Dy ditë para seancës konstituive të parlamentit të ri, ambasadorët e vendeve të BE-së në Tiranë kanë zhvilluar një vizitë në Kryeministri. Mësohet se ambasadorët janë parë në godinën e Kryeministrisë por nuk është konfirmuar takimi me Edi Ramën.
Ditën e nesërme janë parashikuar edhe mbledhjet e grupeve parlamentare PS dhe PD.
Zgjedhja e Gramoz Ruçit si kryetar i Kuvendit ka shkaktuar reagime, falë të shkuarës së tij, si ish-ministër i Brendshëm në fund të viteve të diktaturës. Është folur se do të ketë protesta kundër zgjedhjes së tij në krye të Kuvendit, por edhe kjo e pa konfirmuar.
Tre ditë më parë, Ambasadorja e BE-së, Romana Vlahutin ka folur rreth qeverisë së re, më e vogël në ministri, duke u shprehur e paqartë lidhur me mekanizmat e bashkërendimit të BE, referuar shkrirjes se Ministrisë se Integrimit.
“Ka ende disa paqartësira lidhur me ndryshimet që do të kemi sa i takon mekanizmave të bashkërendimit të BE. Ndaj unë do të kem disa takime në ditët në vijim”, tha Vlahutin.
Deklaratat e saj ambasadorja e BE i bëri gjatë Shkollës Verore Europiane që u mbajt këtë të hënë në ambientet e Kryesisë së Kuvendit. /LAPSI.AL/