Home KRYESORE FAT I MISHTË Fëmija im… Nga Rita Petro

FAT I MISHTË Fëmija im… Nga Rita Petro

Fëmija im
Ka eshtra ende të brishta
Mish të njomë ngjyrë rozë
Të butë si një lepurush
Apo një qengj sytrishtuar
Para hanxharit të kasapit.
Ditën
Fati i mishtë i bijës sime
U shpëton për qime
Makinave
Me shpejtësi skëterre,
Fati i saj është i varur
Në fill të perit
Si fati i mackës
Që ajo e deshi aq shumë,
Por dikush
Ia përplasi në tokë.
Natën
Përpiqem ta çoj
Në livadhe përrallash,
Ku të keqen gjithnjë e mund e mira
Dhe princi i kaltër
Martohet me vajzën e varfër,
Por tek e dremit gjumi
Ajo gjithnjë më pyet:
– Mami,
Pse ma vranë mackën?

Share: