Home KRYESORE Paragjykimi islamik i shqiptarëve, Bashkurti: Shqipëria e Kosova përgjegjësinë tek vetja

Paragjykimi islamik i shqiptarëve, Bashkurti: Shqipëria e Kosova përgjegjësinë tek vetja

Deklaratat e fundit në Prishtinë dhe Tiranë se BE po diskriminon vendet me popullsi shqiptare në proceset integruese, për shkak edhe të përkatësisë fetare myslimane, janë konsideruar të paqendrueshme nga ekspertët e marrëdhënieve ndërkombëtare.

Lisien Bashkurti shpjegon dy mënyra të leximit të këtyre deklaratave.

“BE është një institucion që nuk vepron në mënyrë diskriminuese dhe selektive, por funksionon mbi bazën e evoluimit dhe vlerësimit individual të performancës së secilit shtet. Nëse flasim për qasje europiane jashtë BE atëherë mund të ketë diferencime, mund të ketë një qasje të ndryshme dhe paragjykime. Elementët historikë, religjozë, apo kulturorë kanë lënë dhe lënë gjurmët e veta. Në këtë pikpamje deklaratat e Thaçit apo Ramës kanë pjesë të së vërtetës”, shprehet Bashkurti për Klan Plus.

Sipas tij këto vende duhet ta kërkojnë brenda vetes përgjegjësinë.

“Kanë përgjegjësitë e tyre institucionale, mirëqeverisjen e vendit, me fuqizimin e ekonomisë, marrëdhëniet e mira me fqinjët. Kosova ka probleme të funksionimit të shtetit dhe njohjen nga ndërkombëtarët”.

Bashkurti thotë përdorimi i Islamit ndikon negativisht në ambiciet integruese të Shqipërisë.

“Nëse përdoret religjioni, në këtë rast feja myslimane nuk shkon si shigjetë kritike ndaj BE, por kthehet si boomerang kundër nesh”.

Dy ditë më parë, Kryeministri Thaçi deklaroi në një intervistë se BE po lë jashtë porte vendet me popullsi shqiptare dhe me shumicë myslimane dhe po vendos rregulla më të forta karshi këtyre vendeve në krahasim me Malin e Zi dhe Serbinë.

Nga ana tjetër, Kryeministri Edi Rama, në një intervistë për “Der Standart” tha se Bashkimi Europian po i bën padrejtësi Shqipërisë dhe Kosovës duke negociuar me Serbinë, e cila nuk njeh Pavarësinë e Kosovës.

Share: