Home KRYESORE Burra hijerendë që vrasin gra! Nga Xhoi Jakaj

Burra hijerendë që vrasin gra! Nga Xhoi Jakaj

Pse burrat vrasin gratë,a ndodh ky fenomen I shkaktuar nga një ndjenjë e fshehtë mistike e trashëguar në gene e që vjen nga thellësia e shekujve ? A ndodh ky fenomen si cënim i ndjenjës së superioritetit të mashkullit? A ndodh kjo sepse niveli ekonomik dhe pozicioni shoqëror I gruas vazhdon të jetë ende i varur dhe tepër i dobët përballë brutalitetit mashkullor, A luan një rol të drejtëpërdrejtë familja ,origjina nga ku mashkull lind ,rritet i aftë ose I pa aftë për të dashuruar gruan e tij.të gjitha këto pyetje më mundonin dhe do perpiqem nëpermes ketij shkrimi t’u jap pergjigje.

Të vrasësh një femër do të thotë të vrasësh vetë jetën.Se natyra e krijoi gruan të lindë e të rrisë fëmijë.Gruaja është buzëqeshja e ëmbëlsia e dashurisë nga pema e së cilës lind dhe fruti i saj.Atëherë si ka mundësi që ky frut të rritet dhe të bëhet vrastari i kësaj bukurie që i jep hijeshi dhe ëmbëlsi jetëve tona.

Nga vjen ky mllef prej të çmenduri që ngre dorën e godet e vret si të jetë zot mbi të.Historia na ka treguar në breza se nënat që rritën me qumësht gjiri pjellat e tyre në çfarëdo kohe e shekulli jetuan kokëulura,të pandiera ,të urta atje ku të tjerët I martuan.Shumica prej tyre në mos themi të gjitha, nuk e zgjedhnin vetë fatin e tyre.Atë ua diktonte familja,mblesi,lidhjet mes fiseve,aleancat e gjithfarë ujdish që bëheshin.

Kështu ka ndodhur gjithmonë dhe ende ndodh në disa zona të thella , po nga vjen kjo tradite? Padyshim keto rregulla në formë ligjesh që janë të shkruara në mendjen e gjithësecilit vijnë nga një kohë e largët e ndikuar dhe nga kultura të huazuara.Këto rregulla të ashpra të diktuara po me aq ashpërsi që nga shekujt e largët deri në ditët tona. Ne jemi trashgimtarë të ilirve por në këtë pikë nga iliria e zhvilluar nuk trashëguam vlerësimin dhe rolin që i jepej gruas në atë kohë.Pasi pushtimet e njëpasnjëshme lanë mbi këtë popull dhe kulturat e tyre.

Fati i keq i këtij populli ishte dhe pushtimi për afro 500 vjet nga perandoria osmane,e cila rrënjosi në këtë vend zakone, tradita e fjalë nga turqishtja.Pa përmendur këtu edhe fenë e cila interpretohej ashtu si I leverdiste gjithkujt dhe çdo gjë rëndonte mbi kurrizin e grave ,të cilat kokulura e të pafjala duhej ti bindeshin burrit, pasi ato nuk kishin asnjë të drejtë fjale.Shkurt ishin skllave të bindura të padronit të tyre që quhej burrë.

Një rol tejet vendimtar mbi fatin e gruas në këtë vend ka luajtur dhe Kanuni i Leke Dukagjinit.Në thelb ky kanun ishte i krishterë,më tepër ndikimin e tij e gjejmë në pjesën veriore të Shqipërisë.Në këtë Kanun i cili sipas historisë u krijua dhe mori trajtë të plotë mes viteve 1458-1481 midis të tjerave për gruan shkruan kështu:-“Gruaja duhet me i rrogue pa zhibla burrit,me i ndejt nën sundim,m’u përgjigj detyrve të kunorës”.

Pra sipas tij gruaja ishte e nënshtruara,e nëpërkëbura në martes. Duke iu referuar të gjithave sa kam shkruar më sipër ,këto rregulla të egra me një mentalitet tepër të dobët dhe primitiv kanë ndikuar drejtëpërsëdrejti në jetën e vuajtëshme të grave shqiptare.Ato duhet të ishin të bindurat e fatit,ato ishin të nënshtruarat e burrit,ato ishin gojkyçurat përballë dhunës.Në mes të kësaj dhune,ajo rriste dhe fëmijët.

Aty rritej dhe djali që nesër do bëhej kryefamiljari.Ai shihte si trajtohej nëna dhe motra e tij dhe si rrjedhim duke u rritur mes dhunës,nesër dhe ai do bëhej dhunuesi.Duke qënë dhunuesi ,ai kishte dhe rolin e superiorit,por dhe pse me shumë cene kanuni nuk lejonte vrasjen e gruas vetem në rast tradhëtie. Sot shoqëria është ndërgjegjësuar deri në një farë mase,demokracia ka shkruar rregulla të reja.Femra nuk është më ajo e dikurshmja,ndonëse në disa zona ende zbatohet Kanuni.Ky ndërgjegjësim i gruas ka bërë që shumë prej tyre të marrin në dorë frenat e jetës.

Gratë e arsimuara janë shembulli më I mire që tregon se në këtë vend ka filluar ndryshimi por ky është vetëm një ndryshim i brishtë.Çdo ndryshim epoke ka dhe viktimat e veta.Edhe pse Shqipëria sot është një vend I hapur ,kandidat për né BE ,edhe pse është një vend ku teknologjia dhe interneti ka njé shtrirje të gjerë në terë territorin e saj,në këtë vend ende sot puthuajse çdo javé ose çdo ditë ndodh vrasja e një nëne e njé gruaje.

Dje ndodhi vrasja e rradhes me thikë buke.Kjo ndodh pasi pushteti superior I një mashkulli ka fuqinë absolute mbi qënjen femër.Ai ende qëndron i fortë përballë rregullave dhe ligjeve të këtij shteti sepse ligji ende nuk gjen forcën të thyejë këtë lloj mentaliteti në këtë vend.Ligji nuk ka ashpërsinë e duhur,ai nuk gjen zbatim nga organet ekzekutuese duke lënë të lirë dhunuesin.

Njé ndër shkaqet kryesore dhe më thelbësore është dhe gjendja e varfër emonomike e shumë familjeve shqiptare.Shkalla e lartë e papunësisë ,niveli i ulët arsimor janë një arsye më shumë që ngushton rrethin e lirisë së gruas.Papunësia sjell te ato një varësi ekonomike,pra një ekonomi e dobët bën që dhe një grua të jetë e dobët përballë brutalitetit mashkullor.Kjo dhunë ndaj saj ndodh në një vend të shenjtë që e ka emrin shtëpi.

Kjo shtëpi është streha e saj, ku ajo ka sjellë në jetë fëmijë.Këta fëmijë janë direkt spektatorët e një drame që në fund përfundon në tragjedi.Shpeshherë duke menduar për mbarëvajtjen e jetës së fëmijëve té saj,femra duron dorën që ngrihet në të. Nëse largohet nga shtëpia ,ajo nuk gjen mbështetjen e askujt ,as të familjarëve të saj. Pasi femrës,pas martesës ,prindrit nuk i njohin asnjë pronësi në tërësi në mendësine e ketij vendi.Nuk mund ti përgjithësojmë të gjitha por ky është një realitet i hidhur që është rrjedhoj I një zakoni të ardhur nga brezat.

Femra martohet pa patur një strehë të vetën,dhe kur në atë strehë që gjen dhe ndërton bashkë me burrin e ardhshëm gjen dhe dhunën,atëherë për të shpëtuar prej saj,kjo femër ku duhet të shkoj.Denoncime pa fund bëhen në komisariate por që asnjëherë nuk janë marrë me seriozitet maksimal.

As urdherat e mbrojtjes.Dhuna në familje që çon deri në vrasje ka marrë përmasa katastrofike edhe te ajo pjesë e arsimuar e shoqërisë edhe te ato gra që të vetme i dalin për zot jetës dhe fëmijëve pa ndihmën e burrit por edhe në këto raste ato përfundojnë viktima të njeriut me të cilin krijuan familje.

Atëherë përse ky njeri vret akoma,pse ky mashkull nuk ndalet.Sepse egoja mashkullore ,instikti I lindur dhe i mbartur në gene është më i fortë se çdo ndjenjë tjetër te këta njerëz që bëhen të padurueshëm ndaj zërit të një gruaje që thërret për ndihmë.Sepse qënia e tyre se pranon dot divorcin që edhe pse shihet me sy jo të mirë është zgjidhja e duhur dhe mënyra më e qytetëruar për të shuar konfliktet midis dy bashkëshortëve.

Prandaj shteti duhet të vërë dorë mbi këtë tragjedi kombëtare.Një shoqëri e cilivizuar duket nga emancipimi femëror.Femra lind jetën dhe kur ti e vret është si një erozion që shkaterron relieve,përmbys forma jete dhe shoqeri.. Të ngrihet dora e ligjit me te ashpër ndaj burrave që vrasin gra

Xhoi Jakaj, Pedagoge

Share: