Nga Azem Parllaku
Gora është një njësi e rëndësishme etnokulturore e qarkut të Kukësit, ndërsa banorët e saj të vendosur në këtë truall pas shekullit të XI, kanë ndarë të njejtin fat, ishin po aq patriotë, e kanë luftuar nën të njejtin Flamur, siç kanë bërë të gjithë shqiptarët e ngulur në kërthizë të Gjallicës dhe vargmalit të Sharrit. Ashtu sikurse paraardhësit e tyre, edhe sot goranët e dëshmojnë se janë të lidhur fuqishëm me vendin e tyre. Ndoshta një pjesë e konsiderueshme e tyre, mund të mos e kthenin kokën pas, ndërsa jetojnë e punojnë në vendet e zhvilluara të Europës, por në ndërkohë nuk kanë vepruar kështu. Si njerëz të punës, goranët po investojnë çdo ditë e më shumë në vendlindjen e tyre. Më së miri kjo reflektohet kur kemi parasysh që: Vetëm në dy vitet e fundit, kryesisht në Shishtavec dhe Borje janë investuar më shumë se 10 milion euro, për ndërtimtari dhe në fushën e biznesit të vogël familjar, kursime këto të emigrantëve.
Në kushtet kur Shqipëria përshkruhet si një vend ku dominon droga, korrupsioni dhe ndërthurja e klaneve me politikën, goranët, nuk u frustruan ndaj politikanëve për shkak të dobësisë së vazhdueshme ekonomike. Ndryshe ata zgjodhën të i ikin jo me vullnetin e tyre identitetit të përcaktuar nga rrethanat historike. Fati ishte në anën e tyre në kohën e embargos ndaj Serbisë, kur shumë familje përfituan nëpërmjet tregtisë së karburantit dhe shkëmbimit të mallrave përgjatë periudhës 1992-1996.
Menjëherë pas mbarimit të Luftës në Kosovë në vitin 1999, studiuesi i kulturës dhe historisë së Gorës, Nazif Dokle, as më pak e as më shumë nëpërmjet botimeve me tepri të cilat ai na ka lënë i mëshon idesë se: Gora, është po aq shqiptare sa edhe Prishtina, Gora, është po aq shqiptare sa edhe Tirana, ndërsa për gjuhën që flasin goranët thotë se mund të ketë afëri me maqedonishten apo bullgarishten, por me sllavët tjerë të veriut që janë stabilizuar në Ballkan assesi. Nazif Dokle, duke publikuar fakte, ndërkohë që anatemohej, me takt i’u përshtat politikës së ditës, duke spikatur me idetë e tij.
Instituti i folklorit pranë Akademisë Bullgare të Shkencave, shfaqi interes të veçantë për qasjet e studiuesit Dokle. Veselka Tonceva e Akademisë Bullgare të Shkencave ngriti zërin në Shkodër fillimisht, më pas në Sofje, duke argumentuar se gjuha të cilën e flasin goranët, është e njohur si bullgare dhe i takon grupit më perandimor të dialektit bullgaro-maqedonas. Sipas opinionit bullgar, këngët e këtij komuniteti janë bullgare thotë Tonceva anëtare e Akademisë Bullgare të Shkencave. Pas këtyre deklarimeve të studiuesve të folklorit bullgar, në Shishtavec dhe Borje erdhën disa grupe kërkuesish nga Sofja, të cilët në vitet 2006-2009, tundnin para kamerave të televizioneve bullgare një dokument në të cilin shkruhej se: Në vitin 1935, nga një regjistrim i kryer në mënyrë të fshehtë nga shteti shqiptar i asaj kohe, thuhet se 10968 qytetarë janë deklaruar si folës të gjuhës bullgare në fshatrat e Prespës, Gollobordës dhe Gorës në Kukës.
Ka mjaftuar kaq dhe diplomatët bullgarë në Tiranë, të vihen në lëvizje. Duke përfituar nga etja e shqiptarëve për të emigruar, diplomatët në fjalë, u dakortësuan me tre shoqatat e komunitetit bullgar në Shqipëri, në këmbim të përfitimeve, kur bëhet fjalë për një pasapotë të një shteti të Bashkimit Europian, siç është Bullgaria. 3000 firmave të banorëve të komunitetit bullgar në Shqipëri, të cilët kërkuan që t’u njihet e drejta e tyre siç i njihen tetë pakicave të tjera në vend, nuk dihet sesa goranë u janë bashkuar.
Edhe pse një javë më parë ministri për Europën dhe Punët e Jashtme, Ditmir Bushati, ishte i bindur dhe këmbëngulës në qëndrimin e tij për mosekzistencën e minoritetit bullgar në Shqipëri, përpara fakteve historike dhe presionit të Bullgarisë, deputetët e Kuvendit të Shqipërisë iu dorëzuan presionit bullgar. Dje Kryeministri i Bullgarisë, Bojko Borisov, përmes një postimi në rrjetet sociale e ka përshëndetur miratimin e ligjit për pakicat kombëtare në Shqipëri. “Moment historik për Bullgarinë pas 104 vitesh Shqipëria njohu bashkësinë etnike bullgare”, shkruan Borisov.
Agjencia Shtetërore për “Bullgarët Abroad”, e cila ndihmon në marrjen e një pasaporte, për familjet bullgare që sipas saj janë vendosur në Shqipëri dikur në shekullin e V i konsideron pasardhësit e tyre si pjesë e diasporës së saj. Nuk ka statistika, por organizatat bullgare në Shqipëri vlerësojnë se ka rreth 100,000 persona nga këta pasardhës. Parlamenti Evropian kërkoi në shkurt nga Tirana, që të drejtat e personave me përkatësi bullgare në rajonet e Prespës, Gollobordës dhe Gorës të jenë të sanksionuara në ligj dhe të sigurohen në praktikë.
Koha nuk pret aspak dhe duhet që goranët të veprojë ndaj liderëve politikë nacionalistë etnikokleptokratë. Të gjithë duhet të rreshtohen para Ambasadës së Bullgarisë si dikur para Ambasadës së ish-Jugosllavisë, jo për një vizë si atëherë, por një pasaportë që Europa e njeh sot. Ballkani nuk është aq emocionues sa dikur. Dhuna në shkallë të gjerë që e bëri rajonin një shqetësim kryesor të politikës Europiane në vitet 1990, nuk është më një tipar i politikës ballkanike. Të qenit goran, është e duhet të jetë krenari për të gjithë ato që banojnë në atë zonë. Askush prej goranëve nuk ka pse rrudhet për përcaktimin e identitetit të vet. Fati i goranëve është Shqipëria dhe Europa.