Home KRYESORE Djalin do ta quajnë Luçifer, Egla Harxhi rrëfen lidhjen e saj treshe...

Djalin do ta quajnë Luçifer, Egla Harxhi rrëfen lidhjen e saj treshe në Libofshë

Është 7 muajshe e 2 javë shtatzënë në pritje të djalit, që do të mbajë emrin Luçifer, fëmija që do të sjellë në jetë për Krishtlindje nga lidhja me fotografin e famshëm, Alexandre de Basseville. Aventura e “Miss Albania 2007”, Egla Harxhit, me fotografin nisi kur morën vendimin të braktisin Parisin për të nisur jetë të re në Shqipëri, ku planifikojnë të ndërtojnë Principatën e Libofshës. Çifti rrëfen bashkëjetesën treshe në pritje të fëmijës, të vërtetën e burgut të fotografit në SHBA, dhe ku e gjejnë sigurinë në realizimin e projektit të tyre, që shumë e shohin si aventurë e marrëzi.

Princi Alexandre de Basseville dhe Principata e Libofshës, sa afër apo larg realitetit shqiptar janë?

Po bëhen tashmë disa muaj që gjërat kanë ndryshuar shumë në jetën tonë dhe timen personale. Kam kuptuar se të jetosh pa një qëllim në jetë është një jetë e çuar dëm. Preferoj të luftoj dhe të angazhohem për diç- ka që është përtej egos sime personale, sesa të jetoj brenda rehatisë së një jete ku pret vdekjen me vetëdijen që nuk ke bërë asgjë në këtë jetë. Në prill të këtij viti, mbasi me Alen kisha shëtitur në shumë vende të Shqipërisë, ai zbuloi falë mamasë sime Libofshën dhe nga ky moment gjërat kanë marrë një rrjedhë tërësisht të re në jetën tonë. Vizioni që Ale pati menjëherë për të krijuar në atë vend diçka të re, ishte në përputhje me vizionin e tij shpirtëror.

Duke ditur jetën që ka bërë nga Franca në SHBA, e në çdo cep të botës fotografi i nudove të Melania Trump përfundon në Libofshë. Është kjo një aventurë prej idealisti, apo diçka më shumë?

Duhet ditur se në jetën e tij ka bërë shumë, madje aq shumë, sa që deri dje nuk kishte më asnjë motivim, pasi më thoshte: Egla, kam krijuar në art, kam ngritur kompani të ndryshme, kam bërë xhiron e botës, kam krijuar aq shumë saqë sot nuk më intereson më asgjë. I kam bërë të gjitha, s’kam asgjë më për të provuar. Më përsërit shpesh se e vetmja gjë që e mban në jetë është ideja se një ditë do të arrinte të krijonte diçka.

Ia ke bërë ti pyetjen se kush janë njerëzit e tij dhe ka mes tyre në Libofshë?

Prejardhja e tij është skandinave, po aq sa është ballkanase, pasi mamaja e tij ishte kontesha e fundit e Zagrebit dhe princesha e fundit Wittelsbach Habsburg dhe Ale nuk identifikohet dot me një popull apo me një shtet të vetëm. Shpirti i tij i përket një Europe të bashkuar, dhe jo të ndarë në lindje e perëndim. Për këtë ka luftuar dhe vazhdon të luftojë. Sa për Libofshën, ajo ishte pikërisht lindja e një frymëzimi që do ta çojë më pas në krijimin e një strukture e vizioni të ri për këtë vend në vetvete, por edhe në raport me vendet e tjera.

Ka shumë skeptikë, ose dyshues që ngrenë pikëpyetje për këtë nismë duke bërë pyetjen: Pse duhet të prishë rehatinë një artist si Ale për një vend si Shqipëria?

Sigurisht që dhe për mua i gjithë ky vizion politik, në fillim ishte i vështirë për t’u kuptuar. Kështu gjithë ky informacion ka kërkuar kohën e vet për t’u përthithur. Edhe unë i bëja pyetjen vetes se pse një njeri si Ale, që nuk ka nevojë për asgjë, dhe mund ta kalonte jetën e tij në rehati financiare totale duhet t’i futej një sipërmarrjeje të këtyre përmasave. Me kalimin e kohës çdo ditë kam parë se si gjërat janë zhvilluar. E dija që kontaktet e tij janë të pafundme dhe kam asistuar vetë në dreka dhe darka apo takime me presidentë kompanish, bankash, politikanë të lartë, avokatë të mëdhenj apo investitorë të ndryshëm fondesh, por nuk e kisha imagjinuar dot se të gjithë do ta ndiqnin nga pas në këtë projekt.

Një artist që bën kalkulime monetare dhe skema financiare. I beson ti planit të zhvillimit ekonomik, që ai ka shpalosur në media?

Unë e dija që Ale vjen nga bota e financës, edhe pse në media njihet si artist dhe se skemat financiare janë pika e tij më e fortë, por përsëri nuk e kisha imagjinuar se do të ngrinte një program zhvillimi ekonomik dhe financiar efiçent në një kohë kaq të shkurtër.

Prisni të bëheni prindër, ndërkohë dhe bashkëpunëtorë të këtij projekti. Si reagon ai ndaj dyshimeve të tua?

Ale nxehet ndonjëherë me mua dhe më thotë ti je si Shën Thomasi (personazh biblik, i cili nuk e besonte se Krishti ishte ringjallur dhe Krishti e ftoi që ta prekte plagën për ta parë vetë), pra që duhet të prekësh për të besuar. Dhe fatkeqësisht është kështu për shumë prej nesh. Megjithatë, sot jam në një fazë tjetër, ku mendoj se çdo gjë mund të arrihet me bindjen se do shkosh deri në fund për të arritur qëllimin, dhe nuk dua të jem pjesë e atyre që dorëzohen që me përpjekjen e parë.

Kjo do të thotë se ju do të përdorni 100 mënyra që Principata e Libofshës të bëhet fakt?

Po, sot mendoj se Principata është një vizion krejt i realizueshëm dhe aspak utopik, sepse po i shoh gjërat të realizohen çdo ditë para meje. Ka blerës nga të gjitha anët e botës që duan të investojnë në resurset ujore të zonës, produktet bujqësore. Kushërira e Ales, e cila është pjesë e bordit në OKB ,po bën një punë të shkëlqyer për ta inkuadruar këtë zhvillim në raport me rregullat e OKB-së. Pra kemi një mbështetje nga OKB, fondet e investimit, Banka Botërore dhe investitor private për të vënë në punë gjithë sistemin e Principatës. Megjithatë, ndihem e skandalizuar nga mungesa e interesit nga qeveria aktuale, e cila nuk është në ditët e saj më të mira dhe nuk po sheh mundësinë e jashtëzakonshme, që po u jepet për të zhvilluar vendin.

Po roli apo angazhimi yt në këtë projekt të Libofshës, cili do të jetë?

Roli që kam në këtë projekt, në mënyrë më specifike qëndron në zhvillimin e arkitekturës ekologjike për Principatën. Arkitektura është profesioni im bazë dhe kjo që po bëj aktualisht ka qenë gjithmonë ëndrra ime, krijimi i strukturave ekologjike. Bashkë me ekipin fantastik që kemi, Ale ka krijuar bashkë me OKB-në edhe vizionin ekologjik për zonën, dhe të tjerë dhe unë po punojmë në këtë drejtim.

Një miss si ty që sheh veten dita-ditës me barkun që rritet, çfarë ndjen, frikërat që të shoqërojnë?

Për sa i përket shtatzënisë më duhet të them se ka qenë një eksperiencë e jashtëzakonshme për mua, më ka ndërgjegjësuar dhe më ka vënë përpara disa vendimeve që duhet t’i kisha marrë me kohë. Më kujtohet një intervistë që kam dhënë për ju para disa muajsh ku thosha se nuk dëshiroja të kisha fëmijë dhe se kjo nuk ishte një e drejtë që kemi si njerëz, por një detyrë shumë e lartë. Sot jam e lumtur që së shpejti do të bëhem me një djalë, për të cilin ne ndajmë të njëjtin vizion për sa i përket edukimit të tij. Jam EGLA HARXHI e bindur që djali ynë do të rritet në një familje luftarake, sepse asgjë nuk është më e rëndësishme sesa t’i mësojmë atij vlerat e një jete të mbushur me pasion për të arritur gjëra konstruktive në jetë. Sa i takon fizikut si miss, nuk kam shtuar në peshë, jo se nuk ha, madje ha shumë, por fëmija është superaktiv dhe më duket sikur harxhon më shumë energji seç konsumon ushqim (qesh).

Siç jeni shprehur ju do të jeni një babi dhe dy mami për djalin tuaj. Si vazhdon marrëdhënia juaj treshe me Alesian?

Më duhet të them se jeta jonë private prej disa kohësh nuk mund ta quajmë më të tillë, pasi të tre bashkë, me ekipin e madh tashmë që Ale ka krijuar, jemi të fokusuar vetëm në një drejtim. Ka muaj që punojmë dhe jetojmë si një ushtri, e cila ka vetëm një qëllim. Unë kam detyrat e mia, Alesia të vetat dhe në këto momente jemi në sulm për të kryer deri në fund misionin që kemi. Jam me fat që kam në krah dikë si ajo, sepse është një person i përkushtuar ndaj punës dhe i çon gjërat deri në fund. Mendoj se prova më e pastër e dashurisë ndaj personave që duam qëndron te fakti se çfarë jemi në gjendje të bëjmë në formë veprash për njëri-tjetrin, dhe jo fjalët. Ajo që jemi në gjendje të ndërtojmë së bashku, në një ide dhe vizion të përbashkët pa menduar vetëm për veten, por për të mirën e komunitetit. E përsëris se jam me fat që e kam gjetur këtë pranë njerëzve që dua. Mesazhi që kam dashur të përcjell gjithmonë nuk ka qenë promovimi i jetës private, jo për show, po për të treguar që nuk ka gjë më të bukur kur njerëzit me lirinë e tyre vendosin të bëhen se bashku kundër paragjykimeve të njerëzve, sepse kanë të njëjtin vizion dhe se janë të gatshëm të punojnë bashkë për të krijuar gjëra të mëdha. Kjo për mua tejkalon çdo formë tjetër dashurie.

Alexandre de Basseville: Si i shpëtova burgut në SHBA, dhe e vërteta e 500 000 USD që u tha se kam paguar

Këto ditë është rikthyer në vëmendjen e mediave shqiptare, çështja e burgut që mund të bësh në SHBA. Si është e vërteta e lajmit me titull “Princi i Libofshës i dënuar me 120 vjet burg për armë dhe drogë”?

Nga një operacion i ngritur nga agjentët federalë të DEA, u akuzova në 2006-n me 51 akuza, të cilat ishin ngritur nga agjentët për të më vënë poshtë. Rrezikoja 120 vjet burg, por në fund të procesit dola fitimtar. Akuzat ranë njëra mbas tjetrës pa pasur asnjë provë. Backgroundi im jo vetëm si fotograf, por si biznesmen e pasardhës i Familjes Mbretërore, më kanë vënë gjithmonë në kontakt me politikën. Proçesi gjyqësor në Amerikë ishte një luftë politike dhe financiare.

Mediat aluduan se keni paguar për të fituar lirinë pas 51 akuzave për armë, drogë, pastrim parash, marrëveshje diplomatike me Lindjen, takime me të gjithë krerët e vendeve të Lindjes, etj. Çfarë mund të na thoni?

Jam një person që vjen nga financa, bankat dhe tregtia e rangjeve të larta, e sigurisht nuk është e thjeshtë si punë. Për ata që mendojnë që dikush i akuzuar për 120 vjet del i pafajshëm për 3 vjet e gjysmë, dhe që paskam paguar 500 000 dollarë për të dalë, do të thotë që nuk e njohin sistemin gjyqësor amerikan dhe është qesharake ta mendosh kështu. Të ishte kështu, atëherë të gjithë do ishin të aftë të dilnin nga burgu duke paguar. Kështu që u them mediave se para se të marrin copypaste lajme nga interneti, duhet të thellohen më tej. Këtë çështje e kam sqaruar në librin tim “My Duty” (Detyra ime), por jam në dispozicion të gjithkujt që do të më pyesë për çështjen në fjalë./Klotilda Harka/Panorama

Share: