Nga Izmira Ulqinaku
Një ditë më parë, zëvendëskryeministrja zj.Senida Mesi, gjatë pjesëmarrjes në një investim të OSHEE-së, në Luguçesme, ka vijuar avazin e kësaj qeverie, duke thënë se janë mjaft të interesuar për Shkodrën, por kanë pengesë Bashkinë, për të bërë investime. Në fakt të vjen keq që edhe zj. Mesi, po bëhet pjesë e kësaj skeme që gjatë 4 viteve të kaluara u përdor në mënyrën më të paprinciptë nga kryeministri Rama.
Sa për kujtesë të zj. Mesi, Bashkia Shkodër është lënë krejtësisht jashtë skemave, duke mos përfituar asnjë financim, ndryshe nga bashkitë e tjera që janë ndihmuar në fusha të tjera si arsimi, shëndetësia, infrastruktura apo në fondin e “Shqipërisë Dixhitale”.
Mjafton t’ju kujtoj se lista e aplikimeve dhe e projekteve të dorëzuara nga bashkia Shkodër është e gjatë: Kjo bashki, e jona dhe e juaja, vetëm brenda vitit të kaluar, ka aplikuar me projekte për rikonstruktimin e 4 shkollave, e 3 qendrave shëndetësore, 6 ujësjellësve, për ndërhyrjen në infrastrukturën rrugore për sistemim dhe asfaltim, si dhe rikonstruksion të 7 rrugëve, rikualifikime urbane blloqesh banimi dhe parqesh e lulishtesh. Dhe përgjigjgjja ka qenë gjithnjë e njëjtë. Asnjë prej tyre nuk është miratuar.
Projektet refuzohen, nuk informohen arsyet e refuzimit, ashtu siç mungon transparenca e përzgjedhjes së projekteve fituese. Aq më tepër, si ish-anëtare e Këshillit Bashkiak të Shkodrës, jeni mirëfilli në dijeni për projektet e Bashkisë, për më tepër shtrirja e dorës së bashkëpunimit dhe aplikimi me projekte ka qenë të vazhdueshëm. Por, këtu do t’i kujtoja që edhe investimet në drejtoritë që varen direkt nga ministritë dhe jo nga bashkia, kanë pasur investime minimale në Shkodër.
Zonja Mesi, si shkodranë, padyshim na vjen mirë që kemi një bashkëqytetare tonën si zëvendëskryeministre, por do t’ju luteshim që të ruanit dinjitetin shkodran e të mos imitoni pikë për pikë shefin tuaj. Mos bëni dhe ju siç bëri Rama pak ditë më parë, që me një vizitë eja-dil- e duku, bëri një takim me tregtarët e mishit të Tregut të Rusit, dhe me paturpësinë më të madhe u thotë që nuk do t’ju braktisim. A thua se s’ishte urdhëri i tij që mbylli thertoret në mbarë vendin, në favor të 4-5 bizneseve të mëdha që janë pranë tij.
Prandaj, kur vini të bëni një inagurim të një linje të OSHEE-së, që qeveria juaj e kishte për detyrë ta bënte 4 vite më parë, do të ishte më mirë dhe më serioze që interesi për Shkodrën të reflektohej edhe në projektbuxhetin e 2018-tës, projektbuxhet që mban firmën tuaj. Shifrat në Tiranë, nuk e shprehin atë që ju thoni me gojë në Shkodër.
Zonja Mesi, jemi plotësisht dakord me atë që ju thatë se “Sigurisht për të patur bashkëpunim duhen dy palë”, por e jona nuk ka munguar, tani na mbetet të shohim tuajën dhe të qeverisë.
Ju faleminderit!