Nga Agron Gjekmarkaj
Rrugët e Shqipërisë kanë rifilluar të përgjaken nga agresiviteti i krimit të organizuar. Nuk është një lajm i ri, por një plagë e vjetër në kraharorin e shtetit tonë me namuz të laskaruar nga krismat. Qeveria socialiste për katër vjet, me strategji mediatike, sipas adeteve gati erotike të “rilindjes”, ku gjesti fjala, goja, këmba, dora, gishti, grushti, rrokja, frymëmarrja dhe shikimi në sy duhet të përcjellin mesazhe populiste, ka shpenzuar kohë dhe para për të na mbushur rradaken se më në fund kemi “pushtetin që duam”, “policinë që duam”, “qetësinë që duam”, “ëndrrat që duam”, “gjumin që duam”, “buzëqeshjen që duam”, “maratonat që duam”, etj., etj., duke harruar se ato bëhen fertele nga vullneti i çdo keqbërësi të nervozuar e të cenuar interesash prej rivalitetit banditesk!
Kërcet pushka “si në Karadak” në mes të mexhlisit, vriten njerëz aty-këtu dhe Kryeministri mburret se po na heq qafe sorollatjet për certifikatat. Shumë mirë që po e bën këtë derman. Aferim! Por sikur të na jepte ndonjë garanci më shumë që, kur të dalim sokaqeve mos të na shpohet koboqja ose prapanica nga ndonjë plumb i qëllimshëm apo qorr, mirënjohja do të ishte më e madhe. Buçet Ambasada e SHBA-ve se familjet mafioze kontrollojnë vendin, Kryeministri na thotë se do t’ju punojë qindin të paaftëve në administratë!
Aferim, por të aftët dhe të paaftët kush do t’i mbrojë nga dhuna e krimit, teksa të parët gëzohen që do t’u çmohet aftësia dhe të dytët mërziten se u del në diell paaftësia, kur të gjithë bashkë shohin se policia sfidohet dhe shfaqet zakonisht pas ndodhive?! Populli me turravrap tek rend, dikush me pantofla, dikush zbathur, bllokon serverin e Lotarisë Amerikane nga kërkesat për të aplikuar me shpresën se do të ikin nga sytë këmbët, Kryeministri thotë që hapen regjistrimet për koalicionin e qeverisjes me qytetarët. Pra bashkëqeverisin njësoj si ortakë, Filan Fisteku mesoburrë në Torivioll me Edi Ramën e gjatë në Tiranë!
Kanabizimi i vendit, një projekt mafioz dhe kriminal nga më të bujshmit në kontinentin europian, për të cilin u fol shumë sidomos gjatë periudhës 2016-2017, në trajektoren e tij natyrshëm shkon drejt gjakderdhjes dhe tronditjes së shoqërisë. Gjithësa ndodhi nën heshtjen e strukturave të shtetit, heshtje që mori formën e bashkëpunimit. Gjithë territori bleronte, bimët rriteshin të shëndetshme sa mund t’ia kërciste gjumit në hijen e degëve të tyre bariu bashkë me tufë. Të vetmet që u trullosen qenë bletët dhe aspak policia me drejtimin e saj politik.
Ne kemi dy raste në dekadën e fundit, si dy anë të së njëjtës medalje, që i bie të jetë shteti. Atë të viteve 2005-2006, kur bandat në shumicë u kapën dhe shefat e tyre me famë përfunduan burgjeve, si dhe historinë disavjeçare të kanabisit me avionë, pista, skafe, maune e “robin hudë” që zhduken si me magji. Përshtypja mbizotëruese është se krimi ka marrë peng politikën, qeverinë dhe shtetin dhe se nëse ata duan, e mundin atë në pak javë. Me lajmet që dëgjojmë, me ato që shkruhet e thuhet në media, ngjan të jemi përballë një situate shpërthyese, ku piskama socrealiste e Shefqet Musarajt, “Zot na ruaj se ç’dimër vjen prapa”, duket si profeci ogurzezë.
Alarmi që lëshoi ambasadori Lu tregon se niveli i krimit të organizuar në tokën e shqipove është fort shqetësues. Mbi këtë temë po fokusohet gjatë kësaj kohe edhe debati politik. Opozita humbi dy javë të arta, duke u marrë me “administrimin e foltores” së Kuvendit, në vend që ta “gozhdon te” Edi Ramën pa ndërprerje për këtë çështje me ndjeshmëri publike.
Ajo prodhoi një ngjarje artificiale brenda ngjarjes së vërtetë, e cila e spostoi vëmendjen nga zinxhiri i ndodhive në Elbasan, Lushnjë apo nga qëndrimi i pazakontë i Donald Lu-së. Në momentin kur vendosi të përballej me këtë problem, opozita menjëherë konsumoi tejkalimin e së drejtës, një karakteristikë e tranzicionit që dëshmon papjekuri politike. Manteli i krimit, retorika rreth tij, nuk mund të shndërrohen në sixhade e jorgan për të mbuluar problemet e brendshme tepër të rënda që po kalon Partia Demokratike e dërrmuar nga rezultatet dhe përçarja.
Nuk është faji i krimit të organizuar që në vitin 2013, pas humbjes, Lidershpi i ri nuk prezantoi një projekt për ta ndryshuar PD-në! Nuk është faji i krimit të organizuar që Basha nuk e reformoi PD-në, por e preu gjymtyrësh pa transparencë nga frika e kundërshtive dhe jo e parimeve! Nuk është faji i krimit të organizuar që Basha hipotekën e besimit që kishte nga mbështetësit e kësaj force e konvertoi në një marrëveshje të fshehtë me Edi Ramën, në listë banale familjare me ndikime biznesi, si dhe një fushatë zgjedhore po të tillë. Dhe në fund, nuk është faji i krimit të organizuar se si Lulzim Basha dhe PD nuk mblodhën asnjë fakt të besueshëm, nuk bënë asnjë denoncim gjatë fushatës dhe pas saj për shitblerje vote dhe, aspak nuk është faji i tij (krimit) se si ai u rizgjodh në krye të PD-së pa asnjë reflektim dhe ndërgjegje të vrarë me një proces të kontestuar nga rivalët e shumtë.
Krimi dhe kriminelët sigurisht që kanë hedhur pará dhe mund të kenë blerë edhe vota, por jo aq sa për të ndryshuar tendencën elektorale në zgjedhjet e 25 qershorit. Ato zgjedhje i humbi qartësisht, ashtu siç di t’i humbasë vetëm Lulzim Basha. Ndërsa, gati pabesueshëm, Ramës vetëm i mbeti në dorë fitorja dhe tani nuk di ç’të bëjë me të, por mbledh miletin e u mban fjalime. Gjithsesi, Bashës, përtej luftës me albume fotografike, i duhet njohur merita e distancës me grupet kriminale. Opozita e tij 2013-2017 kishte me shumicë djelmurina që orë e çast bënin be për kokë të mamit, por jo kriminelë, ashtu siç ka edhe sot filozofë, studiues të Makiavelit, të cilët të lënë dangall nga habia dhe çmeritja me diturinë e tyre që rrjedh kristal si ujë kroi.
Në këtë fillim legjislature, Lulzim Basha, nëse e ka seriozisht këtë betejë dhe jo teatër, duhet ta vazhdojë pa u kompleksuar, por jo ta manipulojë atë në funksion të luftës së brendshme që i shkakton dhimbje koke. Për atë të blejë aspirina. Budallenj që besojnë gjepura, zor se gjenden. Nëse me vërtetësi dhe ndershmëri i qaset kësaj kauze, i bën një shërbim shoqërisë, por edhe vetes. Ikja nga gënjeshtra dhe kthimi tek e vërteta është prova që përcakton mbijetesën e tij dhe opozitës. Ky është katarsisi i tij, për të cilin dikush thotë së është i pamundur, tjetërkush boll i vështirë, por harrojnë se rrugët e Zotit janë të pafundme.
Shpjegimi i humbjes me krimin e drogën nuk bind askënd. Shpjegimi i argumentuar i lidhjeve të pushtetit aktual me to po, mund të bindë. Shndërrimi i kësaj lidhjeje në peshë mbytëse për të tashmen dhe të ardhmen bind gjithashtu. Premtimi se prej tyre do na shpëtojë Lulzim Basha duhet marrë me rezervë, për sa kohë nuk jep shenja se beson ai vetë në të! Faktin që nuk rri me ta dhe nuk i kandidon, ia njohim për të mirë publike!/panorama/