Nga Azem Parllaku
Krijimi i Forcave të Armatosura të Kosovës, më saktë transformimi i Forcës së Sigurisë të Kosovës në Forcë të Armatosur, do të jetë një prej sfidave kryesore për qeverinë e Ramush Haradinajt. Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, ka artikuluar se, Ushtria e Kosovës do të krijohet nga fundi i këtij viti, teksa Ministri i Mbrojtjes i Serbisë, Aleksandar Vulin, e ka komentuar deklaratën e Presidentit të Kosovës duke thënë se, nuk do të ketë presion politik që mund t’a detyrojë Serbinë të pranojë krijimin e Ushtrisë së Kosovës, e cila sipas tij, do të kërcënojë edhe vetë Serbinë qëndrore dhe serbët në hapsirën e Kosovës.
“Ne e përkrahim transformimin e Forcës së Sigurisë në Forcë të Armatosur të bazuar në ndryshimet kushtetuese, dhe vlerësojmë se ky proçes duhet të jetë gjithëpërfshirës për të gjitha komunitetet dhe t’i kontribuojë stabilitetit rajonal” i tha ambasadori i Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Kosovë, Ministrit të Forcës së Sigurisë së Kosovës, Rrustem Berisha, në takimin që ata mbajtën një javë më parë. Në lidhje me këtë çeshtje u shpreh edhe Kryetari i Komitetit Ushtarak të NATO-s, Gjenerali Peter Pavel, i cili tha se, “Aleanca Veriatlantike nuk e pengon Kosovën që të krijojë Ushtrinë e saj.
Nuk ka kundërshtim për formimin në të ardhmen të Ushtrisë së Kosovës përveçse asaj të ngritur nga Sekretari i Përgjithshëm që të bëhet sipas Kushtetutës së Kosovës”.
Komentet gjenerali Peter Pavel i bëri mbrëmjen e së shtunës pas përfundimit të mbledhjes së parë të Komitetit Ushtarak të NATO-s në Tiranë me praninë e Shefave të Shtabeve të ushtrive anëtare. NATO dhe Shtetet e Bashkuara të Amerikës, në njëfarë mënyre po kërkojnë që shndërrimi i FSK-së në ushtri, të mos jetë i njëanshëm.
Mirëpo, në kohën kur vendimi i Vuçiqit, që Lista Serbe të hyjë në qeverinë Haradinaj, duket se favorizon klimën e mirëkuptimit edhe për një çeshtje të tillë delikate të mardhënieve mes shqiptarëve dhe komunitetit serb të Kosovës. Sigurisht që faktorit politik në Kosovë, i cili është shprehur në favor të krijimit të Forcave të Armatosura, i është bërë me dije “Defense Authorization Act” sipas të cilit Kongresi Amerikan, disa muaj më parë i bëri thirrje Administratës që të punojë me Republikën e Kosovës për t’a përgatitur në hyrjen e Programit të Partneritetit për Paqe (PfP), në kuadër të NATO-s. Nëpërmjet këtij vendimi, Kosova edhe njëherë rikthehet në kontekstin euroatlantik dhe çështja shqiptare vijon të jetë pjesë e agjendës ndërkombëtare dhe e aleatëve tanë strategjikë.
Hyrja e Kosovës në Programin e Partneritetit për Paqe në kuadër të NATO-s, është rrjedhojë logjike e gjithë asaj çfarë kanë bërë NATO dhe Shtetet e Bashkuara të Amerikës në Kosovë dhe për të gjithë shqiptarët në Ballkan. Kosova me pozicionin e saj natyror konsiderohet si, zemra gjeopolitike e Gadishullit të Ballkanit dhe një rajon me rëndësi gjeostrategjike. Ajo shihet si nyja nëpërmjet së cilës kontrollohen të tëra boshtet natyrore të Ballkanit, pasi edhe zona më kritike e Gadishullit ndodhet brenda trekëndëshit gjeografik Kralevo-Shkup-Sofje, trekëndësh në të cilin përfshihet edhe Kosova.
Në Kosovë, Shtetet e Bashkuara të Amerikës kanë ndërtuar bazën më të madhe ushtarake në rajon, e cila mban emrin e heroit të luftës së Vietnamit James Leroy Bondstël, dhe konsiderohet si një investim që, të paktën deri tani ka kushtuar 300 milion dollarë. Aktualisht, Kosova është i vetmi shtet i Ballkanit Perëndimor që nuk e ka nënshkruar Programin e PfP-së, teksa fqinjët si: Shqipëria (1994) dhe Maqedonia (1995) ishin ndër të parat që e nënshkruan PfP-në, më pas këtij programi i’u bashkangjit edhe Kroacia (2001).
Raundi i fundit i nënshkrimit të PfP-së, me shtetet e Ballkanit Perëndimor u arrit në Samitin e Rigës në vitin 2006, ku Bosnja dhe Hercegovina, Mali i Zi dhe Serbia, u bënë pjesë e Programit. I bazuar në bashkëpunimin praktik dhe angazhimin ndaj parimeve demokratike që janë baza e vetë Aleancës, qëllimi i PfP-së është që, të rrisë stabilitetin, të zvogëlojë kërcënimet ndaj paqes dhe të ndërtojë marrëdhënie të sigurta e të fuqizuara, ndërmjet vendeve partnere individuale dhe NATO-s, si dhe ndërmjet vetë vendeve partnere.
Thelbi i programit PfP-së, është partneriteti i formuar individualisht ndërmjet çdo vendi partner dhe NATO-s, i përshtatur sipas nevojave individuale dhe i zbatuar bashkërisht në nivelin dhe ritmin e zgjedhur nga secila qeveri pjesëmarrëse.
Baza formale për Partneritetin për Paqe është Dokumenti Strukturor, i cili cakton detyrat e veçanta për çdo vend partner. Secili partner merr përsipër një numër angazhimesh të gjithanshme politike për të mbrojtur shoqëritë demokratike, për të ruajtur parimet e të drejtës ndërkombëtare, për të përmbushur detyrimet sipas Kartës së OKB-së, Deklaratës Universale të të Drejtave të Njeriut, Aktit Final të Helsinkit, marrëveshjeve për kontrollin e armëve, heqjen dorë nga kërcënimet ose përdorimi i forcës kundër shteteve të tjera, respektimin e kufijve ekzistues dhe zgjidhjen e mosmarrëveshjeve në mënyrë paqësore.
Merren gjithashtu angazhime të veçanta për të nxitur transparencën në planifikimin e mbrojtjes dhe buxhetit kombëtar, për të vendosur një kontroll demokratik mbi Forcat e Armatosura dhe për të zhvilluar kapacitetin për veprime të përbashkëta me NATO-n, për ruajtjen e paqes dhe operacionet humanitare. Dokumenti Bazë mishëron gjithashtu një angazhim të aleatëve për t’u këshilluar me çdo vend partner i cili percepton një kërcënim direkt ndaj integritetit të territorit të tij, pavarësisë politike ose sigurisë një mekanizëm të cilin, për shembull, Shqipëria dhe Maqedonia e vunë në përdorim gjatë krizës në Kosovë.
Vendet partnere zgjedhin veprimtaritë individuale të bazuara në aspiratat dhe aftësitë e tyre. Këto u propozohen aleatëve në një Dokument Prezentues. Më pas hartohet bashkërisht një Program Individual Partneriteti i cili pranohet nga NATO dhe çdo vend partner. Këto programe dyvjeçare hartohen nga një listë e gjerë veprimtarish, sipas interesave dhe nevojave të veçanta të çdo vendi.
Bashkëpunimi përqendrohet veçanërisht në punët që kanë lidhje me mbrojtjen, reformën e mbrojtjes dhe administrimin e pasojave të reformës së mbrojtjes, por virtualisht prek çdo fushë të veprimtarisë së NATO-s, përfshirë politikën dhe planifikimin e mbrojtjes, marrëdhëniet civilo-ushtarake, edukimin dhe stërvitjen, mbrojtjen ajrore, sistemet e komunikimit dhe informacionit, administrimin e krizave dhe planifikimin e emergjencave civile. Partneriteti për Paqe (PfP) ishte një iniciativë e Organizatës së Traktatit të Atlantikut Verior (NATO) që, nga viti1994 pas Samitit të Brukselit.
Kjo iniciativë u konsiderua si hap i rëndësishëm strategjik, i cili mundësonte kushte të volitshme për një bashkëpunim të ndërsjellë në mes NATO-s dhe shteteve që dolën nga Pakti i Varshavës, si dhe shteteve të tjera post-komuniste të Evropës. Që nga fillimi i kësaj iniciative, roli i Programit të PfP-së, ka qenë dhe mbetet vendimtar në përcaktimin e proceseve të ardhshme të integrimeve Euroatlantike.
Përvoja e dy dekadave të fundit, ka dëshmuar se, ky hap është konsideruar si gjysma e rrugëtimit drejt anëtarësimit të plotë në NATO. Deri tani, Kosova është njohur nga pjesa më e madhe e shteteve anëtare të OKB-së, ku përfshihen shumica dërmuese e vendeve më të fuqishme demokratike perëndimore.
Megjithatë, ende janë disa shtete të rëndësisë kyçe të cilat nuk e njohin Kosovën. Mes këtyre vendeve vlen të përmenden, dy anëtarë të përhershëm të Këshillit të Sigurimit të OKB-së, Rusia dhe Kina, si dhe pesë shtete anëtare të Bashkimit Evropian, katër prej të cilave janë gjithashtu anëtare të NATO- s; Spanja, Rumania, Sllovakia dhe Greqia. Refuzimi i tyre për të njohur Kosovën, ka ngadalësuar rrugën e saj drejt proçesit integrues rajonal dhe Euroatlantik, pavarësisht nga përpjekjet e qeverisë së Kosovës.
Në rastin e integrimit në NATO, problemi kryesor konsiston në qëndrimin e katër anëtarëve të NATO-s, të lartpërmendur që nuk e njohin shtetësinë e Kosovës. Refuzimi i tyre për ta njohur Kosovën zyrtarisht mund të vështirësojë marrëdhënien kontraktuale në mes NATO-s dhe Kosovës. Ndërkohë që, praktikisht vlen të theksohet se përmes pjesëmarrjes së këshilltarëve të KFOR-it, Rumania dhe Greqia kanë mbështetur përpjekjet për konsolidimin e Forcës së Sigurisë së Kosovës (FSK).
Nga ana tjetër, Spanja dhe Sllovakia drejtpërsëdrejti nuk i mbështesin përpjekjet për konsolidimin e FSK-së, teksa nuk kanë shfaqur ndonjë tendencë për ta bllokuar proçesin. Tërheqja e kontingjentit sllovak dhe atij spanjoll nga misioni i KFOR-it, ka rezultuar se ka të bëjë më tepër me problemet e tyre të brendshme dhe reduktimet buxhetore në sektorin e mbrojtjes. Gjatë dhjetë viteve të prezencës në Kosovë, Spanja ka dhënë një kontribut të rëndësishëm në misionin e KFOR-it, ku në total shërbyen pothuaj 22.000 ushtarë spanjoll, ndërsa në vitin 2000, NATO- ja emëroi si udhëheqës të misionit të KFOR-it, spanjollin Gjeneral-lejtnant Juan Ortuno.
Rishikimi i qasjes së NATO-s ndaj Kosovës patjetër që do të shkojë drejt zëvendësimit gradual të rolit të saj aktual, e që ushtrohet përmes pranisë direkte fizike, në favor të një mbështetje më të theksuar ndaj institucioneve të Kosovës. Programi PfP-së është dëshmuar si një instrument i rëndësishëm që përdoret nga NATO-ja për të mbështetur vendet në zhvillim në ndërtimin e sektorit të sigurisë bazuar në praktikat demokratike. Mbështetja e instrumenteve të transformimit përmes PfP-së do të përforcojë edhe kapacitetet e shoqërisë civile.
Përgjatë viteve fushëveprimi i KFOR-it në Kosovë është transformuar në mënyrë të konsiderueshme dhe mbi të gjitha u reduktua numri i personelit ushtarak. Aktualisht KFOR-i ka rreth 4000 trupa në terren dhe planifkimi për reduktim e mëtejshëm të personelit të KFOR-it, radhitet ndër pikat e para në agjendën zyrtare të NATO-s. Kjo pasqyron përmirësimin e situatës së sigurisë në tërë territorin e Kosovës, me përjashtim të pjesës veriore. Me fjalë të tjera, nevoja për praninë e KFOR-it dhe rolin e tij, duhet të fokusohet vetëm në pjesën veriore përderisa në pjesët tjera të Kosovës çështjet të ndërlidhura me sigurinë, veçanërisht ato të sigurisë publike, janë nën autoritetin e Policisë së Kosovës.
Reduktimi i trupave është evidentuar edhe në diskursin ndërkombëtar dhe në dokumente, duke theksuar se misioni i KFOR-it, është i përkohshëm dhe se prania e tij në Kosovë duhet të rishikohet në përpjesëtim me gjendjen e sigurisë dhe dorëzimin e përgjegjësive tek institucionet vendore të sigurisë. Deri atëherë, roli i KFOR-it pritet të jetë thelbësor në mbështetjen e proçesit të ndërtimit të kapaciteteve të institucioneve vendore, veçanërisht të Forcave të Armatosura të Kosovës.
FSK-ja, si pararendëse e Forcave të Armatosura të Kosovës, përfaqëson një force të sigurisë që është themeluar rishtazi, aktualisht e mandatuar me një mision civil “për të përmbushur funksionet e sigurisë që nuk i përkasin policisë ose organizatave tjera të zbatimit të ligjit” dhe konsiderohet të jetë pasardhëse e pranisë ushtarake ndërkombëtare në Kosovë. Efektivat e FSK-së në baza vullnetare janë profesionistë me strukturë të uniformuar dhe të armatosur lehtë, ndërsa struktura e tyre e hierarkike bazohet tërësisht në sistemin ushtarak të NATO-s.
Në tërësi, proçesi i rekrutimit, trajnimit dhe ndërtimit të kapaciteteve të FSK-së është udhëhequr nga NATO. Megjithatë, mandati aktual i FSK-së do t’i nënshtrohet rishikimit, në përputhje me Kushtetutën e Republikës së Kosovës dhe ndryshimet e ardhshme të misionit të Forcave të Armatosura të Kosovës do të këshillohen dhe monitorohen nga NATO. FSK-ja ka shënuar bashkëpunim në nivel bilateral dhe multilateral duke demonstruar pjekurinë e Kosovës për t’u anëtarësuar në programe të rëndësishme siç është PfP-ja. Ky bashkëpunim nuk është shtrirë vetëm në nivel rajonal, por edhe përtej tij.
FSK-ja ka nënshkruar Marrëveshjen mbi Statusin e Forcave (SOFA) me Shtetet e Bashkuara, e cila padyshim paraqet një nga arritjet më të mëdha për FSK-në. Deri më tani, bashkëpunimi bilateral dhe multilateral i FSK-së me NATO-n dhe shtetet jo-anëtare të NATO-s është ushtruar kryesisht në kontekstin e shkëmbimit të përvojave dhe, më konkretisht, disa vende kanë ofruar trajnime dhe mbështetje për konsolidimin e FSK-së.
Nga hulumtimet e kryera rreth kësaj qasje është evidentuar bashkëpunim i ngushtë dhe platforma për ngritjen e kapaciteteve të vendosura me Shqipërinë, Kroacinë, Maqedoninë, Turqinë, Britaninë e Madhe, Slloveninë, Gjermaninë, Danimarkën, Suedinë si dhe vende tjera. Programi i PfP-së në kuadër të NATO-s, padyshim që do të jetë një ngjarje me shumë rëndësi për popullin e Kosovës, ndërkohë që do të përkthehet në detyra konkrete për qeverinë, institucionet dhe shoqërinë civile, për të përmbushur jo pak reforma përmes këtij Programi, duke e shndërruar Kosovën një vend të sigurive të besuara dhe të gatshme për t’u qasur në kohën e duhur, duke e sinkronizuar çdo hap drejt integrimit euroatlantik.