Home KRYESORE Ditari i një opozitari Nga Gerina Mullaj

Ditari i një opozitari Nga Gerina Mullaj

Nesër kam seancë parlamentare. Ta marr fjalën apo të merrem me celularin? Do i them bashkëshortes të më hekurosë kostumin bojë-krem për të theksuar zinë e fjalëvë që do mbaj. S’do mend që do them fjalë të mynxyrta të krijoj dramë, fjalë që trishtojnë.

Diçka që ka të bëj me emrat e kriminelëve ose me dhitë. Detyra kryesore e një opozitari është të trishtojë popullin e vetë dhe të shpresojë se qeveria s’ka për të bërë ndonjëherë ndonjë gjë të mirë, në të kundërt opozita ngelet pa punë. Kjo është ironia, të dëshirosh që në këtë vend të shkojnë gjërat gjithmonë keq që të kesh ç’të thuash.Megjithëse çdo e keqe ka një të mirë nga prapa: na mëson se si nuk duhet të jemi.

Do ta filloj natyrshëm me zë të shtruar, pastaj do ta ngre pak intonacionin te pjesa e revoltës, do qetësohem, do ta ngre zërin rishtaz, do ja u mbërthej si gozhdë sytë deputetëve sikur të jem duke kërkuar mes tyre fajtorin, dhe dashtë Zoti nuk më tradhëton shikimi e ndaloj te karigia e kryetarit tim. Gishti im do përkundet përmes ajerit dhe kjo ka për ta shtuar dramaticitetin, tamam si në telenovelat turke. Drama është gjetja e shekullit. Ajo stimulon adrenalinën dhe përgjum monotoninë. Të gjithë ndjehemi thellë vetes mirë kur dëgjojmë lajme të trishta. Lajmet e zeza na i zbardhin ditën duke na ngushëlluar me faktin që s’jemi pjesë e tyre.

Më pas do kthej kokën prapa për t’ju drejtuar të mëdhenjëve, me vështrimin tim shigjetë që kërkon t’ju heq vemendjen nga telefonat. – “Të nderuar zotërinjë, të nderuara zonja, i nderuar kryetar”, dhe gjithë vemendja do jetë tek unë. – Politika nuk është sakrificë, është privilegj. Mos duhet thënë e kundërta? Inshallah s’më shpëton goja aty, duhet thënë që e kemi kuptuar gabim, se ajo nuk është privilegj por është sakrificë.- Që të jesh deputet duhet të mësosh të ledhatosh egon e kryetarit, prapa këtij ledhatimi fshihet mundësia jote për sukses.-

Ç’dreqin po më ndodh kështu? Ky është mendimi im por nëse ka diçka që duhet lënë jashtë fjalimit është pikërisht mendimi. Fjalimi duhet të fshehë mendimin. Ngaqë jam i ri në këtë zanat bëhem lemsh kur vjen puna për të zbatuar djallëziçkat e tij.- Që të jesh politikan nuk duhet të mësosh të bësh premtime por duhet të mësosh të justifikosh arsyen përse nuk i mbajte ato. Kushdo që vë në praktikë këtë ide është më budallai nga të gjithë mirëpo kur je budalla je edhe i suksesshëm.

Ky është kriteri i të qënit politikan i madh dhe njeri i vogël. Nga ana tjetër, ajo që ndodh me njerëzit që kanë vlera të vërteta, nuk pushon së qëni epiqendra e xhelozisë së atyre që s’kanë vlera por kanë pushtet. Mirëpo kjo xhelozi na bën mirë ne politikanëve, na frymëzon për të qëndruar lart,se sa më shumë kuptojmë që me vlerë nuk i dilet aq më shumë ulim vlerat tona për të qëndruar lart në poste. Sa më poshtë në vlera aq më lart në pushtet.

Një grua që foli në këtë podium iu drejtua ndjeshmërisë time me lotët e saj, nuk ka rëndësi nëse ishin të vërtëtë apo teatralë, rëndësi ka që ata mu drejtuan mua si përfaqësuesi i saj në Kuvend. Ç’ishte ajo thirrje për të zgjuar ndjeshmërinë time, mos harron ajo vallë që unë jam në këtë vend për shkak të mungesës së ndjeshmërisë. Sikur të më preknin lotët e saj nuk do pranoja të bëja këtë rol. Ndoshta do isha një gjysëm Robin Hud, një çerek Krisht, një Albin Kurt i plotë, por nuk do isha një opozitë e dobët që shan çdo opozitë tjetër të fortë.

Por nga ana tjetër s’jam aq i pandjeshëm sa të mos mendoj se njerëzit e këtij parlamenti janë krijues. Krijojnë filozofinë e t’u marrit më çështje publike për interesa personale. Këta imamët e kohës moderne që mbajnë gra të shëndosha në shtëpi dhe dashnore elegante nëpër zyra. Ama gratë i shëndoshin vetë me mishin e dhive të Mirëditës. Se me dhitë e fshatit të tyre zhvillohen grate e qytetit tonë.”
Ja këto do them por me disa ndryshime. Nuk dua të më shpëtojnë mendimet se kjo do ishte fatale. Mund të hiqem nga lista mirëpo nëse dal nga lista do detyrohem të hap një parti tjetër sa për të treguar që parimet e partis dolën nga partia qëkurse dola unë. Do i hap punë vetes. Duhet ta ndryshoj fjalimin.Të mos them atë që mendoj. Më mirë po i them sime shoqeje të nxjerrë kostumin e errët. Mendimi im është i kobzi, tamam si ky kostum.

Por detyra e mendimit është të qëndrojë i fshehur. Do them atë që duan të dëgjojnë. Atë që duhet të dëgjojnë.

Shënim: Fjalimi nuk u mbajt për shkak se seancat u bllokuan…

Share: