Nga Arian Galdini
Gjithmonë pas ideve dhe lëvizjeve të mëdha janë fshehur financime dhe interesa të mëdha.
Interesat dhe financimet nuk janë domosdoshmërisht të këqija, por padiskutim që janë treguesit bazikë të cilit krah a kamp i përket në ndarjet e mëdha globale. Që ne shqiptarët i përkasim Perëndimit dhe duhet të jemi për Perëndimin, me Perëndimin, në Perëndim, kjo nuk do shumë analiza e fjalë të gjata për ta pohuar, pranuar e kuptuar te gjithë.
Kush ngre dyshime a beson në të tjera alternativa e mundësi, nuk besoj se ka mësuar nga historia e ka rrokur saktë se cila është e mira natyrale e shqiptarëve dhe shqiptarisë si bashkëkuptimësi.
Të vijmë tek zhvillimet më të fundit në Katalonjë.
Mediat u dhanë dritë pafund, gjithçkaje që ndodhi me votimin për Pavarësinë e Katalonjës dhe dhunën policore mbi votuesit. Vini re, në të njëjtën periudhë kohore diku në një anë tjetër të globit, kurdët kryenin Referendumin e tyre për Pavarësi. Nuk mund të jenë të rastësishme këto dy ngjarje të mëdha historike që ngjizin, ngërthejnë e përziejnë shumë interesa e komplikime ndërkombëtare.
Madje vetë Presidenti i Turqisë i kaqshumë adhuruar në Shqipëri, Kosovë e tek shqiptarët e Maqedonisë, duke reaguar ndaj Referendumit Kurd, riktheu për diskutim shtetësinë e Kosovës… Qarqe e media të caktuara, në Tiranë, Athinë a Beograd, nisën të përmendin skenarë të ngjashëm me atë të Katalonjës, në Himarë dhe Dropull.
Katalonja çuditërisht u barazua si rast me Kosovën dhe dhuna policore e Qeverisë spanjolle mbi votuesit katalonjas, u krahasua me dhunën e mirëkuptueshme tashmë sipas tyre, të Milosheviçit.
Ta ndajmë këtë punë me kujdes.
Serbia nuk është as Spanja e as Ish – Jugosllavia. Serbia është një shtet i krijuar e njohur me marrëveshje ndërkombëtare pas rënies së Jugosllavisë, e pas ndarjes së Malit të Zi kur shpalli Pavarësinë. Serbia është vend shkaktar, nxitës dhe fajtor për luftën dhe krimet e luftës që ndodhën gjatë proçesit të shpërbërjes së Jugosllavisë.
Serbia ka qenë vend diktatorial gjatë rregjimit komunist në Jugosllavi.Serbia ishte vend diktatorial dhe luftëbërës e genocidkryes gjatë periudhës së prishjes së Jugosllavisë.
Serbia është ende një vend në zhvillim dhe me parametra dhe tregues të ulët demokratikë, në proçes negociimi për anëtarësim në BE.
Ndërsa Spanja ka dekada që i ka mbyllur hesapet me diktaturat. Spanja është demokraci e zhvilluar dhe vend anëtar i BE.
Historia e Spanjës me Katalonjën mund të jetë si historia e çdo Landi të Gjermanisë me Gjermaninë.
Dhuna policore në një vend demokratik edhe kur është dispropocionale dhe harbute, si ajo që u ushtrua kundër votuesve për Pavarësinë e Katalonjës, është padiskutim shkelje e rëndë e të drejtave të njeriut, është energjikisht e dënueshme, por kurrësesi e krahasueshme me aparatin kriminal të një shteti diktatorial.
Pse duhet të meremi ne shqiptarët me këtë çështje?
Sepse në çdo fillimtetor bota perëndimore feston bashkimin e Gjermanive. Koha e ndarjeve mori fund me rënien e Murit të Berlinit.
U desh një luftë botërore makabre sikurse ishte L2B që bota të ndahej më dysh pas përfunsimit të saj. Gjysma e botës ra nën kthetrat e Perandorisë së Djallit apo Bashkimit Sovjetik dhe gjysma tjetër qëndroi nën Perëndimin e Lirisë dhe vlerave e dinjitetit njerëzor.
Mbyllja paqësore e Luftës së Ftohtë, i dha menjëherë efektet e saj pozitive.
Lufta dhe dhuna ndajnë. Paqja dhe liria bashkojnë.
Bashkimi i Gjermanisë ishte edhe fitorja më e madhe e Perëndimit, ngase ky vend madhështor u bë edhe garanti i ëndrrës europiane. Diktatura, lufta dhe dhuna e ndau e prishi edhe Jugosllavinë.
Në Perëndim është kohë paqeje dhe lirie, e nuk ka as vend e as kohë për ndarje. Kush financon dhe mbështet ndarjet brenda vendeve të lira, ka interesa lufte dhe tinzare.
Terrorizmi i IRA-s dikur në Irlandën e Veriut dhe i ETA-s në Spanjë, është e ditur, provuar dhe e qartë nga të gjithë se ka qenë i financuar dhe mbështetur nga Perandoria e Djallit.
Kthimi i IRA-s në OJF dhe qetësimi i ETA-s ka qenë fitore e Perëndimit, por jo përfundimtare.
Tashmë betejat dhe luftrat janë jo-konvencionale. Ato zhvillohen në shtëpitë tona, në lagjet tona, në qytetet tona, me mjetet e lirisë dhe demokracisë.Kësisoj, bëjmë mirë të jemi të kujdesshëm kur anësohemi e bëhemi palë me katalonjasit.
Ka një dallim themeltar që duhet ta bëjmë.
Qytetaria, rezistenca, fisnikëria dhe idealizmi i qytetarëve votues për Katalonjën, le të na bëhet model veprimi qytetar që na vjen nga Perëndimi.
Kauza e tyre nuk na përket neve e nuk është fare e mbështeteshme. Dhuna policore mbi qytetarët katalonjas është fortësisht e dënueshme.
Akti i mbrojtjes së integritetit shtetëror të Spanjës, meriton mbështetje pa ngurrim fare.
Spanja është vend lirie dhe demokracie. Mbrojtja e Spanjës është jetike për Perëndimin.
Kështu e mendoj dhe gjykoj unë, e shpresoj që qëlimin e këtij reflektimi ta përtypin, pranojnë dhe mirëkuptojnë sa më shumë shqiptarë.
Dua më shumë Shqipërinë.
Arian Galdini
Tiranë më, 3 tetor 2017