Home KRYESORE Arratisja e Ramës nga realiteti

Arratisja e Ramës nga realiteti

Nga Azem Parllaku

Si burim dhe si garantuese e institucioneve demokratike në mbarë globin, Shtetet e Bashkuara të Amerikës, e kanë vendosur veten gjithnjë e më shumë në rolin e gjykatësit, duke bërë presione, në rastet kur kriteret e demokracisë nuk përmbushen. Dhe këtë e bëjnë duke i’u referuar raporteve të Departamentit të Shtetit.

Në Shqipëri konstatimet e Departamentit të Shtetit nuk harrohen aq kollaj, ndaj thirrja e ambasadorit amerikan në Tiranë, Donald Lu, për rrezikun domethënës nga pastrimi i parave për shkak të korrupsionit të kudogjendur dhe një sistemi ligjor të dobët në vendin tonë, ka bërë që mediat dhe politika, të artikulojnë mbi format e ndërhyrjes së Shteteve të Bashkuara të Amerikës, në asistimin e Tiranës zyrtare për të goditur kalanë e krimit dhe mafies. Shteti sipas parimit amerikan:

Është shprehje e disa koncepteve të drejtësisë, që legjitimon rregullat e brendshme dhe një parashikim i pushtetit që përcakton aftësitë e tij, për të përmbushur funksionet minimale, që do të thotë: Të mbrojë popullsinë e vet nga rreziqet e jashtme dhe trazirat e brendshme. Duke gjykuar në bazë të artikujve të medias dhe ndjenjave të popullit, recetat amerikane për Shqipërinë dhe shqiptarët, reflektojnë një përzierje të çuditshme të respektit dhe konfuzionit përsa i përket gjuhës me të cilën foli ambasadori Lu.

Mediat dhe një pjesë e politikës janë trazuar, mbasi deklaratat e Lu-së, bëjnë lajm. Ndoshta jo të gjithë shpresojnë se mund të fillojë spastrimi i kriminelëve me kostum dhe i bandave që kanë lidhje me politikën. Kjo për arsye se deri sot, maturia nuk i ka shtyrë politikanët shqiptarë t’a përcaktojnë udhëheqjen si një reflektim të ndjenjave popullore. Praktikisht, liria dhe e drejta për vetëvendosje janë kaq të rëndësishme për ekzistencën tonë si qenie njerëzore dhe politike. Liria na jep mundësinë të artikulojmë veprimet tona pa u penguar nga të tjerët.

Ndërsa e drejta për vetëvendosje është sublime, pasi për të drejtën e popullit tënd të duhet të vendosësh me vullnetin e lirë politik. Qytetarët shqiptarë duke vazhduar të ngërthyer në perceptimin e lajmeve të çensuruara nga politika, janë lënë shumë pak të preokupuar për debat, dhe të pafamiljarizuar mbi të drejtat e tyre. Politikanët të cilët e konsiderojnë të patjetërsueshme liturgjinë e tyre, nuk ndihen fajtorë pse kanë shpallur një doktrinë të interesit vetjak, të cilën e ndjekin me shumë zell.

Dëgjueshmëria dhe poltronizmi në partitë politike, çmohen si kritere të vlerësimit për karrierë. Ka ndodhur pikërisht kështu, ndaj institucionet e shtetit tonë mbushen me njerëz të gabuar, e janë thjeshtë një fasadë. Administratorët shtetrorë nuk kanë kurrfarë faji, përveçse punëdhënësi (qeveria) nuk u ka treguar se për çfarë do të punojnë, sepse janë punësuar për të mospunuar. Për fatin e keq të shqiptarëve, kjo gjeneratë ende nuk ka rritur udhëheqës që të jenë të aftë, për të evokuar një angazhim për një politikë konsistente dhe afatgjatë.

Populli ka përballë një establishment të korruptuar dhe të konsumuar, një elitë politiko-ekonomike, e cila duke i përdorur dhe keqpërdorur qytetarët, e ka bërë Shqipërinë një vend të rrëzikshëm për të jetuar, lindur e rritur fëmijë, në ndërkohë edhe në rrezik për rajonin e më gjërë. Sipas raporteve të Departamentit të Shtetit të SHBA, Shqipëria është qendër e aktivitetit të krimit të organizuar që përfshin trafikun e drogës, armëve dhe prostitucionit.

Ligjërimi i kryeministrit Rama, mbas deklarateve të ambasadorit amerikan, diabolikisht, ngjan sikur perpara se ta merrte fjalën, ambasadori Lu, është konsultuar me Ramën, madje ky i’a ka thënë atij. Rama në mandatin e dytë, do t’a ketë të vështirë shmangien e vëmendjes së publikut nga çështjet e rëndësishme, nga problemet shoqërore serioze, dhe nga ndryshimet e ndërmarra prej elitave ekonomiko-politike, përmes teknikës së përmbytjes me informacione të parëndësishme. Shoqërisë shqiptare nuk i duhen vetëm ligjërimet e ERTV-së, por më parë i nevojitet që politika t’i shkëpusë lidhjet me krimin.

Rrugë dhe ujësjellës mund të ndërtojë çdo kriminel që ka pushtet apo fije të forta me të. Por shteti dhe qytetaria vdesin kur krimi bashkëjeton me to. Rama flet me ne, me popullin sikur ky, dmth ne, nuk e kemi kuptuar ambasadorin Lu. Dhe ky Kryeministri, e ka për detyrë të na sqarojë e konspektojë atë që populli se kupton. Sot, Rama i dytë do që të bëhet MESIA i shpëtimit të vendit nga krimi, te cilin Rama i parë e futi në parti për të bërë rinovimin e Partisë Socialiste, Rama i çoi kriminelët në parlament, në pushtetin vendor, dogana, administratë dhe në gjithë organet ligjzbatuese. Mirëpo, ky Rama me atlete, brekushe, tepsi, lider, patriot, Skënderbe, nuk i drejtohet realitetit, racionalitetit të shifrave, problemit konkret, po e shpëngul problemin në teorizime emocionalo-absurde, që vetëm ngjajnë me realitetin, po nuk është ky realiteti. Në sytë e popullit, Rama nuk është veçse kryeshef i partisë e ëma e të cilës ishte kuçedër. Një rilindas i Abetares së përdhunuar dhe i Biblotekës të shkrumbuar, dhe populli infantil nuk po e “kupton” dot të diturin e të mirëinfromuarin Rama. Justifikimet e Edi Ramës në publik mund të jenë të shumëllojshme, por në çdo rast, zgjedhjet që ka pushtet i tij janë dy:

Ose do të veprohet kundër krimit të organizuar me rezultate konkrete, ose vendi do të vazhdojë të dominohet nga familjet kriminale. Larg qoftë, po sikur ato 20 familje që përmendi ambasadori Lu, të jenë 20 parti politike? “Këto elementë nuk kanë lindur në këtë 4 vjeçar dhe karriera e tyre në botën e krimit është e vjetër dhe e konsoliduar dhe me lidhje të njohura me opozitarët e sotëm nëse duam të bëjmë politikë.

Ajo që ka rëndësi është që Policia e Shtetit ka hyrë në një fazë të re për të shkuar në një nivel më lartë se 4 vite më parë”, ligjëron Rama që ka çerek shekulli në pushtet. Ndërsa harron se ai ka administruar në mënyrë të “suksesshme” situatën mbas plandosjes së perandorisë Berisha-Meta, me të dytin koalicionoi për katër vjet. Sot, Rama dhe Meta, njësoj si Berisha, vetkonsiderohen si një destiny, si një përcaktim që është fati i shqiptarëve.

Në vështrimin e të djeshmes, katër, tetë apo më shumë vjet, përfaqësojnë pak më shumë se një episod, ndërsa jetojmë në një kohë, në të cilën historia ecën me një shpejtësi, që disa dhjetëvjeçarë më parë do të dukej e paimagjinueshme. Shqiptarët ndiejnë nevojën që të pyesin nëse Rama i është përkushtuar marrëveshjes që Shqipëria dhe Shtetet e Bashkuara të Amerikës kanë nënshkruar për goditjen e krimit të organizuar dhe korrupsionit.

Termat e paktit janë ndryshuar me vendim të Parlamentit në fund të vitit 2016, ndërsa marrëveshja është nënshkruar në korrik të vitit 2015. Programi për zhvillimin e Sektorit të Drejtësisë Penale paska mbetur në vend, edhe pse asistenca amerikane për institucionet kryesore të drejtësisë penale të Shqipërisë, për të luftuar të gjitha format e krimit, në veçanti duke u fokusuar në përmirësimin e efektivitetit dhe cilësisë së proçedimeve penale dhe forcimin institucional në këtë kuadër, nuk ka munguar.

Ndaj një ndërhyrje e amerikanëve është e pashmangshme, pasi është parashikuar në ligj. Ndër të tjera, marrëveshja e bashkëpunimit parashikon asistencë nga SHBA me pajisje dhe ekspertë për të luftuar të gjitha format e krimit në Shqipëri. Marrëveshja parashikon edhe asistencë financiare në varësi të ecurisë së zbatimit të saj dhe vullnetit të autoriteteve shqiptare. Rezultatet e projektit kanë parashikuar të përfshijnë trajnimin, dhurimin e pajisjeve, asistencën teknike dhe këshillimin nga ekspertë të fushave, duke përfshirë ekspertët e Shteteve të Bashkuara. Në fokus të marrëveshjes është rritja e kapacitetit të prokurorëve për të luftuar krimin e organizuar, korrupsionin dhe format e tjera të aktivitetit kriminal.

Qëllimi i kësaj marrëveshjeje me SHBA është forcimi i sektorit shqiptar të drejtësisë penale, institucioneve dhe zyrtarëve të tij, në mënyrë që të përgjigjet për të gjitha llojet e krimit, me fokus të veçantë në korrupsionin dhe krimin e organizuar, duke synuar ta afrojë vendim më pranë anëtarësimit në Bashkimin Evropian, në përputhje me qasjen strategjike të vendit. Lufta ndaj krimit dhe korrupsionit elitar është edhe një nga kushte themelore të Bashkimit Evropian për çeljen e negociatave për integrimin e Shqipërisë në BE.

Ashtu si zyrtarët e lartë amerikanë, edhe autoritetet e Brukselit kanë kërkuar në vijimësi krijimin e një historiku me hetime dhe dënime përfundimtare për korrupsion. Ndërkaq, ditën e hënë, kryediplomati amerikan në Tiranë konstatoi se nuk është arrestuar asnjë peshk i madh i krimit dhe korrupsionit. “Derisa peshqit e mëdhenj të arrestohen, ndiqen penalisht dhe të futen në burg, kanabisi do të kthehet, gjyqtarët do të marrin ryshfet dhe zyrtarët qeveritarë do të korruptohen”, u shpreh, Donald Lu.

Për të komplikuar perceptimin zyrtar të Uashingtonit, Edi Rama, ende gënjen popullin e tij, kur thotë se, kemi hyrë në një proçes të ndërtojmë një qeverisje tërësisht ndryshe, edhe në luftën kundër krimit, elementëve kriminalë, organizatave kriminale apo të ashtuquajtura familje ku e di Rama se çfarë. Ndoshta mesazhet e Uashingtonit edhe “mund” të mos i mbërrijnë në Surrel kreut të qeverisë! Dhe, meqë nuk i merrka informacionet më nga taksitë e natës si dy vite më parë, me të drejtë Koço Kokëdhima i jep një këshillë të thjeshtë dhe pa asnjë kosto për taksapaguesit:

Të ndjekë, në mëngjes herët, emisionet televizive dhe të dëgjojë nga goja e njerëzve të thjeshtë se si e ka katandisur këtë popull në 4 vite qeverisja e tij, pa punë, pa ujë, pa drita, pa rrugë, pa shpresë, pa rend, pa siguri, pa atdhe dhe pa të ardhme.

Share: