Home KRYESORE Ish-shefi policisë/ Breçani: Ja grupet kriminale në vend

Ish-shefi policisë/ Breçani: Ja grupet kriminale në vend

Elbasani me bandat e tij të frikshme, me dy raste që sollën një përplasje me policinë dhe një skandal polici-prokurori, (po që askush nuk hetoi për të), për krimin e organizuar, klanet mafioze, familjet kriminale e për gjithçka që ka të bëjë me trafiqet në këtë vend, askund s’ka të dhëna konkrete! Mungojnë zërat që flasin qartë dhe me fakte, e mbi të gjitha që japin zgjidhje. Sigurisht që duhen profesionistë kur bëhet fjalë për sipërmarrje kaq të mëdha, siç është lufta ndaj krimit të organizuar, atij krimit, që në çdo qelizë të tijën ka mbështetjen e plotë të politikës. Madje të asaj me pushtet e në pushtet! “Shekulli” kontaktoi një oficer policie, mbase një prej emrave më të spikatur të kësaj pune në të paktën dy dekada, i cili sot është jashtë radhëve të policisë. Është jashtë për bindje politike. Ashtu si shumë kolegë të tij ndër vite, e sa herë ndërrohen qeveritë.

Erzen Breçani, polici i terrenit, djali që nga RENEA u hodh në komisariatet e Tiranës, duke u bërë një emër protagonist në disa ngjarje me impakt të veçantë për rendin dhe sigurinë, vjen të na tregojë krimin dhe bëmat e tij. Ai, më mirë se pak kush e di ku i “dhemb” policisë, drejtësisë, pse jo edhe ndikimit të fuqishëm politik mbi këtë sistem. Me ndërgjegjen e mbetur tek braktisja që iu bë Artan Cukut, duke e lënë të zbuluar para krimit të organizuar që i mori jetën, Breçani ka veç shumë apeleve edhe një thirrje për ministrin e brendshëm dhe kryeministrin. Ndërsa shpjegon se përse janë fuqizuar grupet e Elbasanit në veçanti dhe krimi i organizuar në përgjithësi, ish-shefi i krimeve dhe nëndrejtori i Policisë së Tiranës ndalohet te lejimi nga vetë shteti i trafikut të drogës. Gjithçka ndodh në vend, ka ndodhur dhe pritet të ndodhë, nëse nuk ndërhyhet, Breçani e saktëson dhe e paralajmëron, ndërsa tregon se ishte vetëm Rama që me luftën që i shpalli policisë lejoi fuqizimin e grupeve kriminale, duke lejuar kultivimin dhe trafikimin e drogës. Në vendin tonë, sipas tij, janë me dhjetëra grupe të fuqishme kriminale!

Pak ditë më parë Elbasani prodhoi dy ngjarje; njëra përplasje mes policisë dhe të fortëve me imunitet dhe tjetra një skandal, ku policia refuzon të kryejë përgjimin e tre personave që dyshoheshin për një atentat; çfarë ka ndodhur sipas jush në të dy këto ngjarje…?

Po i kemi ndjekur me vëmendje ngjarjet e Elbasanit aspak të dëshiruara për ne dhe komunitetin e atij qyteti që me sa shihet nuk bëjnë jetën e tyre të qetë dhe të sigurt. Ngjarja e parë sipas analizës time fillimisht pas marrjes së informacionit dhe vlerësimit të informacionit kanë filluar në kohë organizimin për ndjekjen, kontrollin dhe shoqërimin e personave ku falë pamjeve bie në sy ndalimi i automjeteve dhe shoqërimi i personave por për mendimin tim nuk ishte vendi i përshtatshëm në favor të policisë për kryerjen e veprimeve pasi aty mund të përdorën edhe armët e zjarrit.

Ky ishte një operacion i pa planifikuar mirë ku dukej qartë se nuk kanë detyra konkrete se kush është në grupin e mbështetjes në grupin e kontrollit ose i sulmit si dhe grupi që do kryejë shoqërimin e personave, që këto grupe mund të ishin nga dy punonjës policie, minimalja deri në pesë persona. Shumë e rëndësishme në një operacion që nuk u pa, është që punonjës policie të bëjnë bllokimin e mjeteve të tjera si në fillim dhe në fund të vendit ku kryejnë veprimet operacionale. Policia të paktën me një tabelë ndalim-kalimi në një distancë prej 20-30 metra ose të kthejnë makinat e policisë në bllokim rruge dhe makinat e policisë në çdo rast duhet të jenë të ndezura me shofer brenda, dhe në rastin konkret fillimisht u veprua perfekt në kontrollin dhe shoqërimin e personave të dyshuar.

Më pas vjen mjeti i blinduar, i pa penguar më parë nga mjeti i policisë dhe godet mjetin e policisë që paraqet rrezikshmëri për punonjësit e policisë. Në këtë rast forcat policore nuk kishin një plan për të papriturat që ndodhin në çdo operacion policor dhe nuk ishin të gatshëm që të kryenin ndjekjen në pamundësi bllokimi ku dalin në pah mangësitë; forcat dhe mjetet që duheshin për të kryer ndjekjen, prangosjen e personit që hapi dhe mbylli portën, mungesa e theksuar e drejtuesit të operacionit që është titullari që ka gradën më të lartë i cili duhet të marrë vendimmarrjen e përnjëhershme për riorganizimin dhe rigrupimin e forcave për të organizuar ndjekjen, kufizimin dhe kundërpërgjigjen e agresorëve.

Në këtë rast të personave në automjetin e blinduar, të rojës, si dhe personave që ndihmuan dhe përkrahën autorin e sulmit ndaj policisë. Porsa i përket pretendimeve që policia ka përdorur armën e zjarrit, për mua është përdorur sipas ligjit të përdorimit të armës së zjarrit që në një sulm me mjete të blinduara kur nuk i bindesh urdhrit të policisë për ndalim dhe futesh në një zonë ku kryhen operacione të tilla, policia qëllon me armë jo në drejtim të agresorit për të paralajmëruar dhe për të thënë që do përdor armën e zjarrit pasi informacioni ishte se bëhej fjalë për persona të armatosur!

Policia nuk i përgjigjet prokurorisë për përgjim, si e komentoni në akt të tillë?

Për sa i përket refuzimit që ju thoni që policia i ka kthyer përgjigje prokurorisë se nuk i vëzhgojmë këta persona për x arsyeje, kjo është e papranueshme. Këtu kemi të bëjmë me një këputje të një hallke të madhe të zinxhirit për luftën kundër krimit dhe kriminelëve. Këtu për mendimin tim mund të them nga përvoja se krimi i organizuar është në piedestal, në kulmin e lulëzimit të tij dhe ka fituar totalisht mbi gjithë organet ligjzbatuese sepse nuk luftohet krimi asnjëherë në një shtet demokratik nëse nuk janë bashkë Polici, Prokurori dhe Gjykata!

Në një procedim penal të një grupi kriminal nuk mund ta kurorëzojë me sukses policia pa prokurorinë dhe gjykatën! Policia mbledh informacion për grupet kriminale dhe aktivitetin e tyre por është prokurori që vendos dhe arsyeton për vëzhgimin, përgjimin telefonik dhe ambiental, që e miraton nga gjykata ku me pas prokurori dhe policia analizojnë detajet që dalin nga vëzhgimi. Nëse policia e një qarku nuk i ka mjetet, forcat apo diçka tjetër që i duhet, duhet të kërkojë ndihmë tek Drejtoria e Përgjithshme që ka forca dhe mjete rezervë për futjen në veprim siç janë grupet operacionale dhe forcat speciale!

Elbasani prej pak ditësh është kthyer në epiqendër ku duket se krimi i organizuar është më i fuqishëm se çdo mekanizëm shtetëror, si ishte Elbasani në kohën tuaj?

Grupet kriminale në Elbasan kanë ardhur duke u strukturuar dhe fuqizuar nga viti në vit. Kjo duket qartë nga viktimat që ka prodhuar; sa më shumë viktima dhe sa më pak të arrestuar nga policia dhe të ndaluar nga prokuroria, kjo është njësia matëse e fuqizimit të një grupi. Kjo do të thotë që nëpërmjet aktiviteteve kriminale një grup ka mbledhur shumë para, ka rekrutuar më shumë persona, ka kryer mbrojtje politike, lidhje të forta me persona në Policinë e Shtetit, Prokurori dhe Gjykata; pra janë fuqizuar!

Të gjitha këto realizohen nga vlerat monetare dhe materiale që kanë përfituar nga aktivitetet kriminale si trafik droge, trafik qeniesh njerëzore, trafik armësh etj. Në kohën time, (koha ime është e gjatë në polici, 20 vjet) për vitet që kam qenë te RENEA kemi kryer shumë operacione. Janë minimizuar këto grupe dhe janë mbajtur nën kontroll, kurse vitet e fundit unë kam shërbyer në Tiranë dhe për Elbasanin mund të flasin më mirë ish- drejtuesit e mëdhenj të Policisë!

Cili mendoni që është shkaku real që fuqizon grupe kriminale në zona të caktuara?

Shkaku real që fuqizon grupet kriminale është paaftësia profesionale e policisë, prokurorisë dhe organeve ligjzbatuese që nuk godasin me vullnet dhe paanshmëri çdo grup kriminal kush do qoftë ai!

Sa ndikon politika në ngritjen dhe uljen e bazave kriminale?

Politika është një nga faktorët e rëndësishëm që ndikon në fuqizimin apo në të kundërtën e grupeve kriminale. Kemi parë që në vendin tonë, politika edhe pse çdo qeverisje si në çdo vend të botës edhe te ne në prioritetet e saj ka luftën kundër krimit dhe krimit të organizuar! Por krimi i organizuar para 4 vitesh filloi dhe u rrit me hapa të shpejtë! Këtë e pamë në momentet e para të marrjes së pushtetit. U pritën ndryshime dhe reforma të mëdha që do ulnin krimet dhe aktivitetet kriminale, biles premtimet e qeverisë Rama ishin 100 ditë (qesh)!

Ndryshimet u panë menjëherë; u hoqën 700 drejtues policie të të gjitha niveleve! Plasi krimi. U shtuan krimet me eksploziv si kurrë ndonjëherë, pati vrasës me pagesë si kurrë ndonjëherë, pati gjobëvënie dhe përzënie investitorësh si kurrë ndonjëherë. Pati kultivim, tregtim ndërkombëtar të lëndëve narkotike si kurrë ndonjëherë, pati vjedhje, grabitje bankash dhe vlerash monetare si kurrë ndonjëherë më parë. Pra e them me bindje te plote se ishte vendimet politike që i hoqi profesionistët. Gjithë këto aktivitete kriminale pa mbrojtje politike kurrë nuk mund të ndodhin në një vend demokratik kur politika nuk i fut hundët në drejtimin operacional të Policisë së Shtetit.

Pamë në qeverisjen e parë në vitin 2005 që u ruajt deri diku, u frenua ndikimi politik mbi policinë që u goditen dhe u dokumentuan aktivitetet e shumë e shumë grupeve kriminale pa ndërruar drejtuesit më të lartë të asaj kohe. Një pjesë i patën hequr për punë bindjesh. Gabim i madh!

Në grupet e strukturuara kriminale, me qindra elementë, në çdo cep të vendit

Donald Lu’ sërish foli me emra trafikantësh dhe kriminelësh; pse duhet të na i kujtojnë të huajt, kur policia, prokuroria dhe gjykata i njeh këta persona?

Lulëzimi i krimit të organizuar në vendin tonë vjen nga paratë e fituara nga kultivimi dhe trafiku i lëndëve narkotike. Këtë kultivim dhe trafik nuk mund ta kryejë një person i vetëm por shumë persona, ç’ka do të thotë se kemi të bëjmë me grup të strukturuar kriminal. Që të kultivohet bima narkotike, të trafikohet dhe të shitet duhen shumë persona, ku kanë detyrat e ndara; dikush ka rolin për gjetjen e farave, dikush për gjetjen dhe përshtatjen e vendit të prodhimit, dikush për ta kultivuar, të tjerë për ruajtjen me armë, ndërsa duhen edhe njerëz për të siguruar armatim, automjete, klientë, treg për shitje e deri njerëz për të rekrutuar punonjës policie!

Për të gjitha këto duhen vlera të mëdha monetare. Këto elementë përbëjnë grupin e strukturuar kriminal! Sa të tillë ka në Shqipëri?! Ua them unë; janë me dhjetëra e qindra në çdo cep të vendit. A është e lehtë të goditen?! Jo, nuk është aspak e lehtë! Por është e mundur kur ka vullnet politik dhe politika të mos ndërhyjë në kapjen e sistemit të drejtësisë. Këto grupe kriminale të dala nga kultivimi dhe trafikimi i lëndëve narkotike kanë marrë pas vetes një pjesë të madhe të shoqërisë tonë, kryesisht të rinj! Janë joshur dhe rekrutuar, pasi janë larguar nga mënyra e jetesës që bënin për të fituar para të shpejtë!

Ambasadori Amerikan sërish foli, por të shpresojmë për një reagim edhe pse të vonuar të qeverisë shqiptare. Jo më me fjalë si gjithmonë por me vepra konkrete. Këtë duhet të bëjë kryeministri që të urdhërojë rikthimin në strukturat e Policisë të ekspertëve që hoqën me të padrejtë dhe në kundërshtim të ligjit! Të nisi luftën me gjithë potencialin e tyre kundër krimit të organizuar pasi ata punonjës janë një armë e fortë që kanë metodikën e veprimit dhe të dokumentimit të aktiviteteve kriminale.

Me sinqeritetin më të lartë, nuk kërkoj rikthimin tim në radhët e policisë por të të gjithë atyre kolegëve profesionistë që janë hedhur në rrugë dhe që janë larguar edhe nga Shqipëria fare. Të kthehen sepse ata dinë të bëjnë mirë vetëm punën e oficerit të policisë pasi janë të arsimuar dhe të specializuar. Të rikthejë në drejtim ata që shpëtuan dhe u grumbulluan në Akademinë e Rendit si pedagogë ku u ulën në grada dhe të marrin postet drejtuese sepse aty fillon goditja nga ana profesionale! Vetëm kështu dokumentohen me prova dhe shkencërisht gjitha krimet e kryera dhe përfitimet nga aktivitetet kriminale të klaneve mafioze grupeve të strukturuara.

Çfarë do të bëjë prokuroria apo gjykatat?

Çfarë do gjykojnë apo kë do të dënojnë? Vetëm duke arsyetuar informacione apo prova të përftuara nga ekzaminimet? Profesionalizmi i Policisë, i OPGJ-ve të saj dhe më pas bashkëpunimi me prokurorinë bën që të dërgojnë për gjykim persona dhe grupe kriminale që asnjë gjykatës në Shqipëri nuk mund t’i lirojë. Punonjësit e policisë po te mos kishin ndikime politike dhe sigurisht po të kenë moral të fortë, nuk i ndalon askush që të bëjnë punën që ua lejon ligji. Pra çdo punonjës policie është edhe oficer i policisë gjyqësore, që do të thotë ka akses që të ndjekë ngjarjet kriminale, t’i dokumentojë ato, të parandalojë aktivitetet kriminale. Të gjithë që nga polici i thjeshtë e deri te drejtuesi më i lartë kanë detyrim të bëjnë informacion në sistemin MEMEX, ku janë të pavarur dhe nuk mundet askush ta heqë informacionin që regjistrohet!

Share: