Të paktën 15 shtete në Amerikë kanë sfiduar në rrugë ligjore administratën e presidentit Trump për nismën e fundit të saj.
Lajmin e bën të ditur “Associated Press”, që i referohet shfuqizimit të skemës së njohur si “DACA Dreamers”, që refuzon të rinjtë që kanë ardhur në Shtetet e Bashkuara me prindërit ilegalë të jetojnë atje.
Më herët prokurori i përgjithshëm i Shteteve të Bashkuara, Jeff Sessions konfirmoi zyrtarisht vendimin e qeverisë, duke thënë se programi “DACA”, të cilin e cilësoi një mënyrë për të shmangur ligjet e emigracionit, do të zhbëhet gradualisht.
“Kombi duhet t’i vendosë një kufi numrit të emigrantëve që pranojmë çdo vit. Nuk mund të pranojmë këdo që dëshiron të vijë këtu, kaq e thjeshtë është”, tha Jeff Sessions, kryeprokuror i SHBA-ve.
“DACA”, ose Shtyrja e Veprimit ndaj Emigrantëve Fëmijë, u miratua nga presidenti i mëparshëm amerikan Barack Obama në vitin 2012 dhe mbron rreth 800 mijë emigrantë, kryesisht nga vendet latine, që mbërritën në SHBA ilegalisht si të mitur.
Por presidenti Donald Trump u shfaq i ashpër ndaj emigracionit gjatë fushatës dhe premtoi anulimin e saj sapo të zgjidhej, megjithëse më vonë pranoi se ishte një temë shumë e vështirë.
Vendimi i qeverisë u sulmua nga demokratët dhe kryetarja e Dhomës së Përfaqësuesve, Nancy Pelosi e cilësoi një akt politik mizor frike. Programi “DACA” u ofron emigrantëve të jashtëligjshëm leje pune dhe studimi, duke i mbrojtur nga deportimi.
Në këmbim të dosjes së pastër, studimeve të diplomimit apo shërbimit ushtarak, SHBA shtyn me dy vite çdo veprim ndaj statusit të tyre të emigrimit.