Duke filluar që nga muaji janari i vitit që vjen, kur t`ju mbërrijë në shtëpi fatura e energjisë, shuma që keni për të paguar do të jetë edhe më “e majme” se më parë.
Janari është muaji kur qeveria do të fillojë të mbledhë taksën e pronës, një tarifë që do të vendoset mbi vlerën reale të tregut të dhe do të vilet përmes faturës së energjisë elektrike.
Burime zyrtare në Ministrinë e Financave thanë për televizionin Klan se rritja për individët do të variojë nga 20- 50% të shumës që paguhet sot, ndërsa për godinat në periferi nuk do të ndryshojë. Bizneset, që aktualisht paguajnë një tatim të lartë, do të kenë një taksë më të zbutur vitin e ardhshëm.
Tv Klan raporton gjithashtu se për vitin 2018-të ky tatim i ri do të nisë të mblidhet fillimisht në bashkinë e Tiranës, e cila ka edhe numrin më të lartë të pasurive të patundshme dhe njësive tregtare, një bonus i madh për kryebashkiakun Veliaj që do të mbushë arkën me të ardhura shtesë nga rrija e taksës.
Burimet sqarojnë se në qytete të tjera, banorët paguajnë jo më shumë se 5 euro në vit, çka e bën totalisht të papërfillshëm këtë tatim.Taksimi i ri do të variojë nga 0.076, 0.1 dhe 0.114% të vlerës së pronës. Në të gjitha variantet, një shtëpi që sot kushton 100 mijë euro dhe është 100 metra katrorë, do të paguajë 76 euro, 100 euro ose 114 euro në vit.
Aktualisht një apartament i tillë në Tiranë, paguan 22.5 euro, po aq sa një i ngjashëm me të për nga madhësia, por më i ulët në vlerë pasi është në zonë periferike.
Për sa u përket bizneseve, një dyqan 100 metra katror një kryeqytet sot paguan 300 euro tatim pasurie, i cili është 10 herë më i lartë se ai i individëve. Zyrtarë të ministrisë së financave sqarojnë se kjo është edhe një porosi e FMN-së që taksimi i bizneseve të bëhet në mënyrë të drejtë, e në bazë të vlerës së qirasë që ata japin./Lapsi.al