Home KRYESORE Flet CIA, befason me ato që tregon për diktatorin Kim Jong Un

Flet CIA, befason me ato që tregon për diktatorin Kim Jong Un

Kim Jong-un, sipas CIA-s, nuk është aspak i çmendur, pavarësisht provokimeve të vazhdueshme dhe gatishmërisë për t’u angazhuar në retorika të nxehta që bëjnë të fryjë erë lufte bërthamore.

Lideri i Koresë së Veriut, sipas zëvendësdrejtoreshës së qendrës së misionit të Koresë pranë Agjensisë Qendrore të Zbulimit, është në fakt një aktor shumë racional.

Përtej deklaratave agresive, Kim nuk ka asnjë dëshirë reale që të përballet me forcat e komandës së përbashkët të Shteteve të Bashkuara dhe Koresë së Jugut, deklaroi Yong Suk Lee në konferencën për zbulimin në Uashington, të organizuar nga CIA.

“Zëri i Amerikës” e citon zyrtaren e lartë të inteligjencës amerikane të pohojë se udhëheqësi i shtetit të izoluar komunist, në thelb, dëshiron atë që duan të gjithë sundimtarët autoritarë: të qeverisin për një kohë të gjatë e të vdesin paqësisht në shtratin e tyre.

Vlerësimi i agjencive të zbulimit bie në kundërshtim me retorikën e Presidentit Donald Trump. Në një seri mesazhesh në Twitter, shefi i Shtëpisë së Bardhë e quan Kim Jong-unin “njeri të vogël raketash” dhe në një mesazh të postuar muajin e kaluar, shkruante se 33-vjeçari është “padyshim një njeri i çmendur”.

Lee dhe zyrtarë të tjerë të CIA-s ndajnë tjetër bindje. Ata besojnë se ka një “qëllim të caktuar” në mënyrën se si udhëheqësi i Koresë së Veriut po vepron në skenën botërore./360grade.al

Share: