Home KRYESORE Bushati dhe Kotzias flasin për gazetarët pas 48 orë negociatash

Bushati dhe Kotzias flasin për gazetarët pas 48 orë negociatash

Pas 2 ditësh negociata për çështjet e hapura mes Shqipërisë dhe Greqisë që po zhvillohen mes ministrave të jashtëm në Kretë, Ditmir Bushati dhe Nikos Kotzias kanë folur për gazetarët.

“Siç dihet ne kemi hapur një kapitull të rëndësishëm të marrëdhënieve me Greqinë ku kemi tematizuar të gjitha çështjet që i konsiderojmë të hapura apo për çështje që kemi këndveshtrimeve të ndryshme. Natyrisht që është bërë një punë voluminoze sidomos dy ditët e fundit me ngritjen e mekanizmit të nivelit të lartë ndërmjetës të dy vendeve tona. Këto dy ditë bisedimet kanë qenë më intensive dhe më të strukturuara.

Kjo është një dosje jo e lehtë, rreth 70 e ca vjeçare dhe për pasojë kërkon kohën e vet dhe instrumentat e përshtatshëm për një zgjidhje në frymën evropiane dhe bazuar në të drejtën ndërkombëtare. Bëhet fjalë për një paketë ndonëse çështjet jemi përpjekur t’i vendosim sipas një tematike kohore apo logjike. Për sa kohë do të vazhdojmë në këtë proces konsultimi dhe bisedimi unë rezervohem të jem i matur në deklarime” – tha Bushati.

“Me kolegun tim, Ministrin e Jashtëm shqiptar Ditmir Bushati, ne kemi filluar bisedimet që nga dje në mëngjes. Ne do të vazhdojmë bisedimet nesër, përpara se të fluturojmë për në Bruksel ku do të zhvillohet një mbledhje e Këshillit të Ministrave të Jashtëm të BE. Ne po diskutojmë çështjet që janë të hapura dhe ne duam t’i zgjidhim ato sot për të zhvilluar perspektivat për nesër. Në këtë punë shumë intensive dhe të pandërprerë, ne vendosëm të vijmë në këtë vendin e lindjes së Zeusit dhe ku ai rrëmbeu Evropën e bukur. Në vendin ku Evropa ka lindur, ne po punojmë me kolegun tim, Ministrin e Punëve të Jashtme të Shqipërisë. Ne gjithashtu duam që Shqipëria të bëhet një shtet anëtar i BE” – tha ministri greke Nikos Kotzias.

Share: