Home KRYESORE Dhjetë anëtarë të Gjykatës së Lartë dështojnë në testin e justifikimit të...

Dhjetë anëtarë të Gjykatës së Lartë dështojnë në testin e justifikimit të pasurisë

Anëtarët e Gjykatës së Lartë zotërojnë së bashku një total prej 9.3 milionë dollarësh pasuri, por dhjetë prej tyre dështojnë të paktën me një vit në testin e kontrollit aritmetik-logjik, duke mos justifikuar më shumë se 65 milionë lekë.

Dhjetë nga 17 anëtarët e Gjykatës së Lartë në Shqipëri dështojnë të justifikojnë pasurinë e tyre të paktën në një vit të deklarimit, zbulon një studim i BIRN i bazuar në praktikën e kontrollit aritmetik dhe logjik të deklaratave të pasurisë.

Shuma e pajustifikuar kap vlerën e më shumë se 65 milionë lekëve ose rreth 7 për qind të portofolit total prej 1 miliardë lekësh, që gjyqtarët e Gjykatës së Lartë zotëronin së bashku deri në fund të vitit 2015.

Rrjeti Ballkanik i Gazetarisë Investigative, BIRN analizoi deklaratat e pasurisë së 17 gjyqtarëve të Gjykatës së Lartë, pasi i administroi ato nga Inspektoriati i Lartë i Deklarimit dhe Kontrollit të Pasurive, ILDKPKI përmes një kërkese të bazuar në ligjin për të drejtën e informimit.

Deklaratat e pasurisë i përkasin periudhës 2003-2015, ndërsa aktualisht Gjykata e Lartë ka mbetur me 10 anëtarë, pas largimit të gjashtë prej tyre për shkak të mbarimit të mandatit dhe dënimit për korrupsion të gjyqtares Majlinda Andrea.

Në analizë u përfshinë 207 deklarata pasurie gjithsej, të cilat u hodhën në një databazë dhe iu nënshtruan analizës aritmetike dhe logjike-një nga format e kontrollit të përdorura nga ILDKPKI për të hetuar pasurinë e zyrtarëve.

Deklaratat e analizuara reflektojnë pasuritë dhe detyrimet e gjyqtarëve si dhe të familjarëve të tyre, ashtu siç ata i kanë deklaruar në ILDKPKI.

Studimi i BIRN ka për qëllim të identifikojë trende transaksionesh të dyshimta, të cilat në praktikat më të mira ndërkombëtare identifikohen si ‘flamuj të kuq’-e që do të duhej të nxisnin ILDKPKI të kryente auditime të plota të pasurive të zyrtarëve.  Megjithatë, të dhënat e përftuara nga ky studim nuk ofrojnë fakte nëse pasuritë e këtyre gjyqtarëve janë shtuar apo jo në mënyrë të kundraligjshme.

Dështimi për të paktën 1 vit në kontrollin aritmetik dhe logjik i dhjetë gjyqtarëve të Gjykatës së Lartë  vjen si rezultat i krahasimit të aseteve neto me të ardhurat neto të subjekteve, duke përfshirë në llogaritje përkatësisht detyrimet apo shpenzimet.

Nga totali prej 190 deklaratash periodike/vjetore të analizuara, 14 prej tyre rezultojnë me probleme pasi diferenca mes “të ardhurave neto” dhe “rritjen e aseteve neto” del me vlerë negative.

Problemet në justifikimin e pasurisë thellohen nëse këtyre deklaratave u shtohen edhe kostot e konsumit jetik të përcaktuara nga INSTATnë mungesë të deklarimit të shpenzimeve vjetore nga vetë gjyqtarët. Në këtë rast, numri i deklaratave të pasurisë me probleme dyfishohet.

Pasuria e gjyqtarëve

Ndryshe nga gjyqtarët e karrierës në Shqipëri, anëtarët e Gjykatës së Lartë-edhe për shkak të formulës së deritanishme të emërimit, ndajnë një historik të ndryshëm profesional dhe mundësi të ndryshme për të bërë pasuri me njëri-tjetrin. Nga 17 anëtarët e Gjykatës së Lartë që ishin në detyrë deri në fund të vitit 2015, trembëdhjetë ishin promovuar nga shkallë më të ulëta të gjyqësorit dhe 4 të tjerët erdhën nga avokatia.

Megjithatë, të dyja kategoritë i kanë shumëfishuar pasuritë e tyre gjatë mandatit si anëtarë të Gjykatës së Lartë.

Të dhënat e siguruara nga BIRN tregojnë se nga analiza e deklaratave të vitit fillestar (jo të gjithë kishin detyrimin e deklarimit), pasuria në total kapte vlerën e rreth 381 milionë lekëve ose 3.4 milionë dollarë./tpz.al

Share: