Home KRYESORE Ministri pret fijet e ish-ministrit

Ministri pret fijet e ish-ministrit

Fatmir Xhafa është ministër i brendshëm. Qëkur filloi ministër nxori gersherët pikërisht mbi drejtorët dhe njerëzit e ish-ministrit të brendshëm Saimir Tahiri. Fatmir Xhafa është vënë në atë detyrë nga Edi Rama, por burime të besueshme tregojnë për folshqip.al se ka qenë ndërhyrja amerikane për të vendosur pikërisht Fatmir Xhafën. Ai bashkëpunoi me ambasadorin amerikan Lu në Tiranë për krejt reformën zgjedhore dhe mori kredenciale. Ka informacione se kryeministri Rama donte Taulant Ballën në krye të ministrisë së brendshme, por ishte ndërhyrja e Donald Lu që u vendos Xhafa. Natyrisht edhe lobimi Ruçi, pasi këta janë “shtylla kurrizore” e PS brenda një Rilindje e cila nuk dihet nga i vjen origjina.

Të njëjtat burime tregojnë se ministri Xhafa ka urdhëruar të priten gjithë fijet e Saimir Tahirit në polici. Mundet që ministri Xhafa të ketë patur informacione nga pala amerikane dhe ajo italiane për këto lidhje që tashmë dolën në media ku akuzohet ish-ministri Tahiri i përzier në bandën e Habilajve. Edhe vetë ish-ministri Tahiri në një emision te Blendi Fevziu tha publikisht se nuk kishte më asnjë komunikim me ministrin Xhafa. E tha me njëfarë mllefi, që u kuptua nga publiku se nuk flasin me njëri tjetrin.

A është porosi amerikane për të larguar gjithë kastën e Tahirit apo vendim personal i ministrit Xhafa, kjo mbetet për t’u parë. Nëse Xhafa largon edhe drejtorin e përgjithshëm të policisë së shtetit, Haki Çako dhe krejt zinxhirin komandues para zgjedhjeve të 25 qershorit, ku tashmë policia akuzohet se ka manipuluar zgjedhjet duke lejuar bandat e drogës për të blerë zgjedhjet; atëhere mund të thuhet se amerikanët kanë dorë në këto lëvizje në polici.

Në të kundërt “sharra” e Fatmir Xhafës ka mbetur në “gozhdat” e Saimir Tahirit.

(Marrë nga www.folshqip.al)

Share: