LSDM-ja e Kryeministrit Zoran Zaev ka fituar 49 komuna sipas rezultateve të para të publikuara nga Komisioni Shtetëror Zgjedhor të Maqedoni. Socialdemokratët udhëheqin në disa qytete, përfshirë Manastirin, si dhe në një sërë komunash të Shkupit, ndërsa fitoren e kanë shpallur edhe në komunën e Haraçinës.
BDI-ja e Ali Ahmetit shpalli dy fitoret e para në Kërçovë dhe Pllaznicë. Zijadin Sela, kryetar i Aleancës për Shqiptarët, tha se ka epërsi në Strugë. PDSH-ja e Menduh Thaçit është në pritje të balotazhit për të kuptuar a do ta mbajnë Komunën e Studeniçanit edhe për një mandat tjetër.
Lëvizja Besa, ndërkohë, në vlerësimin e parë për zgjedhjet ka folur për parregullsi të shumta gjatë procesit zgjedhor, për të cilat ka njoftuar organet përgjegjëse, me qëllim procedimin e mëtejshëm. Për parregullsi u ankua edhe kreu i VMRO-DPMNE-së, Nikolla Gruevski.
OBRM-PDUKM-ja është humbësja e këtyre zgjedhjeve me disa komuna të fituara edhe pse mbante shumicën e tyre deri tani.
Kryeqyteti i Maqedonisë është duke u dominuar nga kandidati i LSDM-së, Petre Shilegov i cili deri në ora 03:00 pas mesnate, sipas KSHZ-së kishte diferencë prej 10 mijë votash ndaj Koce Trajanovskit të OBRM-PDUKM-së, njofton “Telegrafi” në Maqedoni. Rezultati përfundimtar pritet të shpallet në mërkurën në mesditë.
Gjatë ditës së votimit u regjistruan dhjetëra incidente, si fotografimi i fletës së votimit, përpjekje për të votuar për një person tjetër, përpjekje për blerje vote etj.