumë aspekte të përbashkëta, po më keq akoma, kur flitet për ministri të linjës dhe ato ndërsektoriale së bashku.
Kështu personalisht e kam të vështirë të gjej ndonjë lidhje midis energjisë dhe punëve publike apo ndryshe infrastrukturës, përveç faktit se portofola të rëndësishme investimesh publike duhet të kontrollohen nga njerëzit më luajalë ndaj shefit të ekzekutivit. Në shtypin e këtyre ditëve janë hedhur edhe disa të tjera p.sh. mbi përqendrimin e prokurimeve publike në emër të rritjes së performancës, por mendoj se, nëse do të ndërmerret një hap i tillë, kjo do të ishte jo vetëm e nxituar, por edhe braktisje e një përvoje relativisht të mirë të prokurimit elektronik mbi bazën e mbështetjes së programit Sfida e Mijëvjeçarit, etj.
Studimet tona dhe të të tjerëve mbi korrupsionin në prokurimet publike tregojnë se abuzimet me fondet ndodhin kryesisht dhe nën ndikimin e titullarëve të institucioneve prokuruese të të gjitha niveleve për favorizimin të firmave të lidhura me to, për shkak të copëtimit të fondeve në vepra dhe blerje të vogla, për shkak të lejimit nga institucioni rregullator i prokurimeve të blerjeve apo kontraktimeve në kushtet e emergjencës, për shkak të ndikimit të deputetëve dhe personave të tjerë të veshur me pushtet politik në përzgjedhjen e firmave fituese, marrëveshjet e fshehta për fiksimin e çmimeve të ofertave apo për ndarjen e tregut midis këtyre të fundit, etj. Monopolizimi i këtij procesi në duart e një njeriu të vetëm mendoj se e përkeqëson më tej situatën aktuale të prokurimeve.
Përfundimisht, në mënyrë të përmbledhur, pavarësisht vullnetit të mirë të deklaruar, në vlerësimin tim ndërmarrja e hapave të tillë pa përgatitjen e nevojshme, por edhe duke injoruar përvojën e derisotme, kjo do të jetë një reformë e vështirë dhe do të konsumojë kohë të çmueshme dhe fonde të konsiderueshme të nevojshme për përballimin e problemeve prioritare që ka vendi që lidhen me papunësinë konstante, klimën e rënduar të biznesit, mungesën e besimit dhe për rrjedhojë edhe të pranisë së investitorëve të huaj, prirjen e largimit të popullsisë, të kapitalit dhe të pjesës më të shkolluar të rinisë së vendit, etj. Në kushtet e sotme të reformës së deklaruar të administratës publike, e cila sipas të dhënave të shtypit pritet të prekë më shumë se 40% të nëpunësve publikë të ministrive dhe institucioneve të vartësisë që gëzojnë statusin e nëpunësit civil, nuk duhen injoruar edhe kostot shtesë të këtij procesi.
Të tilla janë humbja e “memories institucionale”, për shkak të largimeve masive nga puna, fakti se të ardhurve rishtas në administratën publike ju nevojitet një kohë të caktuar për t’u përshtatur me kërkesat e vendit të punës, gjë që nuk mund të mos krijojë shqetësime për sa i takon performancës së kësaj administrate në periudhën tranzitore, përkeqësimit të cilësisë së shërbimeve të ofruara prej saj, probleme këto për të cilat dëgjuam shumicën e ankesave të qytetarëve gjatë sezonit të dëgjesave publike më herët kësaj vere.
Me këtë dua të them se, më shumë se nëpërmjet shkurtimeve drastike dhe rinovimeve në stafet e nëpunësve civile, vendi shërbehet duke përmirësuar performancën e administratës publike, duke rritur shkallën e besimit dhe garancisë ligjore për paprekshmërinë politike të kësaj administrate, duke zbatuar kriteret dhe principet e njohura të vlerësimit të punës në secilën hallkë të shërbimeve publike që ju ofrohen qytetarëve dhe bizneseve.
Cilat janë kostot/përfitimet e këtij procesi në periudhën afatshkurtër dhe afatgjatë?
Në periudhën afatshkurtër, përveçse një tronditje e fortë e administratës aktuale, njëlloj “pastrimi” saj – uroj që të mos motivohet politikisht – nuk besoj se do të sjellë ndonjë përfitim të dukshëm. Në të njëjtën kohë, nuk duhet injoruar edhe kostoja financiare e ndryshimeve të pritshme në administratën publike. Mbetet për të parë çfarë do të ndodhë edhe me koston politike të këtij procesi. Kjo mbasi një numër ndryshimesh lidhen me amendimet me kodet e ndryshme, për të cilat nevojitet shumicë e cilësuar në Kuvend.
D.m.th kjo reformë që tejkalon caqet e një mandati qeverisës, rrok edhe fusha të tjera që mund të bëjnë të nevojshme edhe amendimin e vetë Kushtetutës së vendit me të gjithë problematiken politike që shoqëron procese të tilla. Derisa në periudhën afatgjatë, nëse shumica e re parlamentare do të ketë përgjegjshmërinë për të zhvilluar një proces transparent dhe të gjerë dialogu me opozitën dhe grupet e interesit mund të sjellë përfitime për vendin që shprehen në konsolidimin e institucioneve të ekonomisë së tregut dhe rritin qëndrueshmërinë dhe përmirësojnë performancën e tyre.
Një përfshirje më e gjerë e opozitës në ato aspekte të reformës që prekin themelet e shteti, siç është edhe administrata publike, pavarësisht problemeve të veta të brendshme të riorganizimit të opozitës, do të ndihmonte për një ridimensionim pozitiv të rolit të Kuvendit në përmbushje të funksioneve të veta kushtetuese si dhe për ndërmarrjen e një kuadri rregullator të qëndrueshëm në kohë, si dhe do të kontribuonte që të marrë fund njëherë e mirë procesi alla-shqiptar në “prish e ndreq” në administratën publike, pak a shumë si në historinë e lashtë të ndërtimit të Kalasë së Rozafatit.
A do të ishte e rëndësishme që reforma institucionale të shoqërohej me një model të ri ekonomik?
Siç e përmenda edhe më sipër, varet shume se cili është funksioni i qëllimit të kësaj reforme: a synon konsolidimin e sundimit të një partie, vënien nën kontrollin e saj të të gjithë institucioneve të shtetit apo ka për qëllim kapërcimin e problemeve të akumuluara gjatë këtij tranzicioni të stërzgjatur dhe afrimin e vendit me BE-në për të pasur një shtet normal, funksional, në shërbim të interesave themelore të qytetarit, gjë që nënkuptohet nga retorika politike që shoqëron këtë nisme të qeverise?
E nëse besojmë këtë të dytën, atëherë natyrshëm lind problemi i modelit të ofruar si për institucionet në individualitetin e tyre, ashtu edhe në tërësinë e tyre. Më konkretisht nëse flitet p.sh. për bashkimin e Ministrisë së Financave, të Ekonomisë dhe të Punës në një dorë të vetme, Kuvendit dhe opinionit publik i duhet sqaruar se në cilin vend të botës gjendet ky model? Çfarë synon ky bashkim mekanik i disa institucioneve disi tradicionale të shtetit, por edhe duke përqendruar në një dorë të vetme funksionet e planifikimit të shpenzimeve buxhetore, ndjekjen e zbatimit të tyre dhe auditimin apo kontrollin e brendshëm të shpenzimeve buxhetore?
A e justifikon problematikën serioze në përgjigje të sfidës së papunësisë që ka vendi dhe nevojës së ngutshme për politika pro punësimit dhe nxitjes së sipërmarrjes? Ose ideja e dekoncentrimit të pushtetit nëpërmjet krijimit të disa rajoneve (katër në secilin nga shërbimet kryesore publike) si lidhet me reformën territoriale, reformën shëndetësore, reformën arsimore, reformën e inspektorateve, etj. Që në fakt, edhe ato janë ende në fillimet veta dhe askush nuk mund të thotë se ajo çfarë është bërë tre-katër vitet e fundit e përmirësoi apo e përkeqësoi funksionimin e këtyre inspektorateve? Mendoj se duhet pasur kujdes nga ofrimi i nxituar dhe pa shumë argumente i modeleve që janë funksionale në shtete të mëdha apo atyre me traditë të hershme në qeverisjen e decentralizuar apo federale (Austria, Gjermania, etj.), ashtu sikurse nuk duhen injoruar ato arritje të mira modeste tonat të dekadës së fundit.
Në përgjithësi, edhe pse nuk mund të flitet për një model ekonomik qartësisht të dallueshëm në një vend të vogël si yni, mendoj se vënia e reformës administrative në shërbim të përshpejtimit të zhvillimit ekonomik e shoqëror të vendit është më se e dëshirueshme. Duke lexuar sugjerimet e mia si më sipër, duke përfshirë rekomandimin për krijimin e një banke zhvillimore, mund të mendoje se unë po promovoj ide etatiste dhe se deklarimet e zyrtarëve të lartë, duke përfshirë kryeministrin Rama flasin për procesin e kundërt, d.m.th. për derregulimin. Gjej rastin të sqaroj se në botën demokratike nuk ka receta për shkallën e kontrollit shtetëror mbi ekonominë publike për faktin e thjeshtë se, si në rastin e përfshirjes së gjerë dhe të drejtpërdrejtë të shtetit, ashtu edhe në rastin kur shteti luan një rol më të vogël, pra në të dyja rastet, ofrimi i shërbimeve publike mbështetet në rritjen e përhershme të cilësisë së tyre dhe uljen e kostos së tyre për qytetarët. Në tërë këtë proces, themelore mbetet ndërtimi i urave dhe besimit midis qytetarëve dhe shërbimeve publike të ofruara nga qeveria mbi këtë bazë.
A është mundur që teknikisht dhe juridikisht të bëhet bashkimi i tatimeve dhe doganave. Sa e mundur është kjo reformë?
Në fakt, kjo ide zë fill që në vitin 2002 dhe duket se tani janë pjekur kushtet ligjore dhe institucionale, d.m.th. është krijuar edhe infrastruktura e nevojshme e baza logjistike për realizimin e saj në praktike. Sipas mendimit tim, në tërësinë e riorganizimit të institucioneve qeveritare, ky hap i shërben në të vërtetë rritjes së performancës fiskale dhe mund të kontribuojë në terma realë në reduktimin e evazionit dhe në ndërtimin e një institucioni të mirëfokusuar në vjeljen e të ardhurave buxhetore, por edhe në ndërtimin e një dialogu konstruktiv me komunitetin e biznesit, në kryerjen e analizave financiare mbi bazën e evidencës mbi zhvillimet në biznese të kategorive të ndryshme dhe ofrimin mbi këtë bazë të argumenteve për politikat fiskale që mund të ndiqen në të ardhmen, për rritjen e kapaciteteve teknike të stafit përkatës, etj.
Çfarë do t’i sugjeronit ju qeverisë që të prioritizojë këtë mandat?
Situata aktuale në Shqipëri është disi paradoksale. Kjo sepse vendi po futet në një mandat të dytë qeverisës nën të njëjtën mazhorancë, por tashmë të përqendruar në duart e një partie të vetme dhe pa bërë analizë se çfarë shkoi mirë dhe çfarë nuk shkoi mirë në mandatin e parë. Kuptohet nëse përjashtojmë fushatën post-zgjedhore dhe “gjyqet popullore” për segmentet kryesore të administratës publike që zyrtarisht u emërtuan “dëgjesa publike”. Analiza e së shkuarës së afërt dhe rikthimi në vëmendjen e objektivave qeverisës të procesit të integrimit europian do t’i shërbente në të vërtetë përshpejtimit të zhvillimit ekonomik dhe shoqëror të vendit.
Ndoqa konkluzionet e “dëgjesave publike” dhe fakti që problemet ekonomike zinin afërsisht 1/8 e problematikës së qytetarëve të përfshirë në atë proces më shtyn të mendoj se ky mekanizëm i ndërtuar nga qeveria në ikje/ardhje ka një defekt të madh: injoron klimën e besimit të qytetareve ndaj së ardhmes së vendit, injoron klimën e të berit biznes në vend dhe fokusohet në nevojat imediate të komuniteteve të ndryshme në investimet dhe infrastrukturën publike, në nevojën ulëritëse për të rritur eficencën e këtyre investimeve në ujësjellës, shkolla, etj. D.m.th. flitet vetëm për “outputet” e qeverisjes dhe pak ose aspak për “inputet” e saj, d.m.th. si do të sigurohen mjetet e nevojshme financiare, si do të reformohet në terma reale shërbimi civil dhe sektori publik në tërësi. Në këtë kuptim, fitorja e zgjedhjeve pa pasur një program të mirëfilltë politiko-qeverisës qoftë edhe minimal; pa ofruar ide dhe politika prioritare në çështjet fiskale; në drejtimet themelore të përmirësimit të klimës së të biznesit; në politikat e punësimit, vetëpunësimit dhe biznesit familjar; strehimit, etj., i lë dorë të lirë qeverisë në vendosjen e prioriteteve qeverisëse.
Në një terren më konkret, do të ishte e dëshirueshme që qeveria të heqë dorë nga teoria revolucionare e “aksionit” për këtë ose atë sektor (“aksioni” lojërat e fatit, “aksioni” antikanabis në Lazarat, “aksioni” kundër ndërtimeve informale, etj.), që nuk sjellin asnjë të ardhur shtesë në buxhetin e shtetit, që nuk hapin asnjë vend të ri pune e mbi të gjitha që nuk akumulojnë asgjë në procesin e shtet-formimit apo afrimin e vendit me BE-në, përveçse vendosin nën një presion qeveritar të panevojshëm dhe të rrezikshëm qytetarin dhe biznesin.
Kjo do të thotë se duke hequr dorë nga metoda të tilla të mandatit të parë qeverisës, janë të gjitha mundësitë që politikat qeveritare të fokusohen në çështje të tilla si p.sh. adoptimi i modeleve institucionale të provuara në vendet e BE-së, veçanërisht në vendet e anëtarësisë dekadën e fundit, dhe që vinin nga i njëjti sistem i ekonomisë së centralizuar. Kështu është një fakt i njohur se gjatë dekadës së fundit në shërbimet publike të shtetit shqiptar janë investuar dhjetëra miliona euro për informatizimin dhe modernizimin e infrastrukturës së këtyre shërbimeve. Pra fare mirë mund të përshtatet kuadri ligjor dhe institucional p.sh., për çështjet e tatim-taksave apo të administrimit të pronësisë së vendeve baltike.
Por që ta bëjë këtë, qeveria shqiptare duhet të vendosë kufij qartësisht të dallueshëm midis publikes dhe privates, t’ju rezistojë presioneve të oligarkëve dhe të marrë përgjegjësitë e veta kushtetuese për të frenuar procesin e “pushtimit” të sektorit publik nga këta të fundit. E kjo vlen edhe për sektorët e tjerë të shërbimeve publike dhe të ekonomisë sonë kombëtare. Qytetarët, votuesit e taksapaguesit as shërbehen demokratisht dhe as janë të interesuar të vazhdojnë të dëgjojnë justifikime se ndërhyrjet e oligarkëve në shërbimet publike, në pasuritë kombëtare apo në të drejtat ekskluzive të shtetit për garantimin e fitimeve të tyre monopol, duke varrosur konkurrencën e lirë, duke shfrytëzuar lobimin politik “në këtë ose në atë periudhë janë mbështetur në ligje dhe në vendime Parlamenti e prandaj nuk mund të preken”…
Sepse nëse do të avancohet më tej në rrugën e marrjes nën kontrollin e oligarkëve të aseteve publike, e siç duken gjasat edhe të infrastrukturës publike, procesi i anëtarësimit në BE do të zgjasë shumë më tepër në kohë, mosbesimi publik ndaj së ardhmes do të njohë vetëm rritje, si dhe përshpejtimi i zhvillimit ekonomik dhe shoqëror i vendit do të komprometohet dukshëm.
Pa pretenduar se po ofroj ndonjë ide të rëndësishme për prioritetet e qeverisjes në katër vitet e ardhshme, mendoj se janë të gjitha gjasat që politikat e qeverisë të fokusohen në çështje të tilla madhore si nxitja e prodhimit vendas në funksion të zhvillimit të turizmit dhe për eksport; rishqyrtimi ligjshmërisë së shfrytëzimit të pasurive natyrore si naftës, kromit, hekurit, ujit, etj., me qëllim “pastrimin” tyre nga koncesionet fantazmë dhe kriminale, dhe vënien në shërbim të interesave të ekonomisë kombëtare; mbështetje e fuqishme e bujqësisë dhe agropërpunimit me synim shtimin e prodhimit në vend, uljen e kostos së prodhimit të produkteve bazë bujqësore e blegtorale, zhvillimin e tregut të tokës mbi bazën e përvojës së njohur të vendeve e tilla si Gjermania, etj.
Konsolidimit të tregut të tokës dhe nxitjes së bashkimit të fermerëve në forma të ndryshme kooperuese do t’i shërbenin edhe masa të tjera, si p.sh. ndërtimi i programeve mbështetëse të posaçme qeveritare për fermat që të përdorin gjerësisht mekanikën bujqësore, që mundësojnë mbjellje në sipërfaqe të mëdha të produkteve bazë bujqësore, etj. në bujqësi. Të një rëndësie të veçantë janë edhe investimet publike për ujitjen dhe kullimin e tokave bujqësore, por edhe krijimi i mekanizmave që frenojnë dhe pamundësojnë fragmentimin e pafundme të tokës bujqësore. Është koha që qeveria shqiptare të adoptojë përvojat e vendeve të zhvilluara në këtë drejtim duke vendosur rregulla të thjeshta dhe të qarta që nxitin koncentrimin e pronësisë mbi tokën bujqësore, që lehtësojmë qiramarrjen në shkallë të gjerë për krijimin e sipërfaqeve të mëdha për mbjelljen masive të kulturave bujqësore, por edhe për të shmangur lënien djerrë të saj, si dhe që mundësojnë përfshirjen e bankave në këtë proces.
Duke marrë parasysh dëmin e shkaktuar nga pushtimi i tokave bujqësore me ndërtime nga pronarët e tyre apo nga të ardhur nga zonat e tjera, gjej rastin të ftoj qeverinë e re të heqë dorë nga nxitja e legalizimit të ndërtimeve në zonat informale, si një proces që mund të këtë siguruar disa vota shtesë për partitë qeverisës, por mendoj se ka dëmtuar përfundimisht asete shumë të rëndësishme dhe të papërsëritshme të vendit, siç është toka bujqësore. Në këtë kontekst, mendoj se Ministria e Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural do të shërbente më së miri për të ardhmen e vendit, duke ndërmarrë një plan të detajuar dhjetëvjeçar që synon pastrimin e ndërtimeve formale dhe informale në tokat bujqësore, që mund të konsiderohen si të tilla edhe në të ardhmen, duke ofruar për këtë qëllim edhe lehtësitë e nevojshme për të zbatuar planin siç mund të jenë hartimi i planeve rregulluese nga shteti, ofrimi i shërbimeve publike të rëndësishme si ujë, energji etj., në vendbanimet e përqendruara, etj. Gjithashtu, të dobishme do të ishin edhe masa të tjera që nuk kanë asnjë kosto si p.sh. bashkëpunimi me fermerët për të detyruar heqjen e të gjitha gardheve rrethuese nga tokat bujqësore, me përjashtim të kopshteve familjare në qendrat e banuara.
Këtij qëllimi mund t’i shërbejë edhe krijimi i një banke të zhvillimit, përmes së cilës mendoj se duhen kanalizuar fondet e donatorëve, kursimet e lira të popullatës apo fonde të gjeneruara nga tregu vendas në të ardhmen e afërt dhe t’i jepet fund kështu shpërndarjes së tyre në mënyrë korruptive, preferenciale dhe thuajse pa asnjë ndikim në ekonominë kombëtare. Kjo do t’i shërbente edhe nxitjes së konkurrencës në sektorin bankar, mungesa e së cilës mendoj se ka cenuar edhe ritmet e zhvillimit të ekonomisë në tërësi.
Në sektorin energjetik mendoj se qeveria duhet të heqë dorë nga shitja dhe rishitja korruptive e lejeve koncesionare duke përfshirë edhe tentativat e dështuara për ndërtimin e Hidrocentralit të Skavicës. Për këtë të fundit, mendoj se në bashkëpunim me qeverinë e Kosovës mund të sigurohet një hua bankare nga institucionet financiare ndërkombëtare dhe kjo të jetë edhe prova e parë e bashkëpunimit serioz ekonomik rajonal të trumbetuar së fundi edhe në kuadrin e “procesit të Berlinit”. Nëse kjo do të ndërmerrej nga qeveritë e të dyja vendeve, kjo do të ishte një premisë e mirë për një zhvillim të qëndrueshëm të ekonomisë në të ardhmen, por edhe do të kursente disa dhjetëra miliona euro që sot shpenzohen për të blerë energji elektrike (shumë herë mbi çmimet e tregut për shkak të blerjes në import në kushtet e emergjencës), si dhe do të mbronte përfundimisht nga përmbytjet ultësirën perëndimore të vendit.
Po kështu, qoftë edhe me kosto për shtetin, mendoj se duhen rishikuar ndërtimet e hidrocentraleve të vogla në funksion të mbrojtjes së mjedisit dhe interesave perspektive të zhvillimit të turizmit në vendin tonë. Gjithashtu mendoj se qeveria duhet të studiojë edhe kushtet dhe mundësitë për rihapjen e minierave të qymyrgurit, si dhe të përshpejtojë punën për gazifikimin e qyteteve kryesore si për qëllime industriale, ashtu edhe për nevoja familjare.
Ngritja e entit përkatës rregullator, por edhe rishikimi i marrëveshjes që këtë proces ia beson kompanisë homologe greke siç është shkruar në shtyp, për të mundësuar një rregullim të tregut që garanton konkurrencë në treg dhe nxit krijimin e infrastrukturës së transmetimit dhe shpërndarjes së gazit të lëngshëm, i shërben diversifikimit të burimeve të energjisë dhe rritjes së fuqisë konkurruese të ekonomisë sonë kombëtare në tërësi. Nuk duhet harruar se vitin që vjen pritet që të përfundojnë punimet për ndërtimin e gazsjellësit TAP dhe çfarëdo vonese në përgatitjen e kushteve për përdorimin e gazit të lëngshëm në ekonominë tonë, duke përfshirë edhe aspektet rregullatore, e vendos ekonominë tonë në kushtet e pamundësisë së përfitimit nga ky investim shumë i rëndësishëm për rajonin dhe Europën.
Në sektorin e arsimit, përveçse të rrisë kapacitetet inspektuese dhe mbikëqyrëse të dikasterit përkatës, mendoj se qeveria duhet të analizojë përvojën e viteve të fundit në procesin e akreditimit të institucioneve të arsimit të lartë, duke e shtrirë këtë proces edhe në shkollat e mesme, si dhe në bashkëpunim me dikastere të tjera duhet të ndërmarrë studime mbi tregun e punës, etj. Këtij qëllimi duhet t’i shërbejë edhe rikthimi i arsimit dhe formimit profesional nën ombrellën e dikasterit të arsimit, duke korrigjuar kështu edhe një gabim të qeverisë gjatë mandatit të mëparshëm. Gjithashtu mendoj së janë pjekur kushtet që, në një pjesë të arsimit të detyrueshëm (klasa e parë deri në të gjashtën) të zbatohen përvojat e njohura botërore për futjen e një vakti ushqimor në shkollë. Kjo do të mundësonte një përfshirje më të gjerë të fermerëve duke ju siguruar mundësi tregtimi për produktet e tyre, do të zgjeronte edukimin e fëmijëve për një ushqyerje të shëndetshme, duke luftuar obezitetin në radhët e tyre, si dhe do të lehtësonte dukshëm familjarët e tyre, pa folur për përfitimet në favor të grupeve vulnerabël të shoqërisë.
Për shëndetësinë është vërtet vështirë të japësh ndonjë sugjerim serioz. Ajo që mund të thuhet është që, përveçse duhet të rishikojë besueshmërinë ligjore të të ashtuquajturit “partneritet publik-privat” në aspekte të tilla si kostoja e shërbimit apo zbatimit të plan-bizneseve për investimet nga operatorët privatë, mendoj se qeveria duhet të mundësojë rritjen pagave të punës së personelit mjekësor si dhe të qartësojë raportet midis punës në sektorin publik dhe atij privat, së bashku me fuqizimin e me personel dhe infrastrukturë të një rrjeti spitalesh publike në qytetet kryesore të vendit, për të ulur presionin e panevojshëm ndaj QSUT.
Politikat rregullatore ndaj biznesit duhet të synojnë përmirësimin e klimës së biznesit, duke u përqendruar në nxitjen e konkurrueshmërisë, stabilizimit të politikave fiskale, duke i përshtatur këto politika të krahasueshme me vendet e rajonit, reduktimin e korrupsionit në procesin e licencimit dhe të burokracisë qeveritare në tërësi. Këtij qëllimi mund t’i shërbejë edhe ridimensionimi i rolit të agjencisë së posaçme për nxitjen e investimeve të huaja, duke i dhënë asaj edhe rolin e zhvilluesit, një funksion ky i shpërndarë aktualisht nëpër disa agjenci, shumë herë jo transparente dhe në dëm të interesave publike (si p.sh., lëshimi i lejeve për ndërtime kompleksesh turistike apo portesh të specializuara, duke injoruar master-planet e zhvillimit të sektorëve përkatës, apo duke përcjellë pasuri të rëndësishme kombëtare, në duart e kompanive fantazmë, të krijuar posaçërisht, pa përvojë në sektorin përkatës dhe pa kapacitetet e nevojshme financiare apo më keq akoma, të kompanive për të cilat ka dyshime se mbas tyre qëndrojnë pushtetarë të fuqishëm apo që janë thjesht kompani off-shore. Për këta të fundit, mendoj se qeveria duhet të marrë përgjegjësitë e veta kushtetuese, për të rritur kontrollin mbi aksionerët dhe transaksionet e tyre, duhet të ndalojë futjen në ekonominë shqiptare të kompanive të tilla në të ardhmen dhe të bashkëpunojë ngushtësisht me vendet e tjera europiane në nismat për të detyruar këto kompani që të operojnë sipas ligjeve të vendit dhe legjislacionit ndërkombëtare.