Home KRYESORE Kërcënimi, prapaskenat, ja pse Prokuroria po sfidon politikën

Kërcënimi, prapaskenat, ja pse Prokuroria po sfidon politikën

Si asnjëherë më parë, Prokuroria e Krimeve të Rënda kërcënoi dje kryeministrin Edi Rama, duke i kujtuar fatin e ish-kryeministrit kroat Ivo Sanader, i dënuar dy herë për korrupsion me 10 dhe 9 vjet burg. Kërcënimi erdhi pas deklaratave të Ramës mbi kërkesën e kësaj prokurorie për arrestimin e Saimir Tahirit. Mesazhi vjen gjithashtu edhe në një kohë kur disa prokurorë të Krimeve të Rënda shumë shpjet do të marrin një përgjigje nga organet e Vetingut, nëse duhet apo jo të shërbejnë në drejtësinë e re, bazuar në rezultatet e verifikimit të trefishtë për ligjshmërinë e pasurive, lidhjet me krimin dhe aftësitë profesionale.

Gjithsesi, referenca e historisë kroate nga Prokuroria e Krimeve të Rënda shpjegohet edhe me hartimin dhe zbatimin e Reformës në Drejtësi, e cila ka kaluar në duart e kësaj prokurorie ushtrimin e ndjekjes penale ndaj njerëzve të politikës, për çdo akuzë penale.

Kompetencat e përkohshme

Mungesa e finalizimit të ngritjes së Prokurorisë së Posaçme si dhe ndryshimet e fundit kushtetuese i kanë dhënë Prokurorisë së Krimeve të Rënda pushtet mbi politikën e Tiranës. Pushteti i ri i Prokurorisë së Krimeve të Rënda, deri në ngritjen e Prokurorisë së Posaçme, buron tek neni 148/dh dhe pika 2 e nenit 135 të Kushtetues së ndryshuar. Konkretisht, neni 148/dh i Kushtetutës parashikon që Prokuroria e Posaçme (kompetencat e së cilës aktualisht po i ushtron Prokuroria e Krimeve të Rënda) ushtron ndjekjen penale dhe përfaqëson akuzën para gjykatave të posaçme të parashikuara në nenin 135, pika 2, të Kushtetutës, si dhe para Gjykatës së Lartë.

Neni 135 pika 2 i Kushtetutës parashikon që Gjykata e Posaçme gjykon dosjet penale të referuara nga kjo prokurori kundër Presidentit të Republikës, Kryetarit të Kuvendit, Kryeministrit, anëtarit të Këshillit të Ministrave, gjyqtarit të Gjykatës Kushtetuese dhe të Gjykatës së Lartë, Prokurorit të Përgjithshëm, Inspektorit të Lartë të Drejtësisë, Kryetarit të Bashkisë, deputetit, zëvendësministrit, anëtarit të Këshillit të Lartë Gjyqësor dhe të Këshillit të Lartë të Prokurorisë, dhe drejtuesve të institucioneve qendrore ose të pavarura të përcaktuara në Kushtetutë ose në ligj, si dhe akuzat kundër ish-funksionarëve të sipërpërmendur.

PKR duhet të shkrihej që fillim të gushtit
Prokuroria e Krimeve të Rënda duhet të kishte pushuar së funksionuari që në datën 5 gusht të 2017. Neni 163 i ligjit për statusin e magjistratëve parashikon që prokurori në detyrë në Prokurorinë e Krimeve të Rënda të Shkallës së Parë ose të Apelit qëndron në pozicionin e tij deri në momentin e krijimit të Prokurorisë së Posaçme, me përjashtim të rasteve kur mandati i ndërpritet për shkak të veprimit të ligjit të Vetingut. Asnjë prokuror i Krimeve të Rënda nuk mund të bëhet pjesë e Prokurorisë së Posaçme pa kaluar procesin e Vetingut.

Por, neni 57, pika 6, i vetë ligjit për organizimin dhe funksionimin e institucioneve për të luftuar korrupsionin dhe krimin e organizuar parashikon që në ditën e 300-të pas hyrjes në fuqi të këtij ligji, çështjet ndaj politikanëve ndiqen Prokuroria e Posaçme. Në mesnatën e ditës së 300-të pas hyrjes në fuqi të ligjit për SPAK-un kompetencat, u kalojnë gjykatave kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar dhe Prokurorisë së Posaçme. Sipas ligjit të SPAK, ligji nr. 9110, datë 24.7.2003, “Për organizimin dhe funksionimin e gjykatave për krimet e rënda”, shfuqizohet në mesnatën e ditës së 300-të pas hyrjes në fuqi të këtij ligji. Ligji për SPAK është botuar në Fletoren Zyrtare në datën 20 tetor të vitit 2016, ndërsa ka hyrë në fuqi në datën 5 nëntor të 2016. Sipas përllogaritjeve, afati prej 300 ditësh i parashikuar në ligj, ka përfunduar në fillim të muajit gusht të këtij viti.

Bllokomi i SPAK-ut
Dy janë pengesat për ngritjen e Prokurorisë së Posaçme, Byrosë Kombëtare të Hetimit dhe Gjykatës Speciale: Zvarritja e procesit të Vetingut si dhe bllokimi i ngritjes së Këshillit të Lartë Gjyqësor dhe Këshillit të Lartë të Prokurorisë. Neni 57, pika 11 i ligjit për SPAK, i cili ka hyrë në fuqi që në muajin nëntor të vitit të kaluar, parashikon që gjyqtarët dhe prokurorët e Gjykatës së Krimeve të Rënda dhe Prokurorisë së Krimeve të Rënda, vetëm pas kalimit me sukses të procesit të rivlerësimit, me vendim përfundimtar, ata mund të kualifikohen për t’u përzgjedhur si gjyqtar në gjykatat e posaçme kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar ose prokuror në Prokurorinë e Posaçme. Ndërkaq, ngritja e organeve të reja që do luftojnë korrupsionin në nivele të larta kushtëzohet me zgjedhjen e anëtarëve të fundit të Këshillit të Lartë Gjyqësor dhe Këshillit të Lartë të Prokurorisë. Dy muaj nga momenti i zgjedhjes së anëtarit të fundit të KLGJ dhe KLP, duhet të ngrihen organet e SPAK.

Veprat penale për të cilat zbatohet ligji Anti-mafia dhe vepron PKR

Neni 244 i Kodit Penal, korrupsioni aktiv i personave që ushtrojnë funksione publike.

Neni 244/a i Kodit Penal, korrupsioni aktiv i nëpunësve të huaj publikë.

Neni 245 i Kodit Penal, korrupsioni aktiv i funksionarëve të lartë shtetërorë ose të zgjedhurve vendorë.

Neni 259 i Kodit Penal, korrupsioni pasiv i personave që ushtrojnë funksione publike.

Neni 259/a i Kodit Penal, korrupsioni pasiv i nëpunësve të huaj publikë.

Neni 260 a i Kodit Penal, korrupsioni pasiv i funksionarëve të lartë shtetërorë ose i të zgjedhurve vendorë.

Neni 312 i Kodit Penal, korrupsioni aktiv i dëshmitarit, i ekspertit ose përkthyesit.

Neni 319 i Kodit Penal, korrupsioni aktiv i gjyqtarit, prokurorit dhe i funksionarëve të tjerë të drejtësisë.

Neni 319/a i Kodit Penal, korrupsioni aktiv i gjyqtarit ose i zyrtarit të gjykatave ndërkombëtare.

Neni 319/b, korrupsioni aktiv i arbitrit vendas dhe të huaj.

Neni 319/c i Kodit Penal, korrupsioni aktiv i anëtarëve të jurive gjyqësore të huaja.

Neni 319/d i Kodit Penal, korrupsioni pasiv i gjyqtarit ose i zyrtarit të gjykatave ndërkombëtare, dënohet me burgim nga tre gjer në dhjetë vjet.

Neni 319/dh i Kodit Penal, korrupsioni pasiv i arbitrit vendas dhe të huaj.

Neni 319/e i Kodit Penal, korrupsioni pasiv i anëtarëve të jurive gjyqësore të huaja, dënohet me burgim nga dy gjer në tetë vjet./360grade.al/

Share: