Home KRYESORE ‘Ushtari’ i Lul Berishës, në dokumentet sekrete

‘Ushtari’ i Lul Berishës, në dokumentet sekrete

Lëvizte i armatosur në Durrës, policia arreston një prej ushtarëve të Lul Berishës. Marjel Fierza, 30 vjeç, dhe miku i tij Genti Nderjaku, 34 vjeç, që të dy nga Durrësi, u arrestuan pasi gjatë kontrollit në automjetin me të cilin ata ishin në lëvizje u gjetën dy armë zjarri pistoletë.

Marjel Fierza nuk është një emër i panjohur për policinë, pasi ai më- sohet të këtë qenë pjesë “Bandës së Durrësit”, që drejtohej për 10 vjet nga Lulzim Berisha. Emri i tij figuron edhe në dokumente sekrete të Ministrisë së Brendshme, nga ku citohet se Lul Berisha e drejtonte bandën e tij nga burgu dhe i delegonte urdhrat te njerëz të besuar si Julian Meçaj, Marjel Fierza, Mond Çekiçi, e Plarent Dervishaj.

Lajmi për arrestimin e dy të rinjve durrsakë u konfirmua mbrëmë nga Policia e Shtetit. Nëpërmjet një njoftimi për shtyp, u bë i ditur se ndalimi i të dyshuarve për armëmbajtje është bërë në kuadër të zbatimit të plan-operacionit “Vjeshtë 2017”, operacion që ka nisur që në shtator dhe është përqendruar në bllokimin e të gjitha aseteve që vijnë nga veprimtaritë kriminale, si dhe arrestimin e personave që i posedojnë ato, shkruan panorama.

“Efektivët e Drejtorisë Vendore të Policisë Durrës, në bashkëpunim me specialistët për Krimet në Komisariatin e Policisë Durrës, në zbatim të plan-operacionit ‘Vjeshtë 2017’, në bazë të informacioneve nga strukturat policore për mbajtjen nën kontroll dhe goditjen e grupeve kriminale, kanë arrestuar në flagrancë shtetasit Marjel Fierza, 30 vjeç, banues në Durrës dhe Genti Nderjaku, 34 vjeç, banues në Durrës. Arrestimi i tyre u bë pasi gjatë kontrollit të ushtruar në mjetin tip ‘Porche’, me drejtues shtetasin Marjel Fierza, u gjetën dhe sekuestruan në cilësinë e provave materiale 2 armë zjarri pistoletë, tip ‘Beretta’, automjeti tip ‘Porche’ dhe 6 telefona celularë.

Kontrollet do të vijojnë edhe në ditët në vijim nga strukturat e Drejtorisë Vendore të Policisë Durrës”, thuhej në njoftimin e Policisë. Sipas të dhënave nga grupi i hetimit, 30-vjeçari Fierza u ka shpëtuar dy atentateve në vitin 2010 dhe 2012. Në 2010-n pati një përplasje me shtetasin A.A., ku ky i fundit mbeti i plagosur.

Për këtë ngjarje Gjykata e Durrësit e dënoi me 15 vjet burg, ndërsa Apeli e shpalli të pafajshëm. Krimet e Rënda në Tiranë e kanë dënuar në vitin 2005 për “vrasje në rrethana të tjera cilësuese në bashkëpunim e mbetur në tentativë me 5 vjet burg. Në vitin 2012 iu bë atentat me breshëri automatiku. Ndërsa në vitin 2010 i hodhën në erë edhe automjetin. Për këtë shkak, por edhe lidhjeve të tij me kreun e bandës së Durrësit, ai dyshohet se lëvizte gjithnjë i armatosur.

Policia ka pasur informacion për lëvizjet e tij me armë. Nuk përjashtohet dyshimi as për përgatitjen e ndonjë atentati të mundshëm në Durrës, ndaj policia ka ndërhyrë duke e neutralizuar atë bashkë me mikun e tij. Ende nuk është konfirmuar nëse armët u përkisnin të dyja 30- vjeçarit, ndaj policia ka bërë ndalimin e të dy të rinjve. Ndërkaq, i arrestuari tjetër, Genti Nderjaku, rezulton pronar i dy bizneseve aktive në QKR dhe një plazhi privat në proces likuidimi./360grade.al

Share: