Raportohet qe një vajzë 13-vjeçare ka tentuar të vetëvritet mbrëmjen e së shtunës dhe aktualisht ndodhet nën kujdesin e mjekëve në ambientet e Qendrës Spitalore “Nënë Tereza”, në Tiranë.
Shkak dyshohet të ketë qenë divorci i prindërve të saj, shkruan “Panorama” dhe, duke mos e përballuar dot ndarjen e prindërve, vajza e mitur është ndjerë keq dhe ka pirë një sasi medikamentesh “Paracetamol”.
Burime nga Policia e Tiranës thanë se bëhet fjalë për 2 pako, pra 20 kokrra.
Vajza me inicialet E.H. ka qëndruar e ulur për disa minuta te shkallët e pallatit ku banon. Më pas, duke qëndruar aty, ajo ka nxjerrë nga xhepi një brisk që mbante me vete dhe ka prerë parakrahun e majtë duke humbur gjak.
Por fatmirësisht, brenda pak sekondash, një banor i pallatit ka kaluar rastësisht dhe e ka gjetur vajzën në gjendje të rëndë duke lajmëruar fillimisht familjarët e saj.
Vajza është dërguar me urgjencë në spitalin e Pediatrisë, ku po mbahet në observim dhe duket se gjendja e saj është më e stabilizuar.
Sipas burimeve, nisur nga deklarimet e tyre, ky dyshohet të ketë qenë shkaku i tentativës së vetëvrasjes së vajzës 13 vjeçare. “Vajza ndodhet nën kujdesin e mjekëve. Materialet u referuan në Prokurorinë e Tiranës për vlerësim”, tha dje Policia.