Home KRYESORE Emërimi në Vatikan, Zhiti rrëfen përplasjen Rama-Nishani

Emërimi në Vatikan, Zhiti rrëfen përplasjen Rama-Nishani

Në morinë e rrëfimeve dhe mendimeve të Zhitit, po shkëpusim disa faqe mbi raportin e Enver Hoxhës me artin dhe letërsinë, si e përdorte për qëllimet e veta, vizitën e Jevtushenkos në Tiranë dhe natën në vilën e ish-kryeministrit të vetëvrarë. Në rrjedhën e rrëfimeve, Zhiti shkëput edhe dy momente që e kanë lidhur me Edi Ramën artist dhe kryeministër; dikur në Lushnjë, kur Visari punonte në një fabrikë tullash dhe në kohën kur diskutohej emërimi i tij si ambasador i Shqipërisë në Vatikan.

PJESE NGA LIBRI I ZHITIT

Bërtitja e dytë është e madhe, sublime dhe historike, do të thosha, e tanishme, e kësaj kohe, e bërë publike dhe në media. Edi Kryeministër i bërtet Presidentit të Republikës, Nishanit, jo përballë si me operativin, por në telefon dhe përsëri për mua, ngaqë donte të më emëronte ambasador në Vatikan, do të zgjatem pak këtu, se është një çështje që s’ka mbaruar ende, mjaft e përfolur dhe në media, s’ka “Jevtushenko”, por burokraci të së keqes së trashëgimtarëve të trashëgimtarit të Stalinit e ai, presidenti enverist, mashtrueshëm nuk donte të shkoja në Vatikan dhe sa herë shpjegonte në media, po aq herë ndryshonte shkakun e po në media ia përplasnin në fytyrë se ishin interesa klanorë, ordinerë, ku ai ishte i kapur.

Dhe Edi po i bërtiste paq: “Po e persekuton prapë, tiiii…, e telefoni sa nuk çahej, i krahut tënd është, pse s’e dekreton”. “Nuk kam krahë unë”, kishte thënë Presidenti dhe pastaj do të ankohej në një nga televizionet e njohura: “Më bërtiti Kryeministri, dukej që ende nuk i kishte ikur tromaksja.” Ngjante me një bolshevik filmash, oficer i mbetur i “Aurorë”-s që ia kishte marrë era kapelën… Dhe shkova se shkova në Vatikan, atje ku Atjoni im kishte dashur me kohë.

Grupi Parlamentar i marrëdhënieve me jashtë e mbështeti njëzëri, e majta dhe e djathta, propozimin që unë të isha ambasador në Vatikan. Dhe shoqatat e ish-të persekutuarve i shkruan letër Presidentit. Dhe intelektualë, edhe kryetari i Parlamentit, edhe poeti Dritëro Agolli etj., më mbështetnin. Pati artikuj dhe në ndonjë gazetë italiane. Bashkëpunimi im, i ambasadës me Vatikanin, ishte i mrekullueshëm, u shtri dhe në marrëdhënie miqësore e ato shpirtërore, jo vetëm diplomatike.

Në ambasadë, e them me keqardhje, gjeta një si personazhi i Kafkës, veçse metamorfoza kishte ndodhur në të kundërt, insekti i stërmadh qe shndërruar në diplomat. Ja, shkaku i së gjithës, ajo u duhej aty, një djall e di se për ç’interesa, puna e tyre. Për atë bëhej lufta, neurozat e saj shndërroheshin në çmenduri presidenciale. Që të largohej djalli nga ambasada, at Andrea David bëri lutjen e Shën Mikelit dhe i bekoi mjediset. Ndenjëm ca kohë në paqe. Ndërsa unë doja t’i përgjigjesha Presidentit, sa pa ikur ai nga detyra, gati e kisha një poezi-grotesk…

Share: