Home KRYESORE Eduart Ndocaj është një qytetar i lirë dhe ndaj tij nuk është...

Eduart Ndocaj është një qytetar i lirë dhe ndaj tij nuk është ngritur asnjë akuzë për ndonjë vepër penale nga organet e hetimit

Duke marrë shkak nga publikimi i disa lajmeve të pavërteta dhe keqdashëse të publikuar në mediat elektronike, në cilësinë e mbrojtësit të z. Eduart Ndocaj dëshirojmë t’ju bëjmë me dije si vijon:

1. z. Eduart Ndocaj është një qytetar i lirë dhe ndaj tij nuk është ngritur asnjë akuzë për ndonjë vepër penale nga organet e hetimit dhe organet gjyqësore të Republikës së Shqipërisë. Aktualisht ai po udhëton drejt familjes së tij në Itali.

2. Është i pavërtetë lajmi i arrestimit apo i ndalimit të tij. Mbrëmjen e djeshme ai i është nënshtruar një verifikimi policor sikurse mund t’i nënshtrohet çdo qytetar tjetër i lirë dhe në asnjë rast atij nuk i është hequr liria si person i ndaluar ose arrestuar. Ngjarja ka marr shkas nga denoncimi i një shtetasi Italian të quajtur ….që ka disponuar me kontratë ligjore një automjet… i cili më vonë e ka denoncuar si të vjedhur për qëllime që vetëm ai mund t’i dijë… Pas denoncimit, Prokuroria pranë Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Kukës, pasi është njohur me provat shkresore ia ka lënë automjetin nën ruajtje z. Ndocaj. Më tej, po për të njëjtin fakt juridik që nuk ekziston, ky shtetas ka bërë kallëzim në Drejtorinë e Policisë së Qarkut Lezhë, më 07.10.2017 dhe kjo e fundit, pa bërë asnjë verifikim dhe asnjë përpjekje për të kontaktuar me z. Ndocaj, ndonëse ky i fundit është ndër personat më publik në Shqipëri, e ka shpallur në kërkim policor. Shuma e pretenduar nga ky shtetas në fakt është shuma e vlerës së automjetit sipas kontratës ligjore që është vënë në dispozicion të organeve të hetimit… Për këtë ngjarje s’mund të japim më shumë informacion për shkak të ruajtjes së sekretit hetimor…

3. Në cilësinë e mbrojtësit, ju bëjmë me dije që veprimet e Policisë së Shtetit kanë qenë krejtësisht jo profesionale dhe të pajustifikuara pasi policia kishte mundësinë që nëpërmjet sistemeve në përdorim të saj, të verifikonte fatin e hetimit të filluar nga Prokuroria pranë Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Kukës, si dhe të kontaktonte drejtpërdrejtë me z. Ndocaj. Ky i fundit ndryshe ngase ka pretenduar Policia e Shtetit, ka qenë në ditën e premte, datë 06.10.2017 në ambientet e Kuvendit të Shqipërisë, ku si ish deputet ka shkuar për të përfunduar dorëzimet e rastit. Pra shpallja në kërkim ishte e padrejtë dhe e pa bazuar në prova, fakte dhe në ligj. Megjithatë, sqarojmë që e njëjta polici, e cila ka gabuar në shpalljen në kërkim policor të tij pa bërë asnjë verifikim të nevojshëm, pasi u njoh me provat shkresore dhe thëniet e z. Ndocaj, nuk kreu asnjë veprim të mëtejshëm duke mos cenuar lirinë e tij.

4. Lidhur me publikimet në media, ju bëjmë thirrje gjithë organeve të nderuara të medias, të mos publikojnë lajme të pavërteta dhe me qëllime dashakeqëse ndaj z. Ndocaj. Gjithashtu, u bëjmë thirrje mediave që kanë publikuar të heqin lajmin menjëherë dhe të mos dezinformojnë publikun për gjëra që nuk ekzistojnë. Ndërkohë, u bëjmë thirrje organeve të hetimit të fillojnë një hetim për veprën penale të “Zbulimit të akteve dhe të dhënave sekrete” të parashikuar nga neni 295/a i Kodit Penal në lidhje me nenin 103 të Kodit të Procedurës Penale, pasi informacionet e publikuara (duke përfshirë pasaportën) e z. Ndocaj janë nxjerrë nga aktet e hetimit dhe më pas janë manipuluar për qëllime të dëmtimit të imazhit të z. Ndocaj.

Mbetemi në dispozicionin tuaj për çdo sqarim që nuk cenon sekretin hetimor.

Ju falënderojmë për mirëkuptimin!

Mbrojtësi i z. Ndocaj

Av. Prof. Asoc. Dr. Jordan DACI

Ish-deputeti Eduart Ndocaj është ndaluar (jo arrestuar) dje në portin e Durrësit, pasi ishte shpallur në kërkim nga Policia e Lezhës.

NJOFTIMI I POLICISE

Më datë 09.10.2017, në PKK Port, Durrës, u kap shtetasi në kërkim E.N, vjeç 42, banues në Manati Lezhë, pasi dyshohet se nëpërmjet mashtrimit në Itali, i ka vjedhur një shtetasi italian nje shume eurosh. Ne perfundim te veprimeve te kryera nga D.V.P Lezhe ndaj shtetasit E.N u referuan materialet ne Prokurori dhe ndiqet ne gjendje te lire per vepren penale parashikuar nga neni 143/2 i Kodit Penal.

Share: