Shih pak këtë foto: Në Kuvend të Shqipërisë “proteston” “opozita”! Në thonjëza “proteston”, në thonjëza “opozita”, sepse që të dyja janë gjoja.
Nëse në rreshtat e para të deputetëve të PD – së shkruhet “QEVERI E KRIMIT”, por deputeti vazhdon e qëndron në sallën e atij parlamenti ku legjitimohet krimi i kësaj qeverie, do të thotë se, nëse nuk është bashkautore, të paktën është bashkëfajtore. Juridikisht, qeveria del nga kuvendi, votëbesohet aty, funksionon me ligjet e miratuara aty….. Nëse kjo qeveri është “E KRIMIT”, zgjidhja e vetme është rrëzimi i menjëhershëm, me çdo mjet , i saj. “Mëma” e qeverisë, pra Kuvendi, o është pjesë, ose duhet “t’i bëjë harram qumshtin”
Por tabela elektronike, e paraqitur edhe në foton kryesore të këtij shkrimi, na tregon se PD ka votuar në rresht. Të gjithë kanë qenë në sallë…apo dolën? Po po..”dolën”! Mjeshtri Basha e krijoi imazhin e gjoja bojkotit. Por kjo ndodhi vetëm kur foli Rama. Ndërsa në votim morën pjesë, duke vazhduar të mbajnë të legjitimuar QEVERINË E KRIMIT, siç e quajnë jashtë e brenda kuvendit.
Më e natyrshmja e më e pakta që mund të ndodhte sot do të kishte pas qenë dalja nga Kuvendi pas leximit të raporteve, duke deklaruar se , me përfaqësuesin politik të Mafias në krye të qeverisë, pra me Edi Ramën kryeministër, në atë sallë Partia Demokratike nuk do të shkelte.Ky nuk është as propozimi im, as gjetja ime. E ka bërë 8 muaj më parë po ky Lulzim dhe po kjo PD, kur braktisi Parlamentin e ngrefi çadrën në rrugë, absolutisht me të njejtën kauzë: Edi Rama është përfaqësuesi i Mafias së drogës. Sot këtë hipotezë e ka bërë tezë drejtësia e një vendi fqinj, anëtar i Bashkimit Europian, siç është Italia.
Por dënimi i historisë është fatal. Është ligj absolut që kur përsëritet, detyrimisht është komedi. Sot ishin pankartat, slloganet, po ata aktorë, po ai skenarist e regjisor, po ajo pjesë….por duke bërë atë dalje hilanjose, jo në votim por gjatë fjalës së kryeministrit, e bën më shumë se qesharake farsën. Pra legjitim i gjithë proçesi. Kërkesa e prokurorisë ra me votim “të lirë e të ndershëm”, ku morën pjesë të gjithë, ku pushteti shprehu votën e tij dhe opozita votoi “lirisht” siç mendoi. Me kaq, Pilati i lau duart dhe gjërat janë formalisht në rregull…
Pra nga “Cosa loro” (gjëja e tyre, e rilindjes), opozita e ktheu në Cosa Nostra , çështje e të gjithëve, duke na përfshirë të gjithëve, politikisht, në këtë aferë të ndyrë lidhjesh mes mafias, politikës dhe drogës.
Shqipëria nuk ka sot problemin e një ministri të dyshuar si të lidhur me mafian e drogës, por ka krizën e një kryeministri garant politik të kësaj marrëdhënieje. Pra forcat serioze opozitare nuk mundet më të qëndrojnë në atë parlament që mban në këmbë atë qeveri, por , sikur ta kishin patur sadopak seriozisht kishin braktisur votimin dhe Kuvendin, deri në ikjen e kësaj qeverie. Çdo hile tjetër është mbajtje në këmbë e këtij establishmenti.